Arbëri

“Rexhai Surroi” për raportimin mbi cenimin e trashëgimisë kulturore dhe veprën me historitë e shekullit 20

Grupi KOHA të premten, në një ceremoni solemne, ka vazhduar traditën e ndarjes së shpërblimeve “Rexhai Surroi”. Gazetari i KOHËS, Shaban Maxharraj, u shpall laureat i shpërblimit për gazetari të shkruar me serinë e teksteve “Restaurimi pa leje i Manastirit të Banjskës me para të 'Crvena Zvezdas'”. Gazetari e shkrimtari Enver Robelli ka marrë shpërblimin vjetor për letërsi, për veprën “Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë”. Promovimi i librit “Ishte luftë” me autore Flaka Surroin, bashkë me pjesën artistike e kanë plotësuar ngjarjen që tashmë është bërë tradicionale

(KD) – Seria e raportimeve që shpërfaqi ndërhyrjet e Serbisë në monumentet e Kosovës dhe libri që është një mozaik intrigues i historisë së shekullit 20 kanë marrë shpërblimet prestigjioze “Rexhai Surroi”.

Grupi KOHA të premten, në një ceremoni solemne, ka vazhduar traditën e ndarjes së shpërblimeve “Rexhai Surroi”. Në këtë ceremoni – ku edhe bëhet një rrumbullakim i ngjarjeve vjetore – gazetari i KOHËS, Shaban Maxharraj, u shpall laureat i shpërblimit për gazetari të shkruar me serinë e teksteve “Restaurimi pa leje i Manastirit të Banjskës me para të ‘Crvena Zvezdas’”. Gazetari e shkrimtari Enver Robelli ka marrë shpërblimin vjetor për letërsi për veprën “Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë”. Promovimi i librit “Ishte luftë” me autore Flaka Surroin, bashkë me pjesën artistike e kanë plotësuar ngjarjen që tashmë është bërë tradicionale. Sivjet është mbajtur edicioni i 16-të.

“Martesa e jetës me vdekjen”

Image
Në emër të themeluesve të shpërblimeve që bartin emrin e gazetarit, shkrimtarit e diplomatit Rexhai Surroi ka folur shkrimtari e publicisti Veton Surroi. Ceremonia ka nisur me një duartrokitje në shenjë nderimi për etnologen e parë shqiptare të Kosovës, Nahire Surroi, e cila vdiq para dy javësh (Foto: Alban Bujari)

Në emër të themeluesve të shpërblimeve që bartin emrin e gazetarit, shkrimtarit e diplomatit Rexhai Surroi ka folur shkrimtari e publicisti Veton Surroi. Në ceremoninë që ka nisur me një duartrokitje në shenjë nderimi për etnologen e parë shqiptare të Kosovës, Nahire Surroi, e cila vdiq para dy javësh, Surroi ka thënë se nëna e tij kishte një sens të vetin të humorit. Ka kujtuar se në ditën kur erdhi ta merrte ambulanca për në spital ajo ia shpjegonte infermierit se njerëzit e moshës së saj duhet t’ia vendosin vijat e kuqe jetës.

“Termi vijat e kuqe përsëritet çdo natë në televizion qe 20 e kusur vjet dhe lidhen pothuajse gjithnjë me negociata. Pra, ‘vija të kuqe për këtë apo atë marrëveshje diplomatike’, ‘vija të kuqe për këtë apo atë koalicion qeverisës’, ‘vija të kuqe për shpenzime buxhetore...’”, ka thënë Surroi. Sipas tij, vijat e kuqe që i ka përmendur e ëma prekin nocionin e kufirit, gjegjësisht të idesë se jeta nuk është e pambarim. Ka thënë se ritualisht njerëzit ballafaqohen me idenë e vdekjes dhe të pasjetës. Ka përmendur se filozofi suedez Martin Hagglund shkroi një libër për të treguar saktësisht pse ideja e përjetësisë nuk është e mirë.

“Sipas tij, nëse ekziston një jetë e pasosur dhe nëse besojmë se pas jetës sonë ajo e pasosura është më e mirë se kjo e para, atëherë kjo jetë që po e jetojmë nuk paska ndonjë vlerë”, ka thënë ai. Në këtë rast ka shtuar se kjo nuk është ceremoni mortore. Sipas tij, në kuptimin e filozofit suedez, është ceremoni në të cilën jetët e kornizuara të babait e nënës, të dhjetëra fituesve të çmimeve për vepër jetësore, të letërsisë e të shkrimit në gazetari, të muzikës që dëgjojmë, të dorështrëngimit e përqafimit, të buzëqeshjes dhe empatisë bazike njerëzore paraqesin jetën.

