Arbëri

“Rexhai Surroi” për shkrimin që zbuloi zhvatjen e shtetit e romanin që trajton gjeneratën me të ardhme të pasigurt

Në edicionin e 14-të, ceremonia e shpërblimeve për gazetari dhe letërsi, “Rexhai Surroi” është rikthyer me format fizik. Besnik Krasniqi, gazetar i KOHË-s, me serinë për dallaveret prej 800 mijë eurosh të projektit “Ta pastrojmë Kosovën”, ka marrë atë për gazetari, e Mark Pashku nga Mali i Zi, me veprën “Humbja”, ka marrë shpërblimin për romanin më të mirë për vitin 2021. Gazetarja spanjolle, Ana Exposito Valle, që ka raportuar nga lufta, është rikthyer në Kosovë e sebep për këtë është bërë edhe botimi në shqip i librit të saj “Mirupafshim në Kosovë!”

Seria e raportimeve që zbardhi “pastrimin” e buxhetit të shtetit nëpërmjet një projekti në emër të pastrimit të Kosovës dhe vepra e cila shtjellon problemet e një brezi me të kaluar të vështirë e të ardhme të pasigurt, kanë marrë shpërblimet prestigjioze, “Rexhai Surroi”.

Grupi KOHA të martën në një ceremoni solemne ka vazhduar traditën e ndarjes së shpërblimeve “Rexhai Surroi”. Në këtë ceremoni – ku edhe bëhet një rrumbullakim i ngjarjeve vjetore – gazetari i KOHË-s, Besnik Krasniqi, u shpall laureat i shpërblimit për gazetari të shkruar me serinë e teksteve “Ta pastrojmë Kosovën”. Shkrimtari Mark Pashku (Lucgjonaj) ka marrë shpërblimin vjetor për romanin më të mirë shqiptar, për veprën “Humbja”. Promovimi në shqip i librit “Mirupafshim në Kosovë!”, me autore gazetaren spanjolle Ana Exposito Valle, bashkë me pjesën artistike e kanë plotësuar ngjarjen që tashmë është bërë tradicionale. Sivjet është mbajtur edicioni i 14-të, dhe është rikthyer me ceremoni fizike.

Image
Në fjalën e tij në ceremoninë e shpërblimeve për gazetari e letërsi “Rexhai Surroi”, publicisti e shkrimtari Veton Surroi ka thënë se demokracia në Kosovë ka lënguar nga kapja e shtetit, krimi politik, uzurpimi i sferës publike. Por, sipas tij, brenda asaj sëmundjeje ka bashkëjetuar edhe dëshira për demokraci

Veton Surroi: “U takofshim në ditët me edhe më shumë dritë sesa kjo!”

Si zakonisht, në emër të themeluesve të shpërblimeve, publicisti e shkrimtari Veton Surroi u është drejtuar të pranishmëve të shumtë. Ka thënë se tërësia përbëhet prej kundërtive, të atyre që bashkëjetojnë dhe për të gjithë është e freskët se nëse jeton në okupim ekziston edhe liria.

“Tash jetojmë në kohë COVID-i dhe brenda kësaj jete kemi përpjekjen për shëndet. Në fjalët e Pitagoras, ku ka sëmundje, ka shërim – ja ku e kemi vaksinën”, ka thënë ai. Ka shtuar se kemi edhe të kundërtën, pasi ka lëvizje njerëzish që janë kundër vaksinës e kundër shërimit. Ka thënë se demokracia në Kosovë ka lënguar nga kapja e shtetit, krimi politik, uzurpimi i sferës publike. Por, sipas tij, brenda asaj sëmundjeje ka bashkëjetuar edhe dëshira për demokraci.

“Kosova është vendi ekzemplar në regjion duke mbajtur zgjedhje të lira parlamentare, ku një fuqi politike transformuese fiton mbi gjysmën e përkrahjes elektorale në zgjedhjet parlamentare, ndërsa opozita fiton në zgjedhjet vendore, në një atmosferë debati të plotë demokratik dhe respekti për paprekshmërinë e votës”, ka thënë ai. Por, sipas tij, ka mërzi me pritshmëri e ëndrra të papërmbushura të lirisë. Si mërzi ka renditur edhe konfliktet e papërfunduara dhe ikjen e pandërprerë të të rinjve.

“U takofshim në ditët me edhe më shumë dritë sesa kjo!”, ka thënë ai, duke e përmbyllur fjalimin e mbajtur në ditën kur drita nis t’ia marrë kohën territ.

Çmimi për gazetari – demaskimit të projektit “Ta pastrojmë Kosovën”

Dita ishte më e gjatë sesa nata edhe në fillimin e korrikut të sivjetmë, kur KOHA nisi publikimin e serisë së hulumtimit “Ta pastrojmë Kosovën”. Gazetari Besnik Krasniqi – tash edhe autor i emisionit “Desku” – nxori në pah se si nëpërmjet një projekti që propagandohej si aksion për pastrimin e Kosovës, u “pastrua” buxheti i shtetit. E për këtë seri, juria në përbërje të Binak Kelmendit, Majlinda Bregasit e Imer Mushkolajt, vendosi që shpërblimi për gazetari të shkruar sivjet t’i takonte atij.

