Arbëri

Rikujtim në festën e 15-vjetorit të Pavarësisë

Shteti i Kosovës akoma nuk i ka të evidencuara të gjitha krimet që ka kryer Serbia në fundin e viteve nëntëdhjetë. Argumentet për masakrat, vrasjet dhe krimet e tjera nuk janë të sistemuara askund. Kosova nuk ka asnjë burim elektronik, ku publiku do të mund ta shihte luftën që la pas rreth 15 mijë shqiptarë të vrarë, rreth 20 mijë të dhunuar seksualisht, rreth 5 mijë të zhdukur, shumica nga të cilët janë gjetur nëpër varreza masive në Kosovë e Serbi, që i kishte fshehur regjimi i Milosheviqit. Edhe në këtë përvjetor të 15-të të Pavarësisë së Kosovës s’ka drejtësi as përpjekje serioze për ta vënë atë për dhjetëra mijëra njerëz që humbën jetën apo të afërmit e tyre, që u dhunuan, që u dëbuan, që iu shkatërruan shtëpitë e pronat...

Bazuar në raportimet e saj gjatë luftës, “Koha Ditore” rikthen në kujtesë shkrime të përmbledhura për masakrat më të mëdha të luftës së Kosovës, si thirrje për mosharresë.

Likoshan dhe Qirez – 28 mars 1998

Kriza e Kosovës në fund të shkurtit të 1998-s ka ekzaltuar në luftë te Gjashtë Lisat, vend në Likoshan të Drenasit, ku një patrulle të policisë serbe i kishte organizuar një pusi Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Serbia i ishte përgjigjur me masakër në civilë. I kishte masakruar dhjetë anëtarë meshkuj të familjes së madhe Ahmeti, të cilët policia i kishte marrë me vete në momentin e tërheqjes. Më i vogli nga ta ishte Elhamiu, atëkohë 15 vjeç.

Familjarët për tri ditë nuk dinin për fatin e tyre, dhe nuk donin t’u besonin gjurmëve që ishin lënë tek një shkurre pranë dyerve të oborrit. Përpos gjakut, dhëmbëve e një pjese të kafkës, aty kishin mbetur edhe pjesë truri.

Në këtë aksion të mbështetur edhe nga helikopterët, ishin vrarë 20 shqiptarë në Likoshan dhe në fshatin fqinj të Komunës së Skënderajt, Qirez.

Midis viktimash ishte edhe Rukije Nebihu, një grua shtatzënë. Asaj ia kishin vrarë bashkëshortin dhe kishin shtënë edhe në vjehrrin, i cili u kishte shpëtuar plagëve. Hata, e vjehrra e Rukijes, kishte qëlluar në dhomën ku kishin ndodhur vrasjet. Edhe fëmijë kishte aty.

Prekaz – 5, 6 dhe 7 mars 1998

Vetëm pak ditë pas asaj që ndodhi në Likoshan e Qirez, artileria e Serbisë pati cak familjen Jashari në Prekaz të Skënderajt, e cila prej vitesh nuk i bindej regjimit të Milosheviqit. Ishte kjo familja e Adem Jasharit, komandantit më në zë të UÇK-së.

Jo vetëm Prekazi ishte vënë nën rrethim të hekurt.

Pas tri ditësh rezistencë, Ademi ishte vrarë së bashku me gjithë familjen e tij, që në momentin e sulmit ndodheshin në shtëpi, duke përjashtuar vetëm Besartën, një vajzë 11-vjeçare, e cila kishte arritur t’u mbijetonte granatimeve që ishin hedhur mbi shtëpi për tri ditë rresht.

Vite më vonë ajo e ka rrëfyer masakrën, së cilës i mbijetoi.

“Hyra në vendin ku gatuanim, u shtriva aty dhe u bëra si e vdekur. Motra e vogël më kërkonte ujë”, ka treguar Besarta, mbesa e Adem Jasharit. “Ajo ishte e plagosur dhe unë nuk munda t’i jepja”.

Ishin 21 anëtarë të familjes së ngushtë Jashari që ishin vrarë. Më i vjetri ishte Shabani (74), babai i Ademit, e më i riu nipi, Blerimi (8).

