Arbëri

Rita Ora dekorohet në Shqipëri me titullin “Naim Frashëri”

Presidenti i Republikës Shqipërisë, Bajram Begaj dekoroi të hënën me titullin “Naim Frashëri” artisten e mirënjohur Rita Ora me motivacionin “Në vlerësim të kontributit të dhënë në lartësimin e vlerave artistike dhe njerëzore përmes artit. Me mirënjohje për aktivitetin dhe rolin e saj si ambasadore në çështje me ndjeshmëri të lartë kombëtare dhe globale”.

Në ceremoninë e dekorimit që u organizua në presidencë kanë marrë pjesë familjarë të këngëtares, përfaqësues diplomatikë të akredituar në Tiranë, miq dhe të ftuar.

Në ceremoninë e dekorimit, duke iu drejtuar të pranishmëve, Begaj u shpreh: “Jam i sigurt se ky nderim sot bart vlerësimin e çdo artdashësi në Shqipëri, Kosovë dhe kudo në botë. Janë miliona njerëz që mendojnë se ti je shembulli më i qartë se kur talenti dhe dimensioni njerëzor ndërthuren së bashku, krijojnë vlera të jashtëzakonshme që frymëzojnë globalisht. Më lejo të shpreh konsideratën time për të gjithë përkushtimin tënd për artin dhe kulturën. Njëkohësisht, gjej rastin të inkurajoj që të sjellësh për botën, por edhe për kombin tonë shembullin se si arti, vendos ura komunikimi në të gjitha dimensionet, bashkon njerëzit dhe shëron zemrat”, thënë në fillim të fjalës së tij presidenti Begaj.

Presidenti i Shqipërisë ka vlerësuar këngëtaren me origjinë nga Kosova edhe si një zë i fuqishëm edhe në shumë kauza sociale e kulturore.

Rita Ora, ylli i muzikës që jeton në Mbretërinë e Bashkuar, e lindur në Kosovë, gjendet prej dy ditësh në Tiranë.

Si Ambasadore e UNICEF UK, ajo vizitoi të hënën “Shtëpinë e Ngjyrave”, qendrën komunitare në Tiranë, që ofron të gjithë gamën e shërbimeve për fëmijët dhe familjet e tyre, duke përfshirë këtu edhe strehën e emergjencave.

Që nga viti 2011, qendra e mbështetur nga UNICEF dhe Bashkia e Tiranës dhe menaxhuar nga Nisma ARSIS, ka ofruar shërbime mbështetëse për rreth 4000 fëmijë të prekur nga përjashtimi social, dhuna në familje, varfëria, migrimi, shfrytëzimi dhe trafikimi i qenieve njerëzore.

Të gjithë të strehuarit në këtë qendër gjatë aktivitetit tyre të përditshëm janë vizituar një nga një nga këngëtarja Rita Ora.

Ajo kaloi çaste me fëmijët duke luajtur, kërcyer dhe pikturuar së bashku.

Gjithashtu, ajo u përpoq të ndihmonte stafin e kuzhinës për të përgatitur një “Byrek”.

“Jam vërtet e nderuar që jam këtu dhe hedh dritë mbi punën e pabesueshme që po bëjnë UNICEF dhe UNICEF në Shqipëri. Më pëlqeu të kaloja kohë me fëmijët frymëzues që takova në Shtëpinë e Ngjyrave. Eksperienca të tilla, ku mund të shoh personalisht se si UNICEF po mbështet fëmijët kudo, theksojnë punën e pabesueshme që ata po bëjnë”, tha Rita Ora.