Pas gati më shumë se tre muaj, i akuzuari për krime lufte në Krushë të Vogël, Darko Tasiq, ka dalë sërish para Gjykatës Themelore në Prizren.
Procesi gjyqësor ndaj tij i ishte afruar fundit, por pandemia COVID-19 ndikoi edhe në punën e gjyqësorit, duke pamundësuar mbajtjen e seancave.
Tasiqi ka thënë se nuk ndihet fajtor për pikat e aktakuzës, dhe ka deklaruar se do të mbrohet në heshtje.
Prokurorja e rastit, Drita Hajdari, tha se në bazë të provave që i ka siguruar Prokuroria, vërtetohet se Tasiqi ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet.
Por mbrojtja e tij ka thënë se provat e paraqitura nuk e vërtetojnë fajësinë e të akuzuarit.
Megjithatë, avokati Lubomir Pantoviq dhe Prokuroria u pajtuan që nuk është e arsyeshme që të dëgjohen të gjithë dëshmitarët.
“Mendoj se nuk është e nevojshme që të ftohen dëshmitarët, si dhe të mos administrohen provat se tashmë janë administruar, pasi Darko Tasiq më shumë se dy vjet e gjysmë ndodhet në paraburgim dhe dëgjimi i sërishëm i të gjithë dëshmitarëve në mënyrë të paarsyeshme do ta vazhdojë paraburgimin; në rast se do të veprohet ndryshe, ne do të kërkojmë ndërprerjen e paraburgimit”, ka thënë ai.
Propozimi i palëve u aprovua dhe në këtë seancë u lexuan provat materiale dhe deklaratat e dëshmitarëve.
Darko Tasiq akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës se gjatë muajit mars 1999 ka kryer krime lufte në Krushë të Vogël si pjesëtar i forcave rezervë të policisë jugosllave.
Ndërkohë, një gjykim për krime lufte ndaj Zoran Vukotiqit ka nisur këtë të hënë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Ai akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për krime lufte ndaj popullatës civile në Komunën e Vushtrrisë dhe për dhunim seksual ndaj një gruaje shqiptare.
Vukotiqi, i cili aktualisht vuan dënimin në Burgun e Sigurisë së Lartë, pasi ishte dënuar me 6 vjet burgim në vitin 2018 për tortura ndaj të burgosurve në Burgun e Smrekonicës gjatë vitit 1999, në seancën fillestare e ka mohuar fajësinë.