Vetëm në Prekaz aksioni serb kishte lënë 56 shqiptarë të vrarë. Fëmijë ishin 15, ndërkaq 17 ishin gra. Ishin masakruar për së vdekuri. Në pjesët anësore të belit policia ua kishte shqyer lëkurën në formë xhepash dhe në to ua kishte vënë duart. Disave ua kishte prerë edhe gjymtyrët. Vetë policia i kishte varrosur.

Lubeniq – 24 maj 1998

Lubeniqi i Pejës është një fshat afër vijës kufitare me Shqipërinë dhe vazhdimisht ka qenë në fokus të aksioneve të policisë serbe. Në fund të majit të 1998-s, para se të hynin në fshat, serbët e granatuan, dhe kur hynë i ndanë burrat nga gratë. Ekzekutuan nëntë burra civilë. Një vit më vonë ndodhi masakra e madhe. U pushkatuan më shumë se 60 burra të këtij fshati, që po kështu u ndanë paraprakisht nga gratë që serbët i kishin deportuar për në Shqipëri.

Magjun Alimehaj i ka mbijetuar kësaj masakre. Një plumb që e kishte goditur në këmbë nuk kishte qenë vdekjeprurës. Serbët nuk e kishin vërejtur atë dhe një bashkëfshatar të tij që kishin mbetur gjallë, prandaj i kishin braktisur. Ata mbetën gjallë, për të parë edhe krimin e radhës, tani me të vdekurit; kthimin e serbëve te kufomat, të cilat i kishin marrë me kamionë.

Abri e Epërme – 27 shtator 1998

Serbia kishte humbur 14 pjesëtarë të policisë në përballjen që kishte me UÇK-në në Abri të Epërme dhe kishte vendosur të hakmerrej. Cak kishte civilët. I kishte masakruar 21 anëtarë të familjes Delia.

Një ditë pasi anëtarët e familjes ishin fshehur në mal, për t’iu shpëtuar sulmeve, tek ta kishte depërtuar këmbësoria serbe. Aty i kishin vrarë 14, 6 prej të cilëve ishin gra të moshës 25-62 vjeç. Fëmijë ishin 5, midis të cilëve një foshnjë një vit e gjysmë, imazhi i kufomës i së cilës u shpërnda në mediat më të mëdha të botës. Reutersi raportoi se kjo foshnje me plagë në fytyrë dukej se ishte rrokullisur nga gjiri i nënës së saj, sapo ishte qëlluar me plumb në kokë.

Ndër tre burrat e vrarë në mal, dy ishin mbi gjashtëdhjetë vjeç. Këmba e 62-vjeçares Hava Deliaj ishte prerë poshtë gjurit. Nuk ishin të vetmit këta që kishin pësuar. Ishin 7 pjesëtarë të tjerë të familjes Delia që gjetën vdekjen pranë shtëpisë së tyre. I zoti i shtëpisë, 94-vjeç, invalid, ishte djegur bashkë me shtëpinë. Dy të tjerë ishin ekzekutuar në prezencë të familjarëve të gjallë, e një u gjet pranë malit me fytin të prerë. Në javët e ardhshme kufomat e dekompozuara të dy vajzave u gjetën të masakruara në të njëjtën zonë të krimit.

Gazeta raportoi atëkohë se si pesë femra dhe dy fëmijë të moshës 5 dhe 7 vjeç po qëndronin të shtrirë në një skëterrë të ngushtë në afërsi të një tende ku ishte strehuar familja Delia. Të gjitha viktimat ishin qëlluar në kokë nga afërsia. Trupat e disa prej viktimave tregonin dëshmi të qarta të një kasaphane. Luljeta Deliaj, e moshës 28-vjeçare, ishte shtatzënë dhe barku i saj ishte i prerë plotësisht.

Rogovë e Hasit – 29 janar 1999

Ishte ditë dimri i acartë dhe kosovarët po prisnin se çfarë po vendoste Grupi i Kontaktit për ta. Ministrat e jashtëm të Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Italisë këtë ditë propozuan organizimin e një konference ndërkombëtare, në të cilën pala kosovare dhe ajo serbe do të takoheshin në Rambuillet të Francës për të gjetur një zgjidhje.

