Deklarata e kryeministrit Kurti se gjykatës dhe prokurorë janë në mbёshtetje tё krimit, ka reaguar KPK-ja. Sipas këtij institucioni, sulmi e linçimi i prokurorëve përbën shkelje të patolerueshme. Paraprakisht, ndaj akuzave të kryeministrit e ministrave ka reaguar edhe Shoqata e Prokurorëve, sipas së cilës me to po vihen në rrezik serioz edhe hetimet
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe një numër ministrash për ndërhyrje e gjuhë linçuese ndaj prokurorëve, pas arrestimit që një ditë më parë iu bë dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, dhe Tregtisë (MINT) dhe një afaristi. Këshilli ka theksuar në reagim se sulmi e linçimi i prokurorëve përbën shkelje të patolerueshme.
Të premten mbrëma kryeministri Kurti në një videoadresim akuzoi gjykatës e prokurorë për mbështetje të krimit.
“Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, e gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbёshtetje tё krimit. Edhe pse tё paktё nё numёr, pёrfitimet e tyre kanё qenё shumëmilionёshe, andaj edhe nuk kanё se si tё mos ndihen humbës tё mëdhenj”, ka thënë kryeministri.
E, në reagimin e KPK-së është thënë se deklaratat janë bazuar në paragjykime dhe hamendësime, “duke tentuar të godasë sistemin prokurorial në çdo mënyrë dhe në çdo rast”.
“KPK-ja u bën thirrje kryeministrit dhe ministrave të kabinetit të tij qeveritar që të përmbahen nga deklaratat e vazhdueshme shantazhuese dhe rrjedhimisht nënçmuese, ndaj sistemit prokurorial të Kosovës në përgjithësi dhe ndaj punës së prokurorëve në veçanti, duke tentuar të linçojnë publikisht çdo gjë që ka të bëjë me sistemin prokurorial dhe punën e prokurorëve të shtetit”, thuhet në reagim. “KPK-ja, thekson në mënyrë të qartë dhe të palëkundur se deklaratat dhe akuzat e tilla të pabaza dhe qasja e tillë e një pushteti tjetër, duke sulmuar dhe linçuar kryeprokurorët dhe prokurorët me emra dhe mbiemra, është shkelje e patolerueshme dhe tentativë e dështuar për të ndërhyrë në punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit”.
Në videoadresim kryeministri Kurti ka deklaruar se ministritë kanë deponuar qindra kallëzime penale për abuzimet e mëhershme, porse prokuroria nuk është marrë me to.
“Me qindra raportime zyrtare e kallëzime penale i kanë deponuar ministritë tona për krimin e korrupsionin që e kemi gjetur, por, përgjithësisht, kjo nuk i ka bërë përshtypje Prokurorisë së Shtetit. Reformat tona nuk do të arrijnë t’i ndalin. Rastet e akumuluara tё krimit e tё deponuara nga kjo qeveri nuk do të mund t’i fshehin edhe shumё gjatё”, është deklarata përmbyllëse e Kurtit në videoadresim.
Por, në reagimin e saj, KPK-ja ka theksuar se do të mbështesë fuqishëm dhe do të mbrojë me të gjitha mjetet juridike-ligjore që ka në dispozicion punën të cilën e ka vlerësuar si profesionale të të gjithë prokurorëve të Kosovës dhe u ka bërë thirrje publike të gjithë faktorëve, në veçanti, Qeverisë që të qëndrojë larg deklaratave të tilla, tentativave për ndërhyrje dhe presione të drejtpërdrejta, por të cilat i ka quajtur të kota, dhe që, sipas saj, bien në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Kosovës.
“Prandaj, KPK-ja dënon keqpërdorimin e fjalës së lirë nga ana e kryeministrit dhe ministrave të tij, duke theksuar se këto deklarata janë krejt të kota ndaj Prokurorit të Shtetit, i cili nuk ndikohet nga qarqet politike dhe grupet e interesit, por si institucion i pavarur dhe i paanshëm në ushtrimin e mandatit të vet do t’i shkojë deri në fund çdo rasti me dyshim për keqpërdorim të parasë publike dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës, pavarësisht kush është, në çka beson dhe çfarë ka bërë”, thuhet në reagimin e KPK-së. “Këshilli Prokurorial është i përkushtuar me të gjithë mekanizmat e tij që të punojë, mbrojë dhe avancojë çdo vlerë të integritetit, dinjitetit dhe transparencës publike, si dhe të luftojë çdo tendencë për presion dhe ndërhyrje nga ana e kujtdo qoftë”.
KPK-ja është zotuar se Prokurori i Shtetit do të punojë intensivisht për ndriçimin deri në fund të të gjitha rasteve në punë, ndaj të gjithë atyre zyrtarëve të dyshuar dhe të veshur me pushtet, “pavarësisht tentativave për ndërhyrje, duke vënë në pah përfundimisht dhe me konsekuencë se pavarësia e sistemit prokurorial është thelbësore dhe e rëndësishme në rrugën që kemi përpara”.
Gjatë ditës, ka pasur edhe një reagim tjetër nga komuniteti i prokurorëve.
