Arbëri

Riakreditohen programet e Bujqësisë që u rekomanduan të refuzohen

Akreditimi edhe për një vit i programeve është bërë në mbledhjen e 12 gushtit të KSHC-së, në të cilën janë shqyrtuar raportet e ekspertëve ndërkombëtarë. Ekipi prej gjashtë ekspertëve, i cili pati zhvilluar vizita në fakultete për të parë nëse ato i përmbushin kushtet për akreditim, ka konstatuar se infrastruktura në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë është në gjendje kritike. Në raportet e ekipit është thënë se Fakulteti i përmbush gjashtë prej shtatë standardeve të kërkuara

Shtatë programe studimore në kuadër të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë në Universitetin e Prishtinës (UP) janë riakredituar nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC), ani se për to një ekip i ekspertëve ndërkombëtarë ka dhënë rekomandim që të mos u vazhdohen akreditimet.

Riakeditimi është bërë në mbledhjen e 12 gushtit të KSHC-së, në të cilën janë shqyrtuar raportet e ekspertëve ndërkombëtarë. Ekipi prej gjashtë ekspertëve, i cili pati zhvilluar vizita në fakultete për të parë nëse ato i përmbushin kushtet për akreditim, ka konstatuar se infrastruktura në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë është në gjendje kritike. Në raportet e ekipit është thënë se Fakulteti i përmbush gjashtë prej shtatë standardeve të kërkuara. 

Në KSHC kanë thënë për KOHËN se Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë ka paraqitur ankesë te Komisioni i Ankesave për këtë çështje dhe se komisioni e ka konstatuar të bazuar ankesën e saj, duke e kthyer rastin në rishqyrtim në KSHC. E në këtë instancë kanë vendosur që të jepet akreditim njëvjeçar, pasi që programet e fakultetit janë në fushën e interesit nacional. 

“KSHC-ja e ka shqyrtuar rekomandimin e Komisionit të Ankesave dhe, duke u bazuar në Ligjin për AKA, neni 22, pika 9, i cili thotë se ‘KSHC merr vendim përfundimtar lidhur me lëndën e caktuar’, sikur dhe mbi dëshminë se fusha e bujqësisë është një nga prioritetet nacionale (siç kërkon Ligji), ka vendosur për akreditim njëvjeçar të programeve të bujqësisë në UP”, është thënë në përgjigjen e KSHC-së. 

E këtë, ish-zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, e ka vlerësuar si mundësi për UP-në që të punojë në zhvillimin e infrastrukturës ndërsa ka thënë që KSHC-ja nuk duhet ta bëjë praktikë kundërshtimin e raporteve të ekspertëve. 

“Është një problem këtu tash që Këshilli Shtetëror i Cilësisë duhet të ketë kujdes që të mos bëjë përjashtime të tilla të kundërshtimit të rekomandimit të ekspertit të jashtëm, sepse një përjashtim i tillë mund të shndërrohet në paradigmë, në mënyrë të sjelljes dhe kjo do ta dëmtonte rëndë tërë procesin e akreditimit. Pra, uroj që KSHC-ja të ketë një arsyetim të fortë për vendimin e vet për akreditim të përkohshëm”, ka thënë ai. 

Objekti i ri për Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, i nisur para 11 vjetësh, nuk është funksionalizuar pasi që është ndërtuar duke mos i respektuar kushtet teknike për distancën prej së paku 7 metrash nga largpërçuesi me tension të lartë.

KOHA pati raportuar vitin e kaluar se UP-ja ka arritur një marrëveshje me KOSTT-in, që për t’u kyçur në rrjetin elektrik të ndërhyhet në arkitekturën e objektit. Sipas marrëveshjes, pllaka e jashtme e katit të tretë është paraparë të largohet për të arritur standardin teknik. Por një intervenim i tillë nuk është realizuar.

“Më konkretisht, është propozuar që objekti në katin 3, konkretisht pllaka e katit 3 dhe pllaka e kulmit të cilat janë nga betoni i armuar duhet të priten dhe atë deri tek elementet vertikale dhe horizontale të konstruksionit”, shkruan në dokumentin e nënshkruar më 10 mars të vitit të kaluar.

Sipas raportit teknik, distanca momentale ndërmjet katit përdhes dhe kateve një, dy dhe tre është 6.79 metra dhe 5.63 metra. Largimi i largpërçuesit, i cili është cilësuar se përbën rrezik për jetën e njerëzve, nuk është opsion në këtë marrëveshje.