Po këtë ditë serbët dëshmuan se ishin të përcaktuar për vrasje. Në Rogovë të Hasnit, një fshat në jug të Gjakovës, ata ekzekutuan 24 burra. Brenda një furgoni i kishin vrarë 11. Serbët i kishin grumbulluar me nguti brenda një oborri, dhe në afërsi u kishin vënë edhe armë, për t’i prezantuar si pjesëtarë të UÇK-së. Por, vetëm tre nga ta mbanin uniformën e gueriljes që e luftoi regjimin e Milosheviqit.

Njëra nga gratë e shtëpisë, në oborr të së cilës ka ndodhur sulmi, ka dëshmuar se burrat ishin civilë dhe se ata ishin nisur me furgon për të bërë pazar. Ajo nuk e dinte se si furgoni ishte kthyer në oborr.

“Kemi qenë në gjumë. Furgoni në oborr është i yni. Tre burrat e shtëpisë sonë janë nisur me të në mëngjes për në pazar. Por pas pak furgoni është kthyer në oborr. Dhe në të kishte shumë njerëz”, ka rrëfyer ajo.

Suharekë – 26 mars 1999

Familja Berisha e Suharekës bëhet cak i sulmit. Serbët vranë 48 anëtarë të familjes. Gjashtë prej tyre para shtëpive, ndërsa të tjerët në një qendër tregtare në qendër të qytetit. Vetëm dy gra dhe një fëmijë arritën të mbijetonin. Ata ndodheshin mes kufomash që serbët i bartnin me një kamion, me qëllimin për t’i fshehur gjurmët e krimit.

“Kur ka filluar që të ecë kamioni, Shyhretja më ka thirrë, sepse unë nuk kam qenë me vetëdije. Më ka thirrë e më ka thënë Vjollca çu, a je gjallë, e unë i thashë: po. Më tha hajde kcejmë”, ka treguar Vjollca Berisha, njëra nga të shpëtuarat. “Njëherë e shikova rrugën a po më përcjell kush, pastaj e ktheva kokën dhe e pashë jaknen e djalit. Ia hapa fytyrën dhe e pashë se i kishte sytë çelë. I thashë, hajde kërcejmë”.

Vjollca rrëfen se edhe një fëmijë tjetër në kamion kishte qenë i gjallë. Thotë të mos ketë pranuar të kërcente nga kamioni, pavarësisht insistimit. Rruga ia kishte ofruar vdekjen atij.

Krushë e Vogël – 26 mars 1999

Ishte java e parë e pranverës, kur serbët hynë në Krushë të Vogël të Rahovecit. Mblodhën meshkujt e fshatit dhe i ndanë nga familjarët e tyre. Kishin shtënë mbi ta. Të vdekur kishin mbetur 103, e masakrës i kishin mbijetuar 6. Bajram Zylfiu mbeti mes të gjallëve, për t’u bërë dëshmitar i këtij krimi, që ishte munduar të fshihej duke i djegur kufomat.

Serbëve u interesonin meshkujt. Nuk kishin pyetur për moshën.

“Djali i motrës i ka pasë 13 vjet. Më tha, teze po më thërrasin. I thashë kurgju nuk të bëjnë. Shkoi duke qajtë”, ka treguar Fatime Shehu për nipin që ia ekzekutuan. “Ishte më i riu”.

Më 25 mars ishin vrarë edhe 9 të tjerë. Që prej asaj kohe janë varrosur vetëm 42 nga të ekzekutuarit, kurse mungojnë eshtrat edhe të 70 prej tyre.

Krushë e Madhe – 25, 26 e 27 mars 1999

Të nesërmen kur NATO-ja kishte nisur ta bombardonte Serbinë, mizoritë e regjimit të Milosheviqit kishin shtuar intensitetin. Ishin demonstruar edhe në Krushë të Madhe, një fshat i Prizrenit. Paramilitarë, të identifikuar nga fytyra të lyera e me shami që mbanin në kohë, më 26 mars nxorën nga shtëpitë të gjithë burrat, gratë e fëmijët që kishin mbetur në fshat, si dhe ata që ishin zënë gjatë përpjekjes për t’u fshehur. Gratë i përcollën për në xhami, ndërsa meshkujt i ndanë në grupe. Grupi i parë i meshkujve u dërgua në Nogavac, grupi i dytë në xhaminë e fshatit, dhe grupi i tretë poshtë një kodre të Krushës. Ishin masakruar dhe një numër prej tyre ishin djegur. Mes tri ditësh u vranë 243 shqiptarë.

