Arbëri

Rinumërimi i votave përplas keq Vetëvendosjen me Nismën

Procesi i rinumërimit të më shumë se 1,400 vendvotimeve, ka përplasur Vetëvendosjen dhe Nismën Socialdemokrate.

Akuzat në drejtim të Vetëvendosjes, se po ushtrojnë presione e shantazhe ndaj stafit dhe vëzhguesve, partia e Fatmir Limajt i nisi përmes një kumtese për media.

Por, Vetëvendosje i quan të pavërteta këto akuza.

Nazlie Bala thotë se këto akuza të Nismës po bëhen me qëllim që kjo parti të bëjë fakt të kryer përfaqësimin në Kuvend. Madje, thotë se kanë gjetur edhe parregullsi.

Vetëvendosje e ka quajtur të ndikuar politikisht vendimin e Gjykatës Supreme, që hodhi poshtë ankesat e subjekteve politike për mospërfshirjen në rezultatin përfundimtar të votave të ardhura nga Serbia.

Por, në Qendrën e Numërimit të Rezultateve thonë se këto akuza nuk do të ndikojnë në procesin e rinumërimit të votave.

Burim Ahmetaj, koordinator i kësaj qendre, thekson se do të numërohen 1,407 vendvotime e jo 1,472, sa ishte thënë në fillim.

Përplasjet edhe akuzat mes subjekteve kanë bërë që të reagojë edhe kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

Përmes një reagimi, Daka ka bërë thirrje për qetësi, në mënyrë që të mos dëmtohet procesi i rinumërimit.