Arbëri

Rifillojnë punimet në Shkollën e Mesme të Arteve Pamore në Gjilan

Kanë rifilluar punimet në objektin e Shkollës së Mesme së Arteve Pamore.

Punimet në këtë objekt ishin ndërprerë para disa viteve gjersa Ministria e Arsimit, e cila financon këtë projekt, nuk kishte dhënë asnjë sqarim për arsyet e mosvazhdimit të punimeve.

Nga drejtoria komunale e Arsimit janë shprehur të kënaqur me zhbllokimin e punimeve. Drejtori Nazim Gagica deklaroi se ka inspektuar punimet dhe se është i sigurt se vitin e ardhshëm nxënësit e shkollës së arteve pamore do të vendosen në objektin e ri.

“Tash ajo shkollë pas 12 viteve po bëhet realitet. Është duke u punuar me dinamikë të madhe dhe në bazë të vizitave që kemi bërë dhe në bazë të asaj çfarë na është thënë nga operatori, kjo shkollë do të jetë gati në vitin 2021 për nxënësit”, ka thënë ai.

I kënaqur me rifillimin e punimeve është shprehur edhe drejtori i shkollës së arteve pamore, Roland Masurica. Ai thotë se ka vizituar disa herë këtë objekt ku edhe ka parë nga afër punimet.

“Këtë radhe e kanë seriozisht dhe janë duke u zhvilluar punimet në izolim e në vendosjen e dritareve dhe punime tjera brenda objektit. Po shohim se operatori është serioz dhe jemi të kënaqur. Besoj që vitin e ardhshëm do të jemi në shkollën e re”, ka thënë ai.