Celinë – 25, 26 e 27 mars 1999

Brenda së njëjtës periudhë, mizori të njëjtë sa në Krushë të Madhe serbët kishin treguar edhe në Celinë, një fshat i Rahovecit. Disa orë pasi kishin nisur bombardimet e NATO-s, forcat serbe kishin pushtuar fshatin. Një pjesë e banorëve që ishin aty, u larguan në drejtim të kodrave aty pranë, por me qindra shqiptarë mbetën të mbërthyer nga rrethimi.

Të nesërmen serbët i nxorën në qendër të fshatit katër grupe që përbëheshin nga diku 15 meshkujsh. I zhveshën shokë e lart. Pasi i plaçkitën, nis mizoria mbi një të ri.

“Njëri e lëpiu tehun e thikës. Pastaj një tjetër ia preu fytin. Ishte një thikë e gjatë sa gjysma e krahut, e zezë dhe me hark. Viktima quhej Alban Rexhepi dhe ishte trembëdhjetë vjeç”, i ka treguar një dëshmitar HRW-së. “Më pas i vranë gjithë të tjerët”.

Në këtë masakër u ekzekutuan 75 shqiptarë. Trupat u lagën me gaz dhe më pas iu vu flaka.

Izbicë – 28 mars 1999

Izbica shihej si vend i sigurt për banorët e shumë fshatrave të Skënderajt, që ishin të ekspozuar ndaj sulmeve të serbëve. Një fshat me male përreth. Mijëra shqiptarë kishin shkuar aty më 27 mars. Atë ditë i ishte nënshtruar granatimit, e të nesërmen gati të gjithë meshkujt e rritur kishin ikur në male, duke i lënë kryesisht gratë, fëmijët dhe burrat e vjetër në një lëndinë të fshatit.

Kishte qëlluar Ditë Bajrami.

“Mërzi ma e madhe nuk kish se me i ni thminë t’u kajtë e t’u piskatë për bukë, në Ditë Bajrami”, tregon plaku Hazir Shaqiri, para se të shpërthejë në vaj për përjetimin e shumë vjetëve më parë.

Ai ishte në mesin e rreth 200 burrave që kishin qëndruar në lendinë, duke pritur nga çasti në çast pushtimin e fshatit. Kur policë, ushtarë e paramilitarë kishin mbërritur tek civilët, atyre ua plaçkitën paratë dhe të gjitha gjërat e vlefshme, dhe pastaj i ndanë gratë nga burrat. Gratë dhe fëmijët u urdhëruan të merrnin rrugën për në Shqipëri. Burrat u ekzekutuan gati të gjithë. Pati edhe gra që u qëlluan.

Pos Hazirit, kishte shpëtuar edhe Milazimi Thaçi. Ata nuk i kishin kapur breshëritë e plumbave që ishin derdhur në drejtim të burrave që ishin detyruar të bëheshin rresht nga katër, të drejtoheshin me shikim nga mali dhe duart t’i vinin mbi kokë.

“Oh nana jeme, oh nana jeme – bërtitke ni burrë që ishte plagu. O gajret bre, o gajret bre – i thashë. Një tjetër afër më tha të mos flas. Tha po donë me ardhë me na mblu me dhe. Zhagaz ikëm malit”, ishte dëshmia e Milazimit e dhënë menjëherë pas masakrës.

Pas masakrës, kufomat e të vrarëve i varrosën në Izbicë meshkujt që ishin strehuar në mal, por forcat serbe i zhvarrosën më pas, duke i dërguar në lokacione të ndryshme në Kosove e Serbi. Nga 156 të ekzekutuarit, deri tani janë identifikuar 131 prej tyre. Kanë mbetur edhe 15 të tjerë, varret e të cilëve akoma presin kthimin.

Beleg, 29 mars 1999

Ofensiva e egër kishte nisur në fund të marsit ndaj popullatës së Irzniqit dhe Belegut. Një ditë më parë serbët pësuan humbje në përballje me UÇK-në. Por ata u hakmorën në civilë.

Në fshat fillimisht kumboi artileria. E, kur serbët hynë në Beleg, ata i ndanë meshkujt nga gratë. I morën edhe të miturit.