Shoqata e Prokurorëve i ka quajtur shpifje deklarimet e ministrit të Financave, Hekuran Murati, që të shtunën akuzoi institucionet e drejtësisë “si mbrojtëse të kastës së vjetër kriminale”, e që “s’kanë mision luftimin e krimit”.
Murati ka thënë se Prokuroria Speciale nuk e ka mision luftimin e krimit, por mbrojtjen e “kastës së vjetër kriminale”. Sipas tij, sistemi “i kapur” i drejtësisë po i lufton ministrat e Qeverisë Kurti.
Reagimin e tij, Murati e ka filluar me ish-ministrin e Industrisë dhe Tregtisë, Vesel Krasniqi, i cili të premten mbrëma në “Interaktiv” të KTV-së kërkoi shkarkimin e ministres Rozeta Hajdari.
Murati i ka dalë në mbrojtje të ministres, pas arrestimeve në dikasterin që ajo drejton dhe arrestimit të një biznesmeni lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.
Ai ka thënë se Prokuroria nuk është marrë me shkeljet që, sipas tij, ishin bërë nga ish-ministri Veseli.
“Në fund të vitit 2020, nja 10 ditë pasi Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur Qeverinë Hoti të paligjshme, Vesel Krasniqi duke u bazuar në një udhëzim administrativ po ashtu të paligjshëm, kishte marrë vendim për caktimin e një operatori ekonomik ‘për shënjimin e naftës’. Vendimi ishte marrë më 30 dhjetor, një natë para natës së Vitit të Ri. Kujtojeni që edhe vendimi për shpronësimin e famshëm të rrugës Kijevë-Zahaq nga Qeveria Haradinaj ishte marrë më 31 dhjetor 2019, që po ashtu ishte qeveri në ikje dhe e dorëhequr. Megjithatë, shkojmë më 14 janar 2021, pra dy javë më vonë, Vesel Krasniqi nënshkruan kontratë 5-vjeçare me të njëjtën kompani, për t’i dhënë kompanisë monopol në shënjimin e naftës”, ka shkruar Murati.
Ai ka theksuar se Qeveria aktuale pati dorëzuar kallëzim penal ndaj rastit dy vjet më parë në Prokurorinë Speciale, e se prokuroria nuk ka bërë asgjë. Ai ka publikuar edhe emrin e prokurorit të ngarkuar me lëndën.
“Me sa kuptova, i ngarkuar me këtë rast qenka prokurori Milot Krasniqi. Pra përkundër faktit që kallëzimi penal përmbante të gjitha dëshmitë e nevojshme për të ngritur aktakuzë ndaj Vesel Krasniqit, Prokuroria Speciale nuk bëri asnjë hap deri më sot. Sepse luftimi i krimit e korrupsionit me sa shihet nuk është misioni i tyre, por mbrojtja e kastës së vjetër kriminale, me shpresën që një ditë ajo kastë do të kthehet”, ka shtuar Murati në Facebook. “E për ta bërë më të lehtë kthimin e kastës së vjetër, sistemi i kapur i drejtësisë po lufton me çdo mjet ministrat e Qeverisë Kurti, duke u munduar të bëjë spektakle nga asgjëja”.
E, në reagimin e Shoqatës së Prokurorëve është thënë se Murati ka përdorur gjuhë linçuese e shpifëse ndaj institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe në veçanti ndaj prokurorit Milot Krasniqi.
“Në këtë mënyrë i njëjti jo vetëm që shpif, por njëkohësisht e vë në rrezik serioz hetimin në fazën në të cilën është, duke e marrë parasysh se epilogu i hetimeve merr kohë në grumbullimin, analizimin dhe vlerësimin e provave dhe fakteve, me qëllim të përfundimit me sukses të secilit rast”, thuhet në reagim.
Shoqata e Prokurorëve ka dënuar këtë gjuhë të Muratit dhe ka thënë se secili prokuror në Kosovë e “kryen punën e tij me nder, integritet dhe fisnikëri duke zhvilluar hetime të drejta, të paanshme dhe në mënyrë profesionale”.
“Shoqata e Prokurorëve vlerëson se mbrojtja e pavarësisë dhe e autoritetit të prokurorëve është thelbësore dhe tejet e rëndësishme, andaj gjuha e tillë e përdorur është e patolerueshme dhe në kundërshtim me rregullat në një shoqëri moderne dhe demokratike. Ne si Shoqatë e Prokurorëve të Republikës së Kosovës jemi thellësisht të shqetësuar dhe një herësh për të satën herë u bëjmë thirrje të gjithë akterëve me peshë në jetën politike, ekonomike, sociale të përmbahen nga përdorimi i gjuhës ofenduese, nënçmuese, denigruese dhe shpifëse ndaj secilit prokuror”, thuhet në reagim.
Kurti ka ardhur në pushtet me premtimin për drejtësi dhe punësim. Drejtësinë ka thënë ta vendosë edhe nëpërmjet një procesi vettingu në sistemin gjyqësor dhe prokurorial, pasi ka theksuar se këto institucione janë të kapura. Ka pasur raste kur Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor kanë ndërprerë edhe komunikimin me Qeverinë dhe kanë refuzuar pjesëmarrjen në ngjarje ku janë zyrtarët qeveritarë, shkaku i politikave të sponsorizuara nga ekzekutivi për sistemin e drejtësisë.