Arbëri

Rikonstruktimi i rrjetit elektrik në pjesën malore të Rugovës nis në pranverë

“Në konsultim me Komunën e Pejës dhe KEDS-in, punimet në segmentin Drelaj-Kuqishtë pritet të fillojnë me përmirësimin e kohës, meqenëse veç jemi duke hyrë në sezonin dimëror dhe nuk mund të punohet për shkak të kushteve atmosferike”, ka thënë për KOHËN Kreshnik Muriqi, pronar i kompanisë së kontraktuar nga Komuna e Pejës për realizimin e projektit të bashkëfinancuar me KEDS-in, për rikonstruktimin e rrjetit të ndërtuar afro 40 vjet më parë

Këtë vjeshtë është pritur të nisin punimet në terrenin malor të Rugovës për rikonstruktimin e rrjetit të vjetërsuar elektrik, i cili është ndërtuar në fillim të viteve ‘80, kur treva e Rugovës është elektrifikuar për herë të parë. Por këto punime nuk do të nisin deri në pranverë.

“Punimet kanë filluar poshtë në Pejë, në një segment të vogël, që është pjesë e projektit. Në konsultim me Komunën e Pejës dhe KEDS-in, punimet në segmentin Drelaj-Kuqishtë pritet të fillojnë me përmirësimin e kohës, meqenëse veç jemi duke hyrë në sezonin dimëror dhe nuk mund të punohet për shkak të kushteve atmosferike”, ka treguar për KOHËN arsyet e shtyrjes së nisjes së punimeve Kreshnik Muriqi, pronar i kompanisë “BK-Construction Sh.P.K.”. Kjo kompani është kontraktuar nga Komuna e Pejës për realizimin e këtij projekti, realizimi i së cilës zgjat dy vjet.

Banorët e Rugovës kanë probleme të vazhdueshme me furnizim të rrymës elektrike dhe ka disa vjet që presin që kësaj t’i jepet zgjidhje. Punimet janë zvarritur edhe për faktin se pas ankesës së një operatori konkurrues në këtë tender lënda kishte përfunduar në fillim të muajit shtator në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP) dhe në mungesë të Bordit janë shtyrë edhe procedurat e trajtimit të ankesave dhe sjelljeve të vendimeve për këtë lëndë. “Ankesa e veçmas mosfunksionimi i OShP-së ka ndikuar në shtyrje të punimeve”, thotë Muriqi.

Ky tender ishte shpallur nga Autoriteti Kontraktues – Komuna e Pejës, në fillim të muajit qershor, me vlerën e parashikuar të kontratës prej 1 milion e 58 mijë e 997 eurosh. Pas hapjes së tenderëve Autoriteti Kontraktues kishte propozuar për fitues grupin e operatorëve ekonomikë që kanë bashkëkonkurruar “BK-Construktion Sh.P.K., Berisha COM Sh.P.K. dhe Ilir Lajçi B.I.”, që kishte ofertën më të ulët, në vlerë prej 685 mijë e 605 eurosh. Mirëpo, njëri prej pesë operatorëve të tjerë që kishin konkurruar në këtë tender dhe kishte ofertën e dytë me radhë më të ulët në vlerë prej 717 mijë e 412 eurosh, në fund të muajit gusht ishte ankuar në Zyrën e Prokurimit të Komunës së Pejës dhe kishte kërkuar rishqyrtimin e vendimit. Meqë ankesa i ishte refuzuar, operatori i është drejtuar OShP-së me pretendimet se Autoriteti Kontraktues ka shpërblyer me kontratë operatorin ekonomik të papërgjegjshëm.

Nga fillimi i shtatorit lënda ka mbetur në OShP për shkak të mungesës së emërimit të Bordit të ri të OShP-së, pasi panelit paraprak shqyrtues i kishte skaduar mandati në fund të muajit mars. Ndërkohë eksperti shqyrtues në OShP kishte bërë një ekspertizë të ankesës dhe më 20 shtator kishte rekomanduar qe ky aktivitet i prokurimit të kthehet në rivlerësim.

“Palët në procedurë, në mungesë të panelit shqyrtues nuk kanë pranuar një vendim nga paneli shqyrtues i OSHP-së e që proceduralisht, sipas Ligjit për prokurim publik, është dashur që palët të pranojnë një vendim për veprime të mëtutjeshme” , thuhet në raportin e ekspertit shqyrtues të publikuar në faqen e OShP-së.

Duke u bazuar në raportin e vlerësimit, komisioni vlerësues kishte konstatuar se operatori ankues dhe ai i propozuar për kontratë janë operatorë të përgjegjshëm.