Gjyle Vishaj ofshan një herë, para se të shpërthejë në vaj tek tregon se si serbët ia rrëmbyen djalin 14 vjeç, Fatonin. Ia rrëmbyen për të mos ia kthyer më.

“Fatoni i vogël, 14 vjeç, më ka thanë ‘nëna jeme mos em lësho’. Më ka kap. Por djalin me zor ma ka heq prej qafe, e më ka zanë e më ka rreh mu sa ka mujt, e më ka qitë...”, s’e përfundon rrëfimin ajo nga dënesja. “Djali shkoi tuj kajt, unë meta me dy fmi tuj kajt. Tuj bërtit”.

Këtë ditë, 10 banorë në fshatin e Belegut ishin masakruar, ndërsa 33 të tjerëve u ishin humbur gjurmët. Prej atëherë, ata nuk u gjetën.

Pastaselë, 31 mars 1999

Pastasela, një fshat i Rahovecit, u sulmua ditën e fundit të marsit. Dy tanke ishin vendosur lart në kodër, katër tanke kishin depërtuar brenda në fshat, ndërsa një tjetër kishte zbritur poshtë, aty ku ndodheshin edhe civilët. Fshatarët gjetën strehë në një fushë aty pranë. Rreth orës 3 të drekës, ata iu dorëzuan paraushtarakëve që i kishin rrethuar, duke tundur në drejtimin e tyre një pëlhurë të bardhë.

Serbët i ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët. Burrat ishin pothuajse të gjithë mbi pesëdhjetë e pesë vjeç, ngaqë të rinjtë ishin larguar nëpër kodra përreth. Diku në orën 4:30 të pasdites, gratë u përzunë nga fshati nën komandën “shkoni në Shqipëri”.

Burrat iu nënshtruan torturës. Para tyre serbët i ndanë një grup prej 7-8 të rinjsh, të cilët i rrahën egërsisht. Ky grup të rinjsh u rreshtua aty pranë dhe u qëllua me armë automatike.

Burrat ishin ndarë në katër grupe dhe ishin vendosur buzë një rrëpire. Ky ishte momenti kur nis ekzekutimi në masë, duke u qëlluar me automatikë. U vranë 106 civilë.

Trembëdhjetë i mbijetuan masakrës.

“Unë rashë para se të nisnin të shtënat”, i ka thënë HRW-së njëri nga ta. “Dy të vrarë ranë sipër meje. Unë nuk bëra asnjë lëvizje. Pas nja dy minutash dikush tha, gjuaj përsëri, dhe unë u qëllova. Qëndrova i fshehur nën trupat për afro njëzet minuta të tjera, derisa u sigurova që ata ishin larguar. Pastaj ika”, kishte rrëfyer ai.

Tre të mbijetuarit do të tregonin se një ditë më pas serbët do të nxirrnin nga zgafellja rreth 25 kufoma dhe do t’i digjnin në një nga shtëpitë e fshatit.

Gjakovë – 1 e 2 prill 1999

Vala e parë e dhunës në Gjakovë filloi më 24 mars, kur NATO-ja nisi sulmet mbi Serbinë, dhe vijoi deri më 2 prill. Pjesës së lashtë të qytetit, përfshirë edhe Xhaminë e Hadumit, iu vu zjarri, ndërsa vrasjet

sporadike ndodhnin në çdo cep të qytetit. Vrasje pati gjatë gjithë muajit prill, ndonëse më të rralla sesa ishin në dy ditët e para të muajit.

Mbi 60 shqiptarë të Lagjes I ishin masakruar nga forcat serbe, në mesnatën e 1 dhe 2 prillit. Në atë lagje u qëlluan dhe u dogjën të gjallë burra, gra e fëmijë. Aksioni i bashkërenduar i policisë në dy rrugë fqinje të lagjes “Qerimi” – rruga “Milosh Gilish” e ajo “Sadik Staveleci” - përfundoi me një numër të madh ekzekutimesh.

