Kosova dhe Serbia do t’u rikthehen diskutimeve në kuadër të dialogut teknike, ku shumë prej marrëveshjeve të arritura ende nuk kanë gjetur zbatim. Derisa në Qeverinë e Kosovës thonë se janë në përgatitje të temave, Bashkimi Evropian ka përkujtuar detyrimin që të përmbushen obligimet e marra më herët, përfshirë marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe
Diskutimi për marrëveshjet e arritura më herët në kuadër të dialogut dhe shkalla e zbatimit të tyre do t’i paraprijë takimit të korrikut mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq. Në një takim mes zëvendëskryeministrit për dialog, Besnik Bislimi dhe palës serbe, të paralajmëruar për të martën dhe mërkurën, do të diskutohet për shkallën e zbatimit të marrëveshjeve të deritashme. Në kabinetin e Bislimit nuk kanë treguar për marrëveshjet që planifikojnë t’i diskutojnë, duke thënë se ende janë në përgatitje të tyre.
Insistimi i palës serbe që të diskutohet për Asociacionin, i kishte dështuar disa herë takimet e këtij niveli në qeveritë paraprake. Nuk është zbatuar as marrëveshja për hapjen e Urës mbi Ibër, ajo për energjinë dhe për diplomat.
Ndërkaq për ekzekutivin e tashëm, bazë për dialogun janë katër propozimet e Kurtit në takimin e 15 qershorit. Kryeministri në disa raste ka përjashtuar mundësinë e themelimit të një Asociacioni etnik.
Por, Bashkimi Evropian nuk ka ndryshuar qëndrim rreth këtij mekanizmi, teksa kanë përkujtuar obligimet që ka Kosova.
“Qëndrimi i BE-së Asociacionin/Bashkësinë e komunave Serbe është shumë i njohur deri tani dhe i pandryshuar. Në vitin 2013 Kosova hyri në një marrëveshje për krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave Serbe. Kjo marrëveshje u përfundua me mirëbesim nga të gjitha palët e përfshira. Asnjëherë nuk është anuluar. Në fakt, marrëveshja e vitit 2013 u ratifikua nga Kuvendi me shumicën e 2/3. Duke vepruar kështu, Kosova ndërmori një detyrim ndërkombëtar për ta zbatuar këtë marrëveshje. Kosovës i mbetet ta propozojë rrugën përpara për ta zbatuar marrëveshjen”, thuhet në përgjigjën e Zyrës për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë.
Nën mandatin e Lajçakut është mbajtur një takim i nivelit të lartë politik mes kryeministrit të Kosovës, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Gjatë qeverisjes së kaluar janë mbajtur edhe disa takime në nivel të grupeve teknike ku, siç është thënë, ka dakordim për çështjen e të pagjeturve. Por asnjëherë nuk janë zbardhur detajet e marrëveshjes, me arsyen se edhe ajo do të jetë pjesë e marrëveshjes finale.
Në vizitën e fundit në Prishtinë dhe Beograd vitin e kaluar, Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak, e kishte bërë qartë se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve pa zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin.
Madje reagime të forta pati shkaktuar deklarata e tij dhënë nga Beogradi se Kosova duhet ta ndryshojë Kushtetutën për llogari të Asociacionit. Më pas, zyra e Lajçakut u sqarua duke thënë se marrëveshjet ndërkombëtare implikojnë për të dyja vendet ndryshime ligjore dhe kushtetuese.
Faqet zyrtare të Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë kanë qenë platformat e vetme ku janë publikuar disa prej marrëveshjeve.
Dokumenti i fundit në faqen e kryeministrisë është ai i datës 6 korrik 2017. Aty përshkruhet gjendja në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, për të cilat nuk ka një shifër të saktë.
Kosova dialogon me Serbinë prej vitit 2011 dhe janë rreth 33 marrëveshje. Por shumë prej tyre ende nuk kanë gjetur zbatim në terren, përfshirë atë për lëvizjen e lirë në veri dhe hapjen e urës mbi lumin Ibër. Problem ka dalë edhe përcaktimi i kufirit administrativ mes Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut, që është pjesë e pakos së marrëveshjes për lëvizjen e lirë. Edhe pse me Ligjin për kufijtë administrativë, Suhodolli i përshkruhet Mitrovicës Jugore, udhëheqja komunale e veriut pretendon se kjo lagje duhet tu takojë atyre.
Edhe në fushën e arsimit Serbia nuk ka treguar gatishmëri për të ndihmuar studentët, përmes zbatimit të marrëveshjes për pranimin reciprok të diplomave midis dy shteteve. Që nga viti 2011, kur u arrit kjo marrëveshje dhe më vonë u zgjerua në janar të vitit 2016, ajo kurrë nuk është zbatuar nga Serbia.
Reciprociteti ka munguar edhe në zbatimin e marrëveshjes për targat. Derisa Serbia i ka detyruar kosovarët të përdorin targa të përkohshme, Kosova deri tani nuk e ka aplikuar një masë të tillë.
Kurti pati paralajmëruar me herët një rishikim të plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani, me qëllim të analizimit të shkallës së zbatimit të tyre nga ana e Serbisë, dhe siç thuhej, në bashkëpunim me BE-në, të shtrohen këto çështje në tavolinën e dialogut.
Marrë parasysh qëndrimet e palëve, pritjet janë të vogla për dakordim edhe në takimin e korrikut mes Kurtit dhe Vuçiqit. Në mungesë të strategjie dhe një dialogu të brendshëm, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile mbeten të paqarta synimet e qeverisë në këtë proces.
“Para se të kthehemi në dialog, të nisim dialogun brenda vendit. Ky dialog duhet të bëhet nga shumica, duke krijuar një platformë kombëtare, t’i kemi të qarta prioritetet edhe ne mund ta shtyjmë përpara një agjendë. Përderisa brenda vendit kemi qëndrime të ndryshme pozitën do ta kemi më të dobët. Prandaj sa më parë të fillojë hartimi i strategjisë së dialogut”, ka thënë Emir Abrashi nga Instituti “Demokraci Plus”. Ai ka shtuar se nuk mjafton një takim i Kurtit me opozitën për arritjen e konsensusit dhe se përpjekja duhet të vazhdojë. Ai ka folur edhe për domosdoshmërinë e angazhimit të shoqërisë civile në këtë proces.
“Duhet debat shterues. Kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ia pamundëson opozitës dhe shoqërisë civile të jenë pjesë e delegacionit por mund të angazhohen në nivel të ekspertëve. Para se të shkojë në Bruksel, kryeministri duhet ta shtrojë terrenin brenda vendit. Por nuk pres lëvizje në takimin e radhës marrë parasysh intensitetin e veprimeve brenda vendit”, ka theksuar ai.
Për dialogun është diskutuar gjatë fundjavës në margjinat e Forumit të Prespës në Maqedoninë e Veriut.
Kurti dhe ministrja Gërvalla kanë takuar të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, Ndihmëssekretarin e shtetit të ShBA-së për Evropë dhe Euroazi, Philip Reeker si dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.
Sipas njoftimit të qeverisë, aty Kurti propozoi marrëveshje mes vendeve të Ballkanit Perëndimor të tillë çfarë e kanë Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni për të përparuar drejt integrimit në BE.
Ndërkaq, në takimin e fundit në Bruksel, Kurti propozoi që Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë një marrëveshje të paqes; pas njohjes së ndërsjellë të ndodhë reciprociteti bilateral; ndërkaq për çështjen e të pagjeturve Kurti ka kërkuar që të largohet Veljko Odaloviq.