Arbëri

Rizanaj: Veriu, temë bosht e dezinformimit

Festim Rizanaj hulumtues në Hibrid.info ka thënë se raporti vjetor i sivjetmë ka treguar se në Kosovë vitin e fundit ka pasur dezinformata dhe keqinformim.

Sipas tij, keqinformimi bëhet duke marrë përmbajtje të caktuara dhe duke u interpretuar e sajuar qëllimshëm.

Ka shtuar se ka manipulim të fakteve, me qëllim të klikimeve. Sipas tij, veriu ka qenë temë bosht e dezinformimit.

“Kemi mosverifikim të informatave. Kemi gabime të ndryshme për shkak të shpejtësisë, por të tillat shpesh bëhen padashje. Gjithashtu ka edhe konspiracione në media. Çrregullimi i informacionit vepron si lajmet. Te ne, veriu i Kosovës ka qenë tema bosht e keqinformimit për dy gjashtëmujorët e fundit”, ka thënë ai në "Interaktiv" të KTV-së.

Sipas tij, kryesisht mediat në gjuhën serbe kanë dezinformuar, pasi sipas tij, në raportet e këtyre mediave komuniteti serb është paraqitur si viktimë e Policia si terrorizuese.

E në gjuhën shqipe, ka shtuar se dezinformata ka pasur në rrjetin social TikTok.

“Rastet e manipulimeve me video po sofistikohen dita-ditës dhe do të jetë problematike të verifikohen”, ka thënë ai, duke shtuar se mediat po e përdorin “clickbait” për të përfituar financiarisht.

Sipas tij, kjo i dëmton mediat, informacionin dhe lajmin derisa shton se humb edhe besimin ndaj mediave.

Ka thënë se Policia si institucion dhe kryeministri Albin Kurti si politikan janë përdorur më së shumti për “clickbait” nga mediat.