“Masakra e parë ndodhi pranë xhamisë, në familjen Lleshi, ku ishin vetëm burri e gruaja. Më pas të njëjtin fat e pësuan edhe Hysen Deda me gruan, vajzën dhe me djalin e tij pesëvjeçar. Më pas ata erdhën tek familja Vejsa, dhe njëzet vetë nga kjo familje, së bashku me disa të tjerë, u vranë. Më tej ata shkuan tek familja Cana, ku vranë katër vetë”, ishte rrëfimi i një dëshmitareje, dhënë HRW-së.

Në qytet rreth 700 civilë u vranë ose u morën. Fati i tyre nuk është zbardhur plotësisht as tash.

Rezallë – 5 prill 1999

Fshati kodrinor i Rezallës mbahej për strehë të sigurt, ngaqë ishte fare afër vendit ku Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së kishte selinë. Por, siguria vlejti vetëm deri më 5 prill, diçka më shumë se dy muaj para se të çlirohej Kosova. 88 civilë ishin vrarë këtë ditë, 42 prej të cilëve ishin hedhur në një gropë, por që më 16 maj ishin zhvarrosur kufomat e tyre dhe ishin dërguar në drejtim të panjohur, për të mos ditur fatin e tyre deri në ditën e sotshme.

Forcat serbe mbërritën në fshat herët në mëngjesin e kësaj dite, hynë nëpër shtëpitë e fshatarëve dhe i dogjën ato. Një pjesë e madhe e burrave të fshatit ishin sipër në kodra në atë kohë, por shumë kishin rënë në duar të serbëve.

Burrat ishin urdhëruar të shkonin drejt një kodre. Ua kishin lidhur duart pas shpine dhe i kishin rrahur për vdekje. Gjatë gjithë ditës torturës i ishte nënshtruar edhe një djalë që atëkohë kishte mbushur vetëm të trembëdhjetat. Kur ishte ofruar mbrëmja, kishte ardhur koha e ekzekutimit. Ishin urdhëruar të bëheshin rresht për dy dhe pastaj 30 policë kishin qëlluar në drejtim të tyre.

Fillimisht ishin katër veta që kishin mbetur gjallë. Por dy nga ta nuk jetuan gjatë. Sadri Gashi, së bashku me vëllanë e tij u kapën dhjetë ditë më vonë dhe u vranë. Pajazit Kelmendi vdiq nga plagët katër ditë pas masakrës.

Poklek i Vjetër – 17 prill 1999

Një shi i lehtë binte mëngjesin e 17 prillit në Poklek. Njësitë policore kishin rrethuar pjesën e vjetër të fshatit dhe një pjesë të banorëve që kishin mësyrë të iknin për në qytezë e kishin kthyer dhunshëm.

Së paku 59 veta, shumica nga familja Muçolli, u shtrënguan nga serbët që të mbylleshin brenda në shtëpi. Ata iu nënshtruan një masakre të llahtarshme, së cilës 6 kishin mundur t’i shpëtonin.

Elhame Muçolli atëkohë ishte 14 vjeçe. Është në mesin e të mbijetuarve. Vite më vonë ajo ka treguar mizorinë e përjetuar.

“Kur u kthymë në shtëpi, i ndrrumë teshat, sepse ishim lagë. E dhezëm shporetin. Hangrëm bukë. Erdh me ne edhe familja e shkrimtarit Ymer Elshani, që ishin mysafirë te një kojshi. Një herë erdh një grup prej dhjetë policësh. Shkuan dhe pas nja 20 minutash erdh grupi tjetër. E morën axhën edhe Ymerin dhe ua mbajshin automatin prapa. Axha e mbante shikimin kah ne. Pas ni minute u dëgju krisma. Të dytë ishin pushkatu”, ka treguar Elhamja, që tash jeton në Shtetet e Bashkuara. “Mandej erdh një polic dhe na bërtiti ta mbyllim derën. Pas kësaj, i thei xhamat dhe e gjujti një bombë. Ra në prehër të grusë së axhës. Eksplodoi dhe u mbush tym dhoma. Gratë i zunë fmitë përfundi me i mbrojt. Unë u plagosa në këmbë. Unë u çova. Herën e parë kur provova, u rrëzova. Për të dytën herë e çela dritaren dhe kceva”.

Sipas dëshmitarëve të tjerë, aty ishte gjuajtur edhe një bombë. Pastaj ishin rrotulluar një nga një viktimat, për të parë nëse ishin gjallë. Ata që kishin lëvizur, kishin marrë plumba automatiku. Aty mbetën të vdekur 23 fëmijë.

