Arbëri

Rexhep Hoti thotë se 70 mijë eurot që ia ndau Haradinaj u shfrytëzuan për t’i shpërblyer nxënësit

Dorëlirë është treguar kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, rreth shpenzimeve të buxhetit të shtetit.

Vetëm për nëntë muaj, kabineti qeveritar i udhëhequr nga kreu i AAK-së, ka shpenzuar në tërësi Fondin Rezervë prej 4.8 milionë eurosh, raporton KTV.

Por, të martën, me vendim të Qeverisë janë ndarë më shumë se 800 mijë euro.

390 mijë për shoqatat e dala nga lufta, 350 janë bartur në Zyrën e Kryeministrit, e për të cilat ekzekutivi s’ka dhënë detaje.

Ndërkaq, 70 mijë euro iu ndanë Zyrës së Koordinatorit Nacional për Rini e Kulturë, ndonëse kërkesa ishte 146 mijë euro.

E këto para, Rexhep Hoti thotë se janë shfrytëzuar për gara të diturisë.

Koha Ditore ka raportuar se faturat e drekave të Rexhep Hotit i kanë kushtuar buxhetit të shtetit rreth 1.400 euro në muaj. E për 16 muaj ka shpenzuar më shumë se 22 mijë euro.

Ndërkaq, që prej se është shpikur posti i Koordinatorit për Kulturë, Rini dhe Sport më shumë se 500 mijë euro i janë ndarë nga ekzekutivi kosovar.

Hoti është munduar të arsyetojë dështimin e Kosovës në programin ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve “PISA 2018”, ngase siç ka thënë, testi është zhvilluar para emërimit të tij në këtë pozitë.

Hoti është emëruar Koordinator për Rini në maj të vitit të kaluar.