Zëvendëskryeministrja në detyrë, Emilja Rexhepi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është duke diskutuar me Nismën për dy-tre emra për kryetarin e Kuvendit.
Ajo nuk ka dhënë detaje të tjera për negociatat.
“Ata janë duke biseduar dhe besoj, se kjo do të duhej të ishte gati. Thjesht duhet të presim se cili emër do të jetë në rend të ditës për parlament. Është gjithsesi njëjtë... Nuk është aspak e rëndësishme nëse janë dy apo tre emra, për mua personalisht do ta votoj kushdo që të propozohet”, ka thënë ajo, në një intervistë në televizionin publik.
Se një marrëveshje VV-Nisma ekziston e tha një ditë më herët deputeti i grupit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli.
Ndërkohë, Rexhepi ka thënë se qeveria në detyrë ka dhënë dorëheqje. Ajo ka bërë thirrje që opozita të miratojë raportin për verifikim të mandateve të shtunën.
Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 9 shkurtit ka siguruar 48 ulëse. Nisma Socialdemokrate në koalicion me AAK-në ka siguruar tri ulëse. Shumica e thjeshtë sigurohet me 61 ulëse. LVV-ja tashmë ka diskutuar me partitë e komuniteteve joshumicë joserbe.
Gjatë javës ka dështuar dy herë konstituimi i Kuvendit. Deputetët e opozitës në seancën e parë votuan kundër miratimit të një raporti të komisionit të përkohshëm për verifikim mandatesh. Sipas tyre, qeveritarët që kanë siguruar ulëse deputetësh, nuk kanë ofruar dorëheqjet siç duhet.
Ndërkohë, në seancën e dytë, kryesuesi Avni Dehari tha se nuk ka parë përparime në qëndrime për unifikim dhe nuk e hodhi në votim fare raportin duke e caktuar seancën e re të shtunën.
Kuvendi konsiderohet i konstituuar pas verifikimit të vlefshmërisë së mandateve të deputetëve, betimit të tyre, zgjedhjes së kryetarit dhe të nënkryetarëve.
Kryeparlamentar deri tash ka qenë Glauk Konjufca i VV-së.