Zgjedhjet e së dielës për kryetar të Podujevës kanë treguar shembjen e një prej dy bastioneve të fundit që i kishin mbetur Lidhjes Demokratike (LDK). Nexhmi Rudari, kandidat i kësaj partie, arriti të sigurojë vetëm 35.9 për qind të votave, ndërsa Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) mbërriti të kalojë pa balotazh, duke siguruar 51.6 të votave, raporton KOHA.
Pas kësaj humbjeje, LDK-së i mbetet vetëm edhe një komunë në të cilën nuk ka përjetuar ndonjëherë humbje – Istogu, vendlindja e liderit të saj historik, Ibrahim Rugova.
Gara në Podujevë është parë më shumë si betejë e nivelit qendror, meqë pas zhvillimeve të marsit kjo komunë përbënte arenën ideale të përballjes së Albin Kurtit me Agim Veliun.
Albert Krasniqi nga organizata “D Plus” ka vërejtur se elektorati është duke lëvizur dukshëm.
“Më shumë ka qenë garë për nivelin qendror dhe për projeksionin që mund të shihet në rezultatin e partive politike në nivel të përgjithshëm, shto këtu faktin që LDK-ja e ka pasur si bastion Komunën e Podujevës dhe humbja me një rezultat shumë të keq në komunë është një mesazh se ka një lëvizje të elektoratit dhe LDK-ja duhet ta marrë seriozisht këtë mesazh”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka konsideruar se rezultati i Podujevës është tregues se LVV-ja është shumë para partive të tjera.
“Jemi duke kaluar nëpër cikle të ndryshimit të partive politike. Ka qenë ai i z. Rugova. Ka ardhur ai i z. Thaçi. Tani është i z. Kurti. Dhe, aq më gjatë që Lëvizja Vetëvendosje do të jetë në opozitë, vetëm sa do të mund të forcohet më tutje”, ka thënë ai. “Është një ngritje e domosdoshme për Lëvizjen Vetëvendosje që të vijë në pushtet, për ta pasur një rënie pastaj të nevojshme, për të rënë në atë fuqinë elektorale”.
Kryetari i ri i Podujevës është edhe deputet, dhe nga foltorja e Kuvendit të hënën ka falënderuar llapjanët për votën. Aty ka thumbuar ministrin e Infrastrukturës për projektet e realizuara gjatë fushatës, e që nuk i janë kthyer LDK-së në votë.
“Nuk bën që ta harrojmë edhe angazhimin maksimal, sidomos të ministrit Abrashi, i cili gjatë kësaj periudhe kohore përmes asfalteve të ndryshme me ato dy centimetra të asfaltit ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe e ka ndihmu relativisht shumë punën e institucioneve lokale për nesër”, ka thënë Bulliqi.
LDK-ja e ka pranuar humbjen e bastionit. Por në këtë parti fajin e kanë adresuar në nivelin lokal.
Të hënën kryetari Isa Mustafa i ka pritur në një takim kryeministrin Avdullah Hoti dhe anëtarët e grupit parlamentar të partisë që e drejton. Pas takimit është komunikuar se është biseduar vetëm për Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, të cilin koalicioni qeverisës nuk ka mundur ta kalojë deri tash në Kuvend, shkaku i mungesës së votave.
Arben Gashi, kryetar i Grupit parlamentar të LDK-së, ka folur edhe për humbjen në Podujevë.
“Si duket, në proces ka ndodhur një shkëputje me elektoratin dhe do të shofim ku janë problemet dhe këto probleme do të eliminohen”, ka thënë ai. “Ajo çka mund të themi në këtë situatë është se kemi një rezultat zgjedhor i cili është konfirmu dhe për të cilin ne do të marrim përgjegjësitë tona gjithsecili nga këndvështrimi i vet dhe nga hapësira publike dhe politike që e ka”.
E, Albert Krasniqi ka konsideruar se rezultati i Podujevës nuk përbën problem lokal dhe se parashikimi që ka dhënë është se LDK-ja nuk mund të këndellet pa u adresuar përgjegjësia në lidershipin e saj.
“Nuk do të mjaftojnë vetëm disa emërime simbolike, por duhet të jetë prej kokës, prej kryetarit, prej Kryesisë së partisë e më tej”, ka thënë Krasniqi. “Këto figura që janë për kohë të gjatë në këtë subjekt politik duhet të zëvendësohen me njerëz të cilët kanë një popullaritet më të madh, sidomos në mesin e votuesve të rinj”.
Në Podujevë janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme për kryetar komune, meqë pozita kishte mbetur vakante që nga fillimi i shkurtit, kur Agim Veliu ishte bërë ministër i Brendshëm në Qeverinë që drejtohej nga Albin Kurti. Pas gjashtë javësh në këtë detyrë, Veliu u shkarkua. Kjo u bë sebep që LDK-ja të dalë nga Qeveria dhe me partitë opozitare ta rrëzojnë qeverinë e Vetëvendosjes. E me zgjedhjet në Podujevë, LDK-ja humbi bastionin që e kishte prej 20 vjetësh.
Derisa vëzhguesit e zhvillimeve politike thonë se rezultatet në Podujevë tregojnë që elektorati është duke lëvizur dukshëm, LDK-ja e ka pranuar humbjen e bastionit, por fajin e kanë adresuar në nivelin lokal