Arbëri

Reshjet e mëdha të shiut ndërprejnë furnizimin me ujë të pijshëm në Mitrovicë

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica”, ka njoftuar të dielën se është ndërprerë prodhimi i ujit në Impiantin e Shipolit dhe Balincit e me këtë rast edhe furnizimi me ujë të pijshëm.

Sipas kësaj kompanie, shkaktarë të kësaj ndërprerjeje janë reshjet e mëdha atmosferike dhe turbullirat e ujit të papërpunuar.

“Si pasojë e reshjeve të mëdha atmosferike dhe ngritjes së nivelit të turbullshmërisë së ujit të pa përpunuar është ndërprerë