“Nëpërmjet një hulumtimi të thellë e të gjithanshëm, autori i shkrimit ia ka dalë të sjellë për lexuesit të gjithë historinë e keqpërdorimit të parave të ndara për një aksion që duhej të ishte aksion për pastrimin e mjedisit, por që në realitet doli të jetë aksion për pastrimin e parave të buxhetit të shtetit”, ka thënë Mushkolaj. Sipas tij, gjithçka ishte realizuar nëpërmjet faktuarve fiktive dhe maniversimeve të tjera të ngjashme. Ka thënë se bëhet fjalë për më shumë se 800 mijë euro, shumë kjo për të cilën edhe Auditori i përgjithshëm ka konfirmuar se nuk ekzistojnë dëshmi se si janë shpenzuar.

Në mungesë të Krasniqit në ceremoni, kryeredaktorja e KOHË-s, Brikenda Rexhepi, e ka pranuar shpërblimin.

“Do të vazhdojmë të marrim gazetarë të rinj e të punojmë bashkë, të raportojmë siç dimë më së miri, siç jemi mësuar te KOHA”, ka thënë Rexhepi.

E Krasniqi më pas ka thënë se ka pranuar shpërblimin vjetor “Rexhai Surroi”, më kredibilin për gazetarët që jepet në Kosovë. Është hera e tretë në karrierë që është laureat i këtij shpërblimi që mban emrin e gazetarit e diplomatit, Rexhai Surroi.

“Hulumtimi gjeti se Qeveria jashtë procedurave ia dha nën menaxhim këtë buxhet një organizate joqeveritare, e cila pastaj shumë nga shpenzimet e aksionit i arsyetoi edhe me fatura të rreme. Për pasojë, pjesë e madhe e buxhetit shkoi në xhepat e një numri njerëzish, e bërlloku mbeti gjithandej Kosovës”, ka thënë ai nëpërmjet një postimi në Facebook. Në garë për shpërblimin për gazetari të shkruar, “Rexhai Surroi”, sivjet ishin 16 tekste.

Image
“Rrëfimet jo të gjata, por tejet përmbajtjesore flasin më së miri, nëpërmjet personazheve të Anës, për vuajtjet që shumë kosovarë i kishin përjetuar”, ka thënë Flaka Surroi, drejtoreshë menaxhuese e Grupit KOHA, në fjalën e saj për librin “Mirupafshim në Kosovë!” të Valles, të cilin e ka përkthyer në shqip

Flaka Surroi: “Kushdo që do ta ketë kaluar Bllacën, do ta gjejë veten te ‘Mirupafshim në Kosovë!’”

Historitë e Kosovës zunë vend edhe më tej në ceremoni. Por u kthyen rrëfimet e një periudhe tejet të vështirë: ato të luftës. Gazetarja spanjolle – saktësisht nga Galicia, që është krahinë autonome në veriperëndim të Spanjës – Ana Exposito Valle, midis luftërave të tjera kishte raportuar edhe për atë të Kosovës.

Në vitin 2000 në gjuhë galiciane do të botonte librin “Mirupafshim në Kosovë!”. Kjo vepër, prej së mërkurës flet edhe shqip nën logon e Botimeve KOHA.

Përkthyesja e botuesja e librit, Flaka Surroi, ka thënë se personazhet që Valle i përfshiu në libër janë nga komunat e ndryshme të Kosovës, përfshirë Prishtinën, Obiliqin, Lipjanin, Vushtrrinë, Mitrovicën, Vitinë e Istogun, e që mbase në mënyrën më të thjeshtë e vërteton se dëbimi i dhunshëm i popullatës nga Kosova ka qenë i planifikuar deri në detaje dhe ka pasur për qëllim ta përfshinte të gjithë vendin.

“Rrëfimet jo të gjata, por tejet përmbajtjesore flasin më së miri, nëpërmjet personazheve të Anës, për vuajtjet që shumë kosovarë i kishin përjetuar – ngase sistemi i dhunës i aplikuar nga forcat serbe gjithkund kishte qenë thuajse i njëjti dhe kishte pasur të njëjtin qëllim. Kushdo nga ne që do ta ketë kaluar Bllacën, do ta gjejë veten në të”, ka thënë Surroi. Sipas saj, me një stil shumë të rrjedhshëm dhe dorë të lehtë, Ana ia doli që në secilin rrëfim ta kombinojë atë që kishte gjetur dhe zbuluar mes njerëzish nëpër kampe, me atë që do të gjente në Kosovë, në shtëpitë e tyre me t’u kthyer pas përfundimit të luftës.