Pesë ishin bërë sikur të vdekur dhe pasi ishte larguar policia serbe, kishin arritur të iknin. Serbët ishin kthyer më vonë, dhe ua kishin vënë flakën. Mbetjet mortore mundën të grumbulloheshin në një pako fare të vogël.

Meje dhe Korenicë – 27 prill 1999

Masakra më e madhe në Kosovë është kryer më 27 prill në fshatin e vogël të Mejës, i cili ndodhet disa kilometra në veriperëndim të Gjakovës. Vetëm brenda një dite, forcat militare dhe paramilitare serbe ekzekutuan aty, por edhe në fshatin Korenicë, 377 shqiptarë nga fshatrat e Lugut të Carragojës dhe të fshatrave përreth.

Në një operacion të planifikuar u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës. Grumbullimi i meshkujve në grupe filloi në orët e hershme të mëngjesit. U ekzekutuan të gjithë meshkujt shtëpi për shtëpi, por nuk u kursyen as fëmijë dhe pleqtë.

Ata që kaluan nëpër Mejë midis orës 12:00 e 15:00 mbetën dëshmitarë të masakrës. Kishin parë me sy grumbuj kufomash, ata të cilët ndaloheshin nga njësitet ushtarake dhe policore serbe dhe dërgoheshin në pjesë të caktuara tek njësitet e ekzekutimit.

HRW kishte intervistuar një djalë tetëmbëdhjetëvjeçar dhe një vajzë nëntëmbëdhjetëvjeçare pak kohë pasi kishin ecur këmbë rrugëve të Mejës, rreth orës 17:30, ditën e masakrës. Ata kishin përshkruar një grumbull kufomash që zinin një hapësirë prej 24 metrash katrorë dhe që mbërrite lartësinë prej një metri.

“Grumbulli i kufomave kishte përmasat e një tende të lartë, pak më shumë se një metër, ku kufomat ishin kokë më kokë. Arrita të njoh dy burra të cilët ishin gjallë. Ishin nja pesëmbëdhjetë burra të tjerë të ulur e të mbështetur në pirgun e kufomave e përballë tyre qëndronin në këmbë serbët”, kishte thënë dëshmitarja.

Në të njëjtën ditë që u krye masakra në Mejë, më 27 prill, forcat policore serbe dëbuan me dhunë banorët e fshatit fqinj, Korenicë.

Të nesërmen e Masakrës së Mejës e Korenicës, dy kamionë të mëdhenj kishin filluar misionin e “pastrimit të terrenit” duke grumbulluar meshkujt e ekzekutuar. Ky ishte misioni i fshirjes së dëshmive. Të vrarët ishin dërguar në dy lokacione në Batajnicë të Serbisë. Dëshmitarët e paktë të mbetur në rajon panë grumbullimin e kufomave, për të cilën punë ishin detyruar romët vendës.

Studime – 2 maj 1999

Deri në datën 2 maj, Studimja ishte nën zotërimin e UÇK-së. Forcat serbe ishin vendosur në një magazinë në Studimen e Poshtme, një fshat prej nga duhej të kalohej për të mbërritur në Vushtrri. Popullata e izoluar kishte vendosur të lëshohej në qytet, dhe një kolonë traktorësh kishte vënë në ballë një pëlhurë të bardhë, si sinjal për serbët se po dorëzoheshin. Por, pa mbërritur në Studimen e Poshtme, kolona e traktorëve ishte shënjuar për granatim.

Civilët shqiptarë që mësynin Vushtrrinë, me shpresën se po iknin nga një zonë e nxehtë, në fakt kishin shkuar në gojë të ujkut. Diku 140 ekzekutime kishin ndodhur para syve të familjarëve. Ushtarë dhe paraushtarakë ishin endur poshtë e përpjetë kolonës së traktorëve, duke plaçkitur dhe vrarë. Ngjarja kishte ndodhur nga ora 9:00 deri në 10:30 të darkës. Një orë më vonë ishin urdhëruar të gjallët të zbrisnin në Vushtrri.

Një dëshmitar i ka rrëfyer HRË-së se si ia kishin vrarë djalin përpara syve, i cili ishte martuar po atë ditë.