“Kështu po, ekziston jeta pas vdekjes. Ekziston në trupat tanë jeta e tyre që na lanë, ekziston në mendjet tona, personale e kolektive, si rrëfim gjithnjë e më i vlefshëm për ata që nuk janë mes nesh. Mirëserdhët në këtë kremte jete”, ka përfunduar ai.

Raportimi për ndërhyrjet ilegale të Serbisë në monumentin e Kosovës

Image
“Përtej një çmimi për raportimin ‘Restaurimi pa leje i Manastirit të Banjskës me para të ‘Crvena Zvezdas’, shpërblimi ‘Rexha Surroi’ është ndarë për gazetarinë e kulturës dhe trashëgiminë kulturore”, ka thënë gazetari Shaban Maxharraj, pasi ka pranuar shpërblimin për gazetari (Foto: Alban Bujari)

Juria në përbërje të Binak Kelmendit, Majlinda Bregasit e Imer Mushkolajt, sivjet ka përzgjedhur që raportimi i gazetarit të Grupit KOHA, Shaban Maxharraj, të marrë shpërblimin për gazetari të shkruar, “Rexha Surroi”.

Në emër të jurisë, Majlinda Bregasi ka thënë se nëpërmjet një hulumtimi raportimi “Restaurimi pa leje i Manastirit të Banjskës me para të 'Crvena Zvezdas” ka treguar për ndërhyrjet ilegale të Serbisë në trashëgiminë kulturore të Kosovës.

“Përderisa në fund të shtatorit e gjithë vëmendja ishte përqendruar në sulmin terrorist në Banjskë, një gazetar po merrej me një tjetër segment të ngjarjes. Nuk ishte hera e parë që Serbia po ndërhynte në territorin e Kosovës dhe nuk ishte e para që po ndërhynte në trashëgiminë kulturore të saj. Për 20 vjet ndërhyrjet në Manastirin e Banjskës nga ana e Serbisë ia kanë ndërruar fizionominë këtij monumenti”, ka thënë ajo. Ka treguar se të gjitha ndërhyrjet janë bërë pa përfillur asnjë institucion të shtetit të Kosovës dhe pa përfillur asnjë ligj e procedurë.

“Andaj artikulli që vjen si rezultat i një hulumtimi të gjatë sjell para publikut një storie të veçantë dhe të rëndësishme që tregon se si Serbia kishte kryer ndër vite një agresion të një natyre tjetër në Manastir”, ka thënë ajo.

Pas pranimit të shpërblimit gazetari Shaban Maxharraj ka thënë se nuk bëhet fjalë thjesht për një shpërblim, për një artikull.

“Përtej një çmimi për raportimin ‘Restaurimi pa leje i Manastirit të Banjskës me para të ‘Crvena Zvezdas’, shpërblimi ‘Rexha Surroi’ është ndarë për gazetarinë e kulturës dhe trashëgiminë kulturore. Në këtë aspekt kompania mediale KOHA ka kohë që ia ka dhënë një çmim edhe më të madh kulturës dhe trashëgimisë kulturore, duke qenë i vetmi medium me një redaksi të plotë të kulturës jo vetëm në Kosovë”, ka thënë ai.

“Ishte luftë” – vepër për të mos harruar

Image
Autorja e librit, Flaka Surroi, fjalën e saj e ka nisur me porosinë e së ëmës, Nahire Surroi, duke kujtuar fjalët e saj për të përshëndetur mysafirët e ceremonisë. (Foto: Alban Bujari)

Siç është bërë traditë në ceremoninë që zë vend në një hotel, në periferi të kryeqytetit, është bërë edhe promovimi i një libri. Këtë radhë është promovuar vepra “Ishte luftë” i Flaka Surroit. Ajo si punonjëse e organizatave ndërkombëtare në kohën e luftës së fundit në Kosovë, por edhe pas saj, ka gërmuar në kujtesë duke përshkruar përvojën e asokohshme. Libri sjell histori e rrëfime të atyre që gjatë luftës kanë qenë në një tjetër front, atë të ndihmesës së popullsisë civile.

