Zëvendëskryeredaktori i KOHËS, Elmaz Isufi, ka deklaruar se nuk sheh trend të uljes së çmimeve në Kosovë, por vetëm rritje në vitet në vijim.
Ai ka deklaruar të enjten në “Konfront” të KTV-se se sipas të dhënave të Doganës, Kosova importon mallra për të cilat “kemi resurse e kapacitete për të rritur shkallen e prodhimtarisë”.
“Në dhjetor të vitit të kaluar kemi importuar 630 milionë euro mallra, e që janë 20% më shumë se në janarin e këtij viti. Mendoj se është shifër rekorde pasi 5.4 miliardë është vlera e importeve nga jashtë, e kjo sado që duket paradoksale, dikur sikur tendencë që në Kosovë ka fuqi blerëse përkundër kësaj rritjeje”, ka thënë Isufi.
Sipas tij, importimi i mallrave që Kosova mund t’i prodhojë është edhe çështje politike dhe e ndikimeve të politikave qeveritare.
“Të dhënat e Doganës tregojnë se ne importojmë mallra për të cilat kemi resurse, kapacitete e mundësi për të rritur shkallën e prodhimtarisë. Pse nuk është bërë kjo, sigurisht se është edhe politike”, ka thënë ai.
Elshani: Shqetësimi kryesor i qytetarëve është mashtrimi me çmime

Donika Elshani, njëra nga iniciatorët e “Bojkoto marketet”, ka deklaruar se shqetësimi kryesor i qytetarëve është mashtrimi me çmimet.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Elshani ka thënë se po kërkohet ndëshkimi i atyre që abuzojnë me çmime.
“Jemi duke u ballafaquar me çmime jashtëzakonisht të larta, të cilat janë për një pjesë të madhe të popullatës të papërballueshme dhe ka lindur nevoja për një mobilizim qytetar për ta kundërshtuar këtë fakt. Po kërkojmë ndëshkim të bizneseve që vazhdimisht po e mashtrojnë konsumatorin me çmime që janë të fryra dhe që nuk janë reale, nuk përkojnë me koston reale të produktit, si dhe kërkojmë që të rregullohet kuadri ligjor, pra të miratohet ligji për çmimet tavan dhe të respektohet ligji për të drejtat e konsumatorit. Shqetësimi kryesor (v.j. i qytetarëve) është abuzimi me çmime, specifikisht mashtrimet që po ndodhin me çmime”, ka thënë ajo.
Hasaj: 80 për qind e remitencave shkojnë në konsum
Blendi Hasaj, drejtor i Institutit GAP, ka deklaruar se Kosova ka një “injektim” në ekonomi nëpërmjet remitencave që vijnë mërgimtarët.
Ai ka deklaruar të enjten në “Konfront” të KTV-së se paratë e mërgatës në Kosovës ndikojnë si mënyra artificale që të neglizhohen efektet e çmimeve të larta.
“Kjo vjen nga remitencat. Remitencat kanë vazhduar në shifra rekorde në ekonominë tonë. Veçmas nga viti 2020, që në kishim disa pritje që inflacioni do t’i ndikonte edhe ata në Evropë. Por, kanë vazhduar të dërgojnë më shumë remitenca”, ka thënë Hasaj.
Sipas Hasajt, remitencat kanë rol të madh në ekonominë kosovare, por shtoi se 80 për qind e tyre shkojnë në konsum.
Rexhepi: Kemi rënie të tempos së inflacionit, por çmimet janë ende të larta
Profesori i ekonomisë, Sejdi Rexhepi, ka thënë se pavarësisht rënies së tempos së inflacionit në Kosovë muajve të fundit, çmimet e produkteve vazhdojnë të jenë të larta.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, në Kosovë norma e inflacionit vitin e shkuar ishte 1.6 për qind në raport me një vit më herët. E kjo normë është më e ulët se e para disa vitesh. Madje sipas profesorit Rexhepi, inflacioni në vlerë komulative në periudhën 2011-2024, ka qenë mbi 50 për qind.
“Nga të dhënat që po ofrohen nga ASK-ja shihet që kemi rënie të tempos së rritjes së çmimeve në krahasim me vitin e kaluar. Kjo do të thotë se sa janë rritur çmimet në raport me vitin e kaluar, por tregon se edhe këtë vit kemi pasur rritje të çmimeve në trendin që është për vite me radhë”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së të enjten.
Rexhepi ka thënë se çmimet në Kosovë vazhdimisht janë rritur e shumë rrallë janë kthyer në nivelet paraprake. Siç ka shpjeguar ai, kjo ndodh vetëm kur bëhet fjalë për inflacion momental të shkaktuar nga kërkesa. Sipas tij, “i vetmi rast kur nuk kthehen çmimet në nivel paraprak është kur në ekonomi ka më shumë para sesa që ka produkte”. Sipas tij, financimi i ekonomisë nga shteti duke hedhur mjete në qarkullim dhe edhe dukuritë e marrëveshjeve të fshehta bëjnë që çmimet të mbesin më të larta.