Në procesin e rivlerësimit të performancës së komunave, pas të cilit do të shpallen përfituesit e një granti prej 5.2 milionë eurosh, nuk do të jetë e përfshirë Rozafa Ukimeraj.
Në cilësinë e sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Pushtetit Lokal, ajo e ka pasur rolin mbikëqyrës gjatë vlerësimit të parë. Zyra e Kryeministrit ka njoftuar javën e shkuar se do të ketë përsëritje të matjes së performancës së komunave, pas kritikave për raportin nga Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe nga kryetarë komunash individualisht. E, të hënën Qeveria e ka transferuar sekretaren Ukimeraj në Ministrinë e Mbrojtjes, por duke mos e përmendur specifikisht këtë si arsye, raporton KOHA.
“Pas dakordimit në mes të ministrit Goran Rakiq, ministër i Ministrisë së Pushtetit Lokal, dhe ministrit të Ministrisë së Mbrojtjes, Anton Çuni, është arritur pëlqimi dhe aprovimi i kërkesës që për interes të dy ministrive të transferohet përkohësisht për gjashtë muaj zonja Rozafa Ukimeraj në pozitën e sekretares së përgjithshme në Ministrinë e Mbrojtjes”, ka thënë Agim Veliu, ministër i Punëve të Brendshme, gjatë propozimit të vendimit për këtë transferim.
Sekretarja Ukimeraj e ka mohuar se transferimi ndërlidhet me zhvillimet që çuan në rivlerësimin e performancës së komunave.
“Lidhur me transferimin në pozitën e re diskutimet dhe procesi kishin filluar shumë kohë më përpara dhe ky proces nuk ka asnjë ndërlidhje lidhur me publikimin e raportit të performancës komunale”, ka thënë ajo në një përgjigje të shkruar.
Raporti i performancës së komunave që pati nxitur kundërshti e mban gushtin si muaj kur është publikuar. Ndërkaq ka datën 20 shtator letra e ministrit të Mbrojtjes, Anton Quni, adresuar ministrit të Pushtetit Lokal, Goran Rakiq, e me të cilën i kërkohet transferimi i sekretares Ukimeraj. Në këtë shkresë ministri Quni e arsyeton këtë lëvizje me nevojën e Ministrisë që drejton për të pasur një sekretar me performancë të mirë.
“Institucioni ynë aktualisht është duke kaluar nëpër një fazë mjaft të rëndësishme dhe shumë vitale për të ardhmen e saj. Implementimi i aktiviteteve dhe proceseve në vazhdimësi, por edhe atyre të filluara rishtazi, ka bërë që edhe volumi i punës në institucionin tonë të rritet maksimalisht. Marrë parasysh këtu edhe mungesën e stafit esencial, veçanërisht pozitave vakante, me theks të veçantë asaj të sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë, kanë filluar të ndikojnë në implementimin e aktiviteteve dhe detyrave tona”, thuhet në shkresë, një kopje të së cilës e ka siguruar KOHA. “Prandaj, duke pasur parasysh përvojën e gjatë të znj. Rozafa Ukimeraj në kuadër të institucioneve publike, si dhe përvojën e saj si sekretare e përgjithshme e Ministrisë suaj, meqenëse pozita e njëjtë është vakante në kuadër të MM, kam vlerësuar se profili i saj mund të jetë i përshtatshëm që praktikat e organizimit dhe të funksionimit të cilat ajo i ka vendosur në kuadër të MAPL-së mund t’i aplikojë edhe në MM”.
Pasi KOHA raportoi javën e shkuar për pakënaqësitë që lidheshin me raportin e performancës së komunave, mbi bazën e të cilit shpërndahet granti 5.2 milionësh, Kabineti i Kryeministrit konfirmoi se do të ndodhë një proces rivlerësimi.
Ky infuzion financiar për komunat ishte vënë në pikëpyetje, ngaqë ministri Goran Rakiq iu shkroi tri ambasadave se tërhiqej nga marrëveshja për grantin, pas pakënaqësive që Asociacioni i Komunave i kishte shprehur rreth transparencës, formulave për shpërndarjen e grantit dhe kritereve e indikatorëve të vlerësimit.