Arbëri

Rifillon procesi për rastin Medicus, veçohet nga procedura Arban Dervishi

Ka nisur shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarve në rastin Medicus. Rasti ndaj Lutfi Dervishit, Arban Dervishit dhe Sokol Hajdinit është kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme, raporton KTV.

Por, Arban Dervishi që vazhdon të jetë në arrati tash e një vit, nuk është paraqitur në seancë.

"Nuk kam kontakt me të që nga marsi i 2016-es. As nuk më ka kontaktuar e as unë nuk kam bërë përpjekje ta kontaktoj. Kam parashtruar një kërkesë që atij t'i mundësohet prania në këtë seancë fillestare pa pengim, por nuk kam kontaktuar me të. Por nga familjarët kam kuptuar se ai është i interesuar të marrë pjesë në gjykim si i pandehur dhe kjo është kërkuar të bëhet përmes dorëzanisë ose arrestit shtëpiak", ka thënë Petrit Dushi që është avokat i Arban Dervishit.

Trupi gjykues nuk ka marrë parasysh këtë dhe ka veçuar procedurën ndaj Arban Dervishit.

Në seancë janë dy të akuzuarit tjerë përfshirëi Lutfi Dervishin, i cili është në paraburgim sepse edhe ai ishte arrestuar meqenëse kishte qenë në arrati.

Gjykimi po vazhdon me lexim të aktakuzës dhe deklarim të të pandehurve për të. Ata akuzohen për trafikim me qenie njerëzore, krim të organizuar dhe lëndim të rëndë trupor.