Arbëri

Reshjet shtyjnë përfundimin e punimeve në rrugën “Agim Ramadani”

Institucionet e trashëgimisë i kërkojnë Komunës që të mos punojë pa leje te rruga “Agim Ramadani”

Foto: Driton Paçarada

Punimet në rehabilitimin e rrugës “Agim Ramadani” në kryeqytet do të zgjasin më shumë se që ishte paralajmëruar fillimisht për shkak të reshjeve të shiut, ka njoftuar drejtori për Investime Kapitale në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli.

Në një shkrim në Facebook, ai ka njoftuar se punimet nuk janë kryer në nivelizim të pusetave dhe se as shtrimi i asfaltit s’mund të bëhet në fundjavën që mbyllet më 27 prill.

“Megjithatë, puna do të rifillojë sa më parë duke u bazuar në parashikimet për mot të favorshëm. Teknikisht, shtrimi i asfaltit në kushte me lagështi ose gjatë shiut nuk lejohet, pasi uji pengon aderimin/ngjitjen e shtresave dhe ndikon negativisht në cilësinë dhe jetëgjatësinë e asfaltit. Po ashtu, betoni që përdoret për nivelizimin e pusetave nuk punohet në shi, sepse reshjet ndikojnë në përzierjen dhe tharjen uniforme të tij, duke dobësuar rezistencën strukturore”, ka shkruar ai.

Sipas Havollit, punimet do të vazhdojnë në fundjava me mot më të mirë dhe gjatë orarit të njëjtë, sipas paralajmërimit fillestar, pas orës 19:00. Ai ka thënë se punimet pritet të përfundojnë më 4 maj.

Punimet në këtë rrugë patën nisur më 19 prill. Komuna pati thënë se po punon për rehabilitim të rrugës nga rrethi te Komuna e vjetër deri te Teatri Kombëtar për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga automjetet me peshë të rëndë. Ishte paraparë që ditëve të javës qarkullimi të jetë i mbyllur nga ora 19:00 deri në ora 07:00, ndërsa fundjavave punime të ketë edhe ditën.

E javën e shkuar, qytetarët u përballën me kolona të gjata në kryeqytet. Komuna pati arsyetuar ngarkesën me punimet në disa rrugë, por edhe disa aksidente të shkaktuara në të njëjtën kohë.