Arbëri

Rezulton i sigurt për përdorim kontrasti nga Kina që u shkaktoi reaksione pacientëve

Spital - QKUK

Kontrasti për procedura të ndryshme imazherike me origjinë nga Kina ka rezultuar të jetë i sigurt për përdorim dhe i është hequr masa e pezullimit, ka njoftuar Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës. 

Ky kontrast ishte pezulluar prej dy muajsh, pas paraqitjes së reaksioneve alergjike te disa pacientë. 

“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), njofton opinionin publik se produkti medicinal IOHEXOL 350 mg/ml (kontrast jo-jonik), i cili përdoret për qëllime diagnostike në imazheri, është konfirmuar si i sigurtë për përdorim dhe i është hequr masa e pezullimit. Vendimi është marrë bazuar në rezultatet përfundimtare të analizave laboratorike të kryera nga një Laborator për Kontroll dhe Cilësi jashtë vendit, si dhe në raportin e dërguar nga Departamenti i Farmakovigjilencës në Agjencinë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM)”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së. 

Inspektoriati Farmaceutik ka konstatuar se produkti plotëson standardet e sigurisë dhe cilësisë për përdorim mjekësor.