Redaktori i librit, Granit Kurti, njëherësh redaktor i kulturës në Grupin KOHA, ka thënë se vetë titulli i veprës është trikotomi, “pikërisht në kuptimin që ia jep filozofia këtij termi: funksionon si trini, ndashëm prej kuptimit të secilës: “Ishte luftë” në radhë të parë konstaton realitetin (realitetin e luftës) pastaj kohën, (periudhën e luftës) e në esencë edhe veprimin. Veprimin e narratores dhe të dëshmitares njëkohësisht”. Sipas tij, lufta e Surroit nisi më herët sesa datat zyrtare të shpërthimit të luftës dhe nuk përfundoi në ditët që zyrtarisht festohen si ditë paqeje, por vazhdoi edhe 25 vjet pas si betejë e brendshme për të mos harruar. Ka thënë se vazhdon edhe sot në kuptimin e filozofisë për luftën e vazhdueshme, për kontributin ndaj popullit të cilit i përket.

“Shumë prej nesh s’e kemi njohur Flakën e luftës. Shumë të tjerë, as sot, s’e njohim një armatë të tërë njerëzish për të cilët lufta s’e ka vetëm imazhin e ushtarit me armë në dorë. Se janë edhe disa të tjerë që sot s’janë as veteranë, as ish-komandantë, as prijës betejash. Aso që besojnë se ta fitosh luftën nuk mjaftojnë vetëm pushkët”, ka thënë ai.

Autorja e librit, Flaka Surroi, fjalën e saj e ka nisur me porosinë e së ëmës, Nahire Surroi, duke kujtuar fjalët e saj për të përshëndetur mysafirët e ceremonisë. Ka thënë se Nahir është emër që në hebraishte do të thotë “i çiltër, i kthjellët”.

“Porosia qe e qartë: se një traditë që ka mbi një dekadë e gjysmë kultivohet, nuk duhet të ndërpritet përderisa ka breza që atë mund ta çojnë përpara dhe ta ruajnë. Prandaj ja ku jemi sërish, të mbledhur në këtë sallë, për ta kremtuar krijimtarinë dhe talentin. Për ta festuar edhe një ditë të jetuar”, ka thënë ajo. Më pas ka hyrë te rrëfimet e librit.

Ka treguar se fundi i shkurtit para 25 vjetësh ia zbuloi botës ekzistimin e dy fshatrave të vogla në Drenicë, që pakkush dinte madje edhe se ekzistonin. “Në Likoshan e Çirez, në një aksion në të cilin ishin angazhuar madje edhe helikopterët policorë, u vranë dhe u ekzekutuan 24 veta. Ende, pas gjithë këtyre viteve, kujtoj fotografitë e viktimave, disa syresh me fytyrat plotësisht të shpërfytyruara”, ka thënë ajo. Ka treguar se në takimet e para me disa nga të mbijetuarit e këtij fillimi të luftës në fshatrat drenicase u mahnit me qëndrimin stoik, sidomos të grave, të cilat përpiqeshin ta vazhdonin jetën për hir të fëmijëve të mbijetuar, nëpër shtëpitë që ishin bërë shoshë nga plumbat e gjithfarë kalibri, ku secila vrimë ua kujtonte kiametin e përjetuar dhe mungesën e atyre që më nuk ishin.

“E pas gjithë këtyre viteve ende e kam shumë të çiltër pamjen e Malishevës, ditën kur zbulova se buldozerët i kishin pastruar rrënojat e dyqaneve që bandat serbe i kishin djegur për pikë të qejfit. Sikur të ishte dje, vështirë e absorboj faktin se brenda katër ditësh u dogjën 27 fshatra të Rahovecit derisa, siç do të na tregonin, njerëzit ishin detyruar, nën kërcënimin e tytës së tankut, të vështronin se si po ua vidhnin shtëpitë para se t’ua vinin flakën”, ka thënë ajo derisa ka folur për shumë vendbanime. Ka thënë se secila dalje në terren bartte rrezik.

“Ky libër flet për heronjtë që këtë luftë nuk e luftuan me armë. Dhe në këtë grup nuk i përfshij rreth 100 shqiptarët që punonin në organizatat ndërkombëtare, për shkak se ky punësim u ofronte njëfarë lloj mbrojtjeje në terren”, ka thënë ajo, derisa ka shtuar se librin ia ka kushtuar të ëmës së saj.

