Rexhep Selimi dhe Bislim Zyrapi për katër orë rresht kanë dëshmuar në procesin gjyqësor ndaj ish-bashkëluftëtarit të tyre, Fatmir Limajt, i cili po akuzohet se kishte përgjegjësi komanduese, kur në territorin e tij u vranë civilët Ramiz Hoxha e Selman Binishi, më 2 tetor 1998.
Deputeti Selimi gjatë dëshmisë së tij kontestoi komunikatën e lëshuar në nëntorin e atij viti, e cila në emër të Drejtorisë së Policisë Ushtarake e merrte përgjegjësinë për vrasjen e këtyre dy civilëve, raporton KTV.
Pasi shikoi komunikatën e asaj kohe, Selimi tha se e njëjta përmban shumë pasaktësi në përbërje, derisa shtoi se ajo Drejtori nuk ka ekzistuar fare.
Përveç prokurores së rastit, Selimi është marrë në pyetje edhe nga i biri i Ramiz Hoxhës, Fadili, i cili në një rast nuk mundi t’i përmbajë lotët, duke thënë se për gjithë këto vite nuk kanë mundur të ecin para nga kriminelët.
E, Bislim Zyrapi, i cili ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm UÇK-së, tash këshilltar i presidentit Thaçi, është pyetur nga prokurorja Drita Hajdari për rolin e Jakup Krasniqit.
Ai tha se roli i Krasniqit si zëdhënës ka qenë të informojë opinionin për rrjedhat e UÇK-së.
Ndërsa, sa i përket komunikatës, Zyrapi tha se nuk mund ta dijë a është lëshuar nga Shtabi i Përgjithshëm apo jo.
Ndërkaq, mbrojta sërish e ka quajtur shpifje të gjithë akuzat që janë bërë në drejtim të tashmë zv. kryeministrit Fatmir Limajt.
Seanca gjyqësore ndaj Limajt do të vazhdojë edhe të martën, ku do të dëshmojnë edhe tre dëshmitarë të tjerë po ashtu udhëheqës të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Azem Syla, Naim Maloku dhe Sokol Dobruna.
Në këtë seancë ishte paraparë që të dëshmonte dhe Muhamet Hoxha, i cili sipas gjykatësit nuk ndodhej në Kosovë por që gjatë seancës u morr vesh se ai është brenda shtetit. Gjykatësi ka kërkuar që ai të paraqitet në gjyq për dëshmi, në të kundërtën do të sillet me polici në gjykatë.