Raporti i Bakoyannis

Rikthimi i tensioneve në veri shihet si real

Duke i marrë për bazë përmasat e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, raportuesja për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Baokyannis, ka thënë se rreziku për dhunë dhe tensione të tjera mbetet real. As në Qeverinë e Kosovës nuk i kanë përjashtuar tendencat destabilizuese të Serbisë në këtë fazë, teksa thanë se i kanë ndërmarrë të gjitha masat për ruajtjen e qetësisë në veriun e banuar kryesisht me serbë

Përmasat e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe lidhjet e sulmuesve me Beogradin zyrtar janë përmendur edhe në raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, që u votua të mërkurën në Komisionin për Çështje Politike të Këshillit të Evropës.

Duke iu referuar rastit të shtatorit të shkuar, në raport theksohet se potenciali për dhunë mbetet real dhe se siguria në veriun e Kosovës varet nga tri aspekte themelore - mbrojtja e të drejtave të komunitetit serb, depërshkallëzimi i tensioneve dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Më 24 shtator 2023, një incident i madh sigurie në Banjskë rezultoi me vdekjen e një oficeri të Policisë së Kosovës dhe tre sulmuesve serbë. Serioziteti i këtij sulmi, pasojat dhe lidhjet e sulmuesve me Beogradin dëshmuan mjaftueshëm se rreziku për dhunë të hapur në Kosovë është tepër real dhe se siguria varet nga mbrojtja e të drejtave të komunitetit serb, depërshkallëzimi i tensioneve dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në këtë raport.

Thuhet po ashtu se prejse Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, situata e sigurisë në komunat veriore është përkeqësuar, paralelisht me ngecjet në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Shumë ngjarje kanë kontribuuar në një përshkallëzim serioz të tensioneve duke përfshirë: shpronësimet e tokave; vendimin për zbatimin e detyrueshëm të përdorimit të targave të Kosovës; protestat e dhunshme; dorëheqjet e serbëve të Kosovës nga policia, gjyqësori dhe administrata; zgjedhjet lokale të cilat prodhuan legjitimitet të kontestuar; përdorimin e njësive speciale nga autoritetet e Kosovës të detyrave që kryhen nga policia e rregullt dhe zbatimin e vendimit për futjen e euros për transaksionet financiare”, thuhet në raport.

Në Qeveri nuk i përjashtuan tendencat e Serbisë për destabilizim në këtë periudhë, por shtuan se i kanë ndërmarrë masat e nevojshme që situata në veri të mos përshkallëzojë.

“Sa herë që ka pasur tensione në veri të vendit, ato janë shkaktuar nën udhëzimin e Serbisë e deri në përfshirjen direkte të saj. Institucionet e sigurisë janë dhe do të vazhdojnë të jenë në krye të detyrës për të parandaluar dhe për të përballuar me çdo situatës që paraqet shqetësim për sigurinë e qytetarëve tanë. Serbia paraqet kërcënim të vazhdueshëm për Kosovën për aq koha sa ajo nuk distancohet nga e kaluara e saj, mban lidhje të ngushta me Rusinë dhe ndan qëndrimin se nuk respekton integritetin territorial të Kosovë. Për më tepër, në kohët e fundit ne kemi parë që Serbia në koordinim me Republikën Serbe në Bosnjë- Hercegovinë ka ngritur tensionin edhe në këtë shtet, si formë e shantazhit ndaj komunitetit ndërkombëtar dhe si formë e kërcënimit për të gjitha shtetet e rajonit”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

E njohësi i sigurisë, Fatmir Çollaku, nuk e ka përjashtuar mundësinë që Serbia të nxisë tensione të reja.

“Tashmë është e ditur publikisht meqë edhe drejtori i Policisë së Kosovës paralajmëroi se janë duke u përgatitur disa grupe kriminale të cilat mund të sfidojnë sigurinë dhe rendin juridik të Republikës së Kosovës. Pra, është e mundshme që të sfidohemi seriozisht përmes këtyre grupeve por sa do të jetë efekti ose pasojat që ato shkaktojnë nëse depërtojnë në Republikën e Kosovës, në kuptimin e interferimit të vendimmarrjes për anëtarësimin  e Kosovës në Këshillin e Evropës, por unë mendoj se nuk kanë ndikim”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se Qeveria duhet të tregohet e kujdesshme në pritje të dy votimeve të radhës në Këshillin e Evropës.

“Republika e Kosovës veçanërisht duhet të ketë kujdes në këtë fazë, në kuptimin e shmangies së çfarëdo ngjarje apo procesi që mund të akceptohet nga serbët lokalë dhe aq më tepër nga Serbia si provokim në atë pjesë të vendit, pra provokim i sigurisë së serbëve, mirëqenies së serbëve. Pra, duhet të shmangen në çfarëdo forme ose mënyre, veprimet që nxisin trazira”, ka thënë Çollaku.

Para votimit tre udhëheqësit institucionalë i dërguan letër raportueses Bakoyannis, ku ndër të tjera u zotuan që të përmbahen nga përdorimi i policisë speciale dhe për marrjen e masave urgjente për ta promovuar riintegrimin e serbëve të Kosovës.