Në rigjykimin për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, aktualisht ministër në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca është deklaruar i pafajshëm.
“Deklarohem i pafajshëm dhe nuk kam kurrfarë komenti shtesë”, deklaroi Konjufca.
Pasi gjyqtarja Edita Çanta e pyeti nëse po mbrohet në heshtje, i akuzuari e pohoi.
Prokurori Dardan Çela gjatë fjalës hyrëse deklaroi se do të vërtetohet fajësia e të akuzuarit Glauk Konjufca, tani ministër në detyrë i punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Kurse, mbrojtësja e Konjufcës, avokatja Arbnora Zeqiri ka thënë se veprimet e të mbrojturit të saj ishin në kontekst politik dhe se ai veprim nuk përbën vepër penale.
Edhe
Apeli e kthen në rigjykim rastin ndaj Konjufcës për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend
Prokurori Çela tha se mbetet pranë aktakuzës me provat personale dhe materiale të cilat janë propozuar në aktakuzë dhe janë shtjelluar në Gjykatë në gjykimin e parë.
“Jemi të bindur se në fund të shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet fajësia e të pandehurit ashtu siç e ngarkon dispozitivi 1 i aktakuzës”, deklaroi Çela.
Kurse mbrojtësja e Konjufcës, avokatja Arbnora Zeqiri në fjalën e saj hyrëse, tha se i akuzuari nuk kërkon privilegj për shkak të pozitës së tij, përkundrazi pozita e tij nuk duhet ta rëndojë apo lehtësojë standardin e një gjykimi të drejtë, të paanshëm dhe në kohë të arsyeshme.
Sipas saj, nga viti 2016 e deri më sot janë zhvilluar më shumë se 15 seanca gjyqësore dhe se çështja penale tashmë ndodhet në rigjykim.
“10 vite janë një periudhë jashtëzakonisht e gjatë për një person që vazhdon të jetë në barrën e një akuze”, deklaroi Zeqiri.
Avokatja ka thënë se e drejta për një gjykim të drejtë brenda një periudhe të një arsyeshme nuk është një formalitet por parim bazë në një shtet të së drejtës.
“Viti 2016 ishte një periudhë e tensionuar politike dhe institucionale në Republikën e Kosovës. Incidentet të quajtura me gaz lotsjellës në Kuvend ndodhën në kuadër të kundërshtimit të atëhershëm të opozitës ndaj ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Ky është konteksti politik në të cilin duhet të kuptohen veprimet e asaj kohe”, deklaroi Zeqiri.
Avokatja e Konjufcës tha se mbrojtja vlerëson që një veprim politik nuk mund të shkëputet nga kauza, motivi dhe qëllimi që e kanë nxitur.
Edhe
Sveçla paraqitet në Gjykatë për rastin e gazit lotsjellës
“Por jo çdo marrëveshje politike është pakundërshtueshme dhe po ashtu jo çdo veprim i ndërmarrë për ta kundërshtuar atë, përbën qëllim kriminal dhe vepër penale”, ka thënë avokatja.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 26 shkurt 2024 ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Konjufcës, me arsyetimin se nuk është provuar se ka kryer veprën që i vihej në barrë “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Kurse, për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” për të cilën ka arritur parashkrimi, u refuzua akuza.
Por, Gjykata e Apelit prishi vendimin e Themelores dhe ktheu rastin në rigjykim.
Ndryshe, në seancën e 25 tetorit 2023, gjykatësja Edita Çanta tha se Konjufcës i është parashkruar vepra penale “Pengim i pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, të cilin e ngarkon me dy vepra penale.
Sipas aktakuzës, Konjufca akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, i njëjti në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.
Shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë rast do të bëhet me 28 gusht në ora 13:00.
Edhe
Të akuzuarit për gazin lotsjellës në Kuvend me kritika për prokurorinë: “Ishte e kapur në atë kohë”
Kështu bëri të ditur gjyqtarja e rastit Edita Çanta.
Prokurori Dardan Celaj ka kërkuar nga gjykata që i pandehuri Glauk Konjufca të shpallet fajtor dhe të dënohet për veprën penale për të cilën akuzohet, ndërsa mbrojtja ka kërkuar aktgjykim lirues. /BetimipërDrejtësi