“U kthye në Kosovë pas 20 e ca vjetësh. Kësaj radhe për t’i takuar personazhet apo familjarët e tyre – dhe që nëpërmjet rrëfimeve të tyre që tregojë se ku ka mbërritur Kosova dy dekada pas luftës. Nën përcjellje të përkthyesit të saj nga koha e luftës, Nexhad Bexheti, dhe ekipit të KOHËS, Ana i ritakoi shumë nga njerëzit për të cilët kishte shkruar para sa vjetësh dhe të gjitha këto mbetën të regjistruara me kamerë”, ka thënë Surroi. KOHA së shpejti do të nxjerrë dokumentarin e vizitës së gazetares spanjolle në Kosovë, dy dekada pas luftës.

Image
Gazetarja Ana Exposito Valle ka thënë se beson që funksioni i vërtetë i gazetarisë është që ta ndryshojë botën. “Dhe ky është besimi i cili më bën të ec përpara, dhe më ndihmon t’i shëroj plagët që m’i shkaktojnë gjërat që i shoh dhe rrëfimet që m’i rrëfejnë”

Ana Exposito Valle: “Unë nisa të shkruaja që të mund të harroja”

Vetë Valle në ceremoni ka thënë se fituesi i çmimit “Nobel” për letërsi, kolumbiani Gabriel García Márquez në një rast kishte thënë se shkruan që ta duan.

“Pra unë nisa të shkruaja që të mund të harroja, që të mund t’i tejkaloja realitetet që i kisha përjetuar si korrespondente e luftës”, ka thënë Valle. Të dëgjojë rrëfime për t’i treguar, ka thënë që është gjëja që i pëlqen më së shumti.

“Të rrëfesh atë që e sheh dhe që e dëgjon, e zbut këtë dhimbje deri diku, ngase njëmend besoj në vlerën e të qenit jehonë e njerëzve teksa e riprodhon zhurmën e bombave që i vret dhe erën e tmerrshme të të vdekurve, të jesh altoparlant i frikës e i dhembjes së tyre, apo edhe i zhurmës së autoblindave që përpiqen o t’i shtypin, o t’i çlirojnë”, ka thënë ajo. Ka shpjeguar se beson që funksioni i vërtetë i gazetarisë është që ta ndryshojë botën.

“Dhe ky është besimi i cili më bën të ec përpara, dhe më ndihmon t’i shëroj plagët që m’i shkaktojnë gjërat që i shoh dhe rrëfimet që m’i rrëfejnë”, ka thënë ajo.

Image
“Do të vazhdojmë të marrim gazetarë të rinj e të punojmë bashkë, të raportojmë siç dimë më së miri, siç jemi mësuar te KOHA”, ka thënë Brikenda Rexhepi, kryeredaktore e KOHË-s, derisa ka pranuar shpërblimin për Besnik Krasniqin

Mark Pashku: Kosova, motori i dijes që ka mbajtur gjallë edhe shqiptarët në Mal të Zi

Problemet e njerëzve, por në një rrethanë tjetër i trajton edhe romani i laureatit të sivjetmë të shpërblimit “Rexhai Surroi” për letërsi, Mark Pashku. “Humbja” si vepër në prozë është zgjedhur më e mira e vitit nga juria.

Shkrimtarja Majlinda Bregasi ka thënë se sivjet në garë ishin 20 vepra, dhe përmbajtësisht kishte garë të fortë. Sipas saj, “Humbja” është roman i shkruar me pasion, kërshëri, mendim, adrenalinë dhe sarkazëm.

“Te romani ‘Humbja’ nënteksti është i thellë dhe i kamufluar me mjeshtri. Një gërshetim realiteti e fantazie që krijon një rrëfim origjinal, dinamik dhe të këndshëm deri në fund. I shkruar me një stil të veçantë, pa pretendime për rrugëtime të paeksploruara a eksperimentime postmoderne, romani është një freski në gamën e prozës së sotme shqipe”, ka thënë Bregasi. Sipas saj, larg çdo patetizmi a drame që e dominon momentalisht këtë letërsi, Mark Pashku shkruan për jetën e brezit të tij, sa të thjeshtë në dukje, aq e brishtë dhe lehtësisht të thyeshme.

“Një brez i mbetur mes së kaluarës së vështirë, dhe paqartësisë e pasigurisë së të ardhmes”, ka thënë ajo.

Vetë autori ka falënderuar themeluesit e shpërblimeve dhe ka thënë se Kosova është një motor i shqiptarisë. Ka shtuar se Kosova është motori i dijes që ka mbajtur gjallë edhe shqiptarët në Mal të Zi. “Edhe mësuesit tanë në shkollë na flisnin vetëm për Kosovën. Thoshin se ka shpëtim për ne se është Kosova. Këtë çmim ua dedikoj brezave që u takon Rexhai Surroi, ata që i edukuan brezat tanë të parë dhe ia arritën ta ndalin malësorin, shqiptarin që të jetojë në Mal të Zi”, ka thënë Pashku, romani fitues i të cilit do të jetë i pari nga Botimet KOHA për vitin 2022.

Ceremonia është përmbyllur me interpretimin e sopranos Zana Abazi-Ramadani, nën shoqërim të Pranvera Hoxhës në piano.

Konkursi i shpërblimeve “Rexhai Surroi” për vitin që vjen do të vazhdojë të jetë adresë e krijuesve përmbajtjesorë.