Libri i Robellit – kapitull i ri letrar

Image
“Ngrohtësia dhe dashamirësia e qindra e qindra lexuesve hyn ndër përvojat më të çmuara të jetës sime. Andaj këtë mirënjohje e ndaj edhe me lexuesit e mi”, ka thënë Enver Robelli, laureat i shpërblimit “Rexhai Surroi” për romanin më të mirë (Foto: Alban Bujari)

Juria që në këtë përbërje sivjet ka punuar për herë të fundit, ka zgjedhur që midis 18 veprave “Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë” me autor Ever Robellin të marrë shpërblimin për letërsi “Rexhai Surroi”. Kjo vepër ishte promovuar vjet po në këtë ceremoni.

Sipas anëtares së jurisë, Majlinda Bregasi, teksti fitues është dëshmi ku kufijtë e zhanreve të letërsisë janë likuid.

“Juria njëzëri vendosi që çmimi ‘Rexhai Surroi’ për këtë vit t’i jepet autorit Enver Robelli për librin që ka sjellë një frymë të re rrëfimi të pasuruar me faktografi historike për një gamë personalitetesh që lanë gjurmë në historinë e njerëzimit”, ka thënë ajo. Sipas saj, kjo mënyrë e shkrimit si një nevojë e shprehjes artistike ka bërë që çdo shkrim për një ngjarje a personalitet të vijë si një kapitull i ri letrar dhe të rrisë kërshërinë e lexuesit për historinë tjetër. Sipas saj, këto janë arsyet që juria ka vendosur për këtë vepër.

Gazetari e shkrimtari Enver Robelli ka thënë se patriotizmi është ngjarje elementare në botën shpirtërore të njeriut dhe rrjedhimisht është edhe burim konfliktesh. Sipas tij, konfliktet jo përherë janë negative. “Çka i japim njëri-tjetrit, çka i marrim njëri-tjetrit dhe çka i bëjmë njëri-tjetrit – këto janë pyetje dhe çështje me të cilat do të jetojmë edhe në të ardhmen. Nuk duhet t’i frikësohemi debatit nëse me debat kuptojmë garën mes ideve dhe argumenteve më të mira”, ka thënë ai. Ka treguar se para një viti në këtë sallë e ka pranuar ekzemplarin e parë të librit që është shpërblyer të premten.

“Që nga atëherë ky libër më ka bartur në krahët e tij nga Prishtina në Zürich, pastaj në promovime të tjera në München, në Stuttgart, në Stockholm, në Berlin, në Vjenë, në Zagreb, në Strugë. Ngrohtësia dhe dashamirësia e qindra e qindra lexuesve hyn ndër përvojat më të çmuara të jetës sime. Andaj këtë mirënjohje e ndaj edhe me lexuesit e mi”, ka thënë Robelli, i cili është redaktor i politikës së jashtme në gazetën zvicerane “Tages Anzeiger”, kolumnist e kontribuues në KOHA. Vepra e tij sjell mozaikun e ngjarjeve dhe personaliteteve evropiane të shekullit të kaluar. Robelli ka bërë të ditur se honorarin ka vendosur t’ia dhurojë Qendrës Kosovare për Rehabilitimin të Mbijetuarve të Torturës.

Siç është traditë, ceremonia ka përfunduar me muzikë. Veprat si ajo e Jules Massenet “Elegie”, e Giacomo Puccinit, “Quando m’en vo’ soletta” dhe e Antonin Dvorak “Měsíčku na nebi hlubokém” janë interpretuar nga sopranoja Besa Llugiqi e shoqëruar në piano nga Misbah Kaçamaku. Zëri i sopranos së shquar ka mbërthyer sallën dhe ka qenë një kapitull më vete, që ka ardhur edhe si shenjë kujtimi kur në sfond janë shfaqur imazhet prej jetës së Nahire dhe Rexhai Surroit.

Image
Zëri i sopranos Besa Llugiqi shoqëruar në piano nga Misbah Kaçamaku ka mbërthyer sallën dhe ka qenë një kapitull më vete, që ka ardhur edhe si shenjë kujtimi kur në sfond janë shfaqur imazhet prej jetës së Nahire dhe Rexhai Surroit (Foto: Alban Bujari)