Drejtori i Komunikacionit rrugor në Policinë e Kosovës, Jeton Rexhepi, ka thënë se me Ligjin e ri për trafikun rrugor, i cili do të hyjë në fuqi nga 3 prilli, gjobat ndaj kundërvajtësve në trafik janë ashpërsuar.
Ai të hënën në një intervistë ne emisionin “60 Minuta”, të KTV-së, ka thënë se qëllimi i Ligjit është rritja e sigurisë në trafikun rrugor, mbrojtja e jetës së qytetarëve dhe mbrojtja e pronës dhe ambientit.
“Përmes këtij Ligji fillimisht rregullohet sjellja e pjesëmarrësve në trafikun rrugor dhe në të njëjtën kohë të ketë edhe ndëshkime ndaj tyre, qoftë të personave fizikë, juridikë apo personave që kanë përgjegjësi për sigurinë në trafikun rrugor”, është shprehur Rexhepi.
Ai ka thënë se ashpërsim të gjobës ligji parasheh për shoferët dhe pasagjerët që nuk e vendosin rripin e sigurisë.
“Kur flasim për rripin e sigurisë, me ligjin e ri gjoba do të jetë 150 euro qoftë për shoferin apo pjesëmarrësit e tjerë në automjet, në të kaluarën ka qenë 40 euro. Po ashtu edhe përdorimi i telefonit, nëse hasim për herë të parë një shofer duke përdorur telefonin gjoba do të jetë 100 euro dhe një pikë negative, nëse për herë të dytë një shofer zihet me telefon, gjoba do të jetë 200 euro dhe i ka tre muaj ndalim të drejtimit të mjetit dhe dy pikë negative, ndërsa për herë të tretë gjoba do të jetë 500 euro, ndalim i drejtimit të mjetit për gjashtë muaj dhe 3 pikë negative”, ka deklaruar Rexhepi.
Ashpërsim të gjobave do të ketë edhe për mosregjistrimi të automjeteve.
“Për automjete të paregjistruara deri në 30 ditë, gjoba është 200 euro për shoferin, ndërsa për personin juridik gjoba është 500 euro, ndërsa nëse e ka kaluar regjistrimin për më shumë se 30 ditë, përveç gjobave të cekura do të konfiskohet edhe automjeti dhe do të largohet nga trafiku”, ka deklaruar Rexhepi.
Ai ka folur edhe për gjobat për tejkalim të shpejtësisë.
“Nëse flasim për tejkalim të shpejtësisë brenda vendbanimit, gjoba më e vogël është 20 euro ndërsa më e larta 500 euro, po ashtu ka edhe ndalim të drejtimit të mjetit e edhe vendosja e pikëve negative, njëjtë është edhe të tejkalimi i shpejtësisë jashtë vendbanimit”, ka theksuar Rexhepi.
Ndërkohë që mosvendosja e helmetës nga ngasësit e mjeteve motorike me dy rrota nga 20 euro sa ka qenë me ligjin e vjetër është bërë në 100 euro në ligjin e ri.