Arbëri

Rizvanolli i mohoi por njohësit thonë se pajisjet efiçiente konsiderohen si shkaktarë të konsumit të lartë të energjisë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se qytetarët po përballen me dezinformata për atë se subvencionimi i qytetarëve nga Qeveria për paisje efiçiente ka ndikuar në rritjen e konsumit dhe mbingarkesës me energji elektrike.

Këtë ministrja Rizvanolli e ka cilësuar si gënjeshtër.

“Vetëm familjet që kanë qenë duke u ngrohur me energji elektrike dhe nuk kanë qasje në ngrohje qendrore/kolektive, kanë pasur të drejtë të përfitojnë subvencion për pompë termike ose klimë efiçiente. Nëse pajisjet joefiçiente zëvendësohen me pajisje efiçiente, teorikisht, natyrisht që konsumi ulet. Në bazë të të dhënave empirike: Përfituesit kanë ulur konsumin e energjisë elektrike për mesatarisht 19% në dimrin pasues, pra pasi i kanë instaluar pajisjet efiçiente; përfituesit kanë kursyer 27 milionë kilovatorë (kWh) deri tani, ose 5 milionë euro me një çmim mesatar importi”, ka deklaruar ajo.

Por më këtë nuk po pajtohet njohësi i ekonomisë dhe energjisë elektrike, Adhurim Haxhimusa.

Ai ka thënë se paisjet efiçiente do të duhej që të ulnin konsumin e energjisë elektrike, por që shpeshherë ndikojnë në të kundërtën.

“Është i njohur në literaturë një efekt që quhet “Rebound Effect” që momentin që rritet efiçienca, atëherë konsumatorët e kanë tendencën me konsumu edhe më shumë. Përshembull në rast se i izolojmë shtëpitë tona, atëherë konsumatorët shumë lehtë kalojnë nga konsumimi i drurit, i djegies së drurit, kalojnë në përdorim të energjisë elektrike për ngrohje për shkak se kanë nevojëmë pak për ngrohje. Këto janë efektet anësore të subvencionimit të paisjeve të energjisë kanë bërë faktikisht që efekti i reduktimit të konsumit të energjisë elektrike të mbikompensohet me 'Rebound effect'”, u shpreh ai.

Sipas Haxhimusës, mungesa me energji elektrike është rezultat i një grupi të caktuar, të cilin e quan edhe si klan mafioz.

“E krejt kjo është si rezultat i një klani të mirëorganizuar mafioz, i cili vepron në Kosovë edhe është imun ndaj cilitdo regjim apo parti. Ata faktikisht e kontrollojnë çdo gjë, ata bëjnë që të ndryshojë secila nismë që bëhet. Sepse qëllimi i tyre nuk është tjetër përpos përfitimit material dhe dështimi i shtetësisë së Kosovës për të ndërtuar infrastrukturë vitale shtetërore. E një prej tyre është edhe sektori i energjisë", ka shtuar tutje Haxhimusa.

Pas shpeshtimit të reduktimeve në disa pjesë të vendit partitë opozitare e kanë akuzuar Qeverinë se i ka mbështetur mbi 15 mijë familje për të kaluar në ngrohje me energji elektrike përmes pompave termike, kondicionerëve dhe pajisjeve të tjera, duke zëvendësuar ngrohjen tradicionale me dru, pelet etj., e pa bërë asnjë përmirësim në kapacitetet e KEK-ut./Florinda Abazi