Ndërkohë Zyra e Prokurimit ka pritur përgjigje nga Paneli Shqyrtues, e cila nuk u ka shkuar pasi ende OShP është pa atë panel që duhet zgjedhur nga Qeveria dhe të miratohet nga Kuvendi i Kosovës. Por, siç thonë në Zyrën e Prokurimit, sipas Ligjit të prokurimit, më 18 tetor kishin kaluar afatet ligjore për ankesa dhe trajtim të kësaj lënde dhe Autoriteti Kontraktues kishte vendosur që në fillim të muajit nëntor të lidhë kontratë me operatorin e përzgjedhur.

“Muajin e kaluar e kemi nënshkruar kontratën me operatorin e propozuar, sepse kishte skaduar afati ligjor i ankesave dhe trajtimit të lëndës në OShP. Njëjtë po veprojnë të gjitha komunat pasi po kalojnë afatet ligjore, sepse nuk mund të presim derisa OShP të bëhet me bord të ri”, ka treguar arsyen e nënshkrimit të kontratës ish-menaxheri i Zyrës së Prokurimit, Xhemë Berisha, i cili ndërkohë ka dalë në pension shkaku i moshës.

Pas lidhjes së kontratës, i njëjti operator ekonomik është ankuar sërish në OShP me pretendimet se Autoriteti Kontraktues e ka nënshkruar kontratën me operatorin e përzgjedhur ekonomik, duke mos respektuar procedurat dhe afatet ligjore të parapara në Ligjin për prokurim publik. Eksperti shqyrtues në OShP në raportin e tij ka sqaruar se kjo çështje i takon panelit shqyrtues të OShP-së.

“Eksperti shqyrtues i ka propozuar panelit shqyrtues që ankesa e operatorit ankues tё aprovohet si e bazuar, ndёrsa vendimi i Autoritetit Kontraktues për nënshkrim të kontratës është në kompetencë të panelit shqyrtues. Prandaj, eksperti shqyrtues vlerëson se kjo çështje është në diskrecion të panelit shqyrtues”, thuhet në raportin e ekspertit shqyrtues të publikuar në faqen zyrtare të OShP-së.

Meqenëse tash, siç thotë ish-menaxheri i Zyrës së Prokurimit në Pejë, Xhemë Berisha, veç është nënshkruar kontrata me operatorin e përzgjedhur dhe afatet ligjore për ankesa dhe trajtimit të lëndës në OShP kishin kaluar, paneli shqyrtues i OShP-së pasi të formohet nuk ka mundësi të ndikojë më në këtë kontratë.

“OShP nuk ka se çka të ndikojë më. Lëndët që veç janë lidhur kontratat, paneli nuk mund t’i kthejë në rishqyrtim. Operatori i kontraktuar mund të nisë punimet. Kurse operatorit ankues i mbetet gjykata nëse do të ankohet për kompensim të fitimit të humbur, sa ai mendon që do të kishte fituar nga ky tender. Nëse gjykata ia aprovon, atëherë Autoriteti Kontraktues-Komuna e Pejës duhet me ia kompensuar. E nëse ankesa i refuzohet nga gjykata, atëherë s’ka asgjë”, tregon Berisha procedurat e tjera të mundshme.

Treva e Rugovës është elektrifikuar në vitin 1983 dhe që atëherë rrjeti është vjetërsuar dhe amortizuar aq shumë saqë nuk u përballon më erës, borës e as shiut. KEDS-i ka intervenuar kohë pas kohe në sanimin e rrjetit të vjetruar elektrik, por, sipas banorëve, ato janë të pamjaftueshme për të përmirësuar gjendjen e rëndë me furnizim të rrymës. Megjithëse nuk është kompetencë të saj për të intervenuar në sanimin e këtij rrjeti, Komuna e Pejës kishte vendosur të ndante mjete për bashkëfinancim me KEDS-in, bazuar në marrëveshjen mes tyre. Sipas drejtorit komunal të Financave, Jeton Abazaj, gjysma e projektit financohet nga Komuna e gjysma nga KEDS-i, derisa Komuna e ka bërë tenderimin e projektit.

Me këtë marrëveshje parashihet ndërtimi i 83 kilometrave largpërçues, prej të cilave 20 kilometra largpërçues nëntokësor dhe pjesa tjetër e largpërçuesve parashihet të vendosen buzë rrugëve kryesore për mirëmbajtje më të lehtë gjatë sezonit dimëror.

“Zgjidhja afatgjate për Rugovën është ndërtimi i trasesë së re të rrjetit buzë rruge”, ka thënë për KOHËN zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.