“Kur erdhën te traktori im, aty ndodheshin tre vetë: djali im, Adnani, Eshref Rashica dhe Ismeti. Të parin e kapën Ismetin, e zbritën nga traktori dhe nisën ta rrihnin. E vranë. Nuk ishte më larg se tri-katër metra. Pastaj erdhën dhe e morën djalin tim. E kapën për krahun e djathtë dhe e qitën në anën tjetër të rrugës. Unë i shkova pas, por ata më qëlluan, më goditën dhe rashë përtokë”, ka dëshmuar ai. “Dëgjova kur gjuajtën. Ishin dy krisma. E pashë të shtrirë përtokë. E kishin qëllu në shpinë”.

Serbët nuk ishin mjaftuar me këtë. Të nesërmen gjetën një familje 13-anëtarëshe që kishte qëndruar në shtëpi dhe nuk kishte mësyrë Vushtrrinë. E kishin ekzekutuar të tërën.

Qyshk – 14 maj 1999

Në Qyshk ishte ditë me diell 14 maji. Banorët e këtij fshati që ndodhet në periferi të Pejës ishin zgjuar më herët se zakonshëm. Gjumin ua kishin prishur të shtënat e artilerisë së policisë, ushtrisë dhe të grupit paramilitar serb “Çakallët”, por edhe vetë fqinjët e tyre serbë që ishin armatosur.

Disa meshkuj kishin bërë përpjekje për t´u fshehur në një mal me dru të dendur në afërsi të fshatit, por nuk ia kishin dalë. Ishin vrarë derisa orvateshin të arratiseshin, ndërsa shumica e burrave ishin kapur nëpër shtëpitë e tyre. Gratë dhe fëmijët ishin veçuar nga meshkujt, që serbët i kishin ndarë në tri grupe. I kishin ngujuar në tri shtëpi dhe i kishin pushkatuar mizorisht. Pas ekzekutimit të burrave, shtëpive u ishte vënë zjarri, me qëllim të humbjes së gjurmëve të krimit. Megjithëkëtë, nga secili grup i kishte mbijetuar breshërisë së plumbave nga një burrë, sa për ta zbardhur të vërtetën e masakrës që mori 47 jetë shqiptarësh.

Rexhë Kelmendi është midis të mbijetuarve. Ai thuajse çdo ditë kalon afër shtëpisë në të cilën forcat serbe e kishin futur bashkë me tetë bashkëfshatarë të tjerë, nga e cila kishte arritur të dilte vetëm ai gjallë. Thotë se sa herë që kalon aty, ngjarja i kujtohet si të kishte ndodhur dje.

“Kah ora 8 e mëngjesit i kanë tubuar fshatarët, i kanë plaçkitë, ua kanë qit duart mas qafe, i kanë ndarë në tri grupe. Unë jam kanë në një grup me nëntë veta dhe na kanë fut në tri dhoma”, ka rrëfyer Rexha për gazetën. “Fati jem prej krejt të zezave o kanë se njani prej paramilitarëve ma ka gjuajt shkrepësen e ka thanë kalle veten me një perde që u kanë në derë”, vazhdon rrëfimin ai, dhe këtu ndalet. Ndez një cigare, të cilën e thith fort, për të vazhduar tregimin të cilin nuk do ta harrojë kurrë.

Sapo ishte përkulur për ta marrë shkrepësen, kishin krisur rafalët e armëve të zjarrit, të cilat kishin kapur të tetë të tjerët, përveç Rexhës. Sapo kishin pushuar të shtënat dhe kishin dalë serbët nga aty, ai kishte dalë nga një dritare e një shtëpie të pameremetuar, për të mësyrë fushën. Ai tregon se tek pasdite ishte kthyer në fshat, por ajo që kishte gjetur aty, ishin trupat e shumë njerëzve të vrarë e të djegur krejtësisht duke u bërë të paidentifikuar.

“Me i vra e me i zhduk... kjo oshtë ba me paramendim. E kanë ditë se këtu s’ka armatim, pa pikë kasaveti se po i sulmon kush hiç. Kjo me paramendim asht ba”, thotë Rexha, 61 vjeç. Derisa flet, kthen kokën nga një pllakë e madhe mermeri mbi të cilën janë shkruar emrat e 43 të masakruarve të fshatit Qyshk.