Një interpretim i Zyrës Ligjore të Universitetit të Prishtinës ka ngritur dyshime se ushtrimi i funksionit të deputetit dhe mbajtja e pozitës së shefit të Katedrës është në kundërshtim me Statutin e UP-së. Ky interpretim u dha pas dyshimeve se rizgjedhja si shefe e katedrës e deputetes Albena Reshitaj, është e kundërligjshme. Por këtë e ka kundërshtuar Reshitaj
Janë ngritur dyshimet se rizgjedhja e deputetes Albena Reshitaj, muajin e kaluar, në krye të degës së Ortodoncisë në Fakultetin e Mjekësisë, është në kundërshtim me Statutin e Universitetit të Prishtinës.
Sipas interpretimit që ka dhënë Zyra Ligjore e UP-së, stafi akademik që ushtron postin e deputetit në Kuvendin e Kosovës nuk ka të drejtë të zgjidhet në asnjë funksion në këtë institucion arsimor.
Po ashtu, thuhet se mbajtja e dy pozitave njëkohësisht, shkel nenin 146 të Statutit të UP-së dhe vendimin e Këshillit Drejtues për përcaktimin e ngarkesës në punë dhe angazhimet e profesorëve në institucione publike.
“Personeli në marrëdhënie të rregullt pune, i cili mund të jetë i angazhuar apo emëruar në ndonjë institucion tjetër publik, nuk ka të drejtë për t’u zgjedhur në organe drejtuese, por ka të drejtë për të zgjedhur”, thuhet në Statutin e UP-së.
Këtë interpretim e ka kundërshtuar Reshitaj, e cila është deputete nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Sipas saj, ushtrimi i dy detyrave nuk është i kundërligjshëm, meqë pozita në katedër nuk është drejtuese, por organizative.
“Në rastin tim siç është angazhimi si deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ndalon vetëm të drejtën për t’u zgjedhur në organe drejtuese, e sipas interpretimit nga menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës, pozita shefi i Katedrës nuk i ka autorizimet e organit drejtues apo të autoriteti menaxhues, e në këtë kuptim edhe pozita shefe e Katedrës së Paradontologjisë me Mjekësi Orale dhe Ortodonci, QKSUK nuk përbën pozicion në organ drejtues, sepse Katedra nuk është organ drejtues”, ka thënë ajo.
Edhe në dekanat kanë dyshime se mbajtja e këtyre dy pozitave nuk është përputhshmëri me Statutin.
Në një përgjigje për KOHË-n, dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Sefedin Muçaj, tha se ka kërkuar interpretim juridik nga Zyra Ligjore.
“Momentalisht, jemi në konsultim me Zyrën ligjore të UP-së për të siguruar një interpretim të qartë dhe të saktë të nenit përkatës në statutin e Universitetit dhe për të ofruar një përgjigje të bazuar në standardet ligjore dhe etike. Pas marrjes së opinionit të tyre, do t'ju informojmë me shkrim për vendimin përkatës dhe për të gjitha veprimet e ndërmarra”, ka deklaruar Muçaj.
Këshilli i Fakultetit ende nuk e ka miratuar emërimin e Reshitajt në pozitën e shefes së degës.
Pozita e udhëheqësit të katedrës ka mandat 4-vjeçar. Reshitaj e ushtroi këtë detyrë edhe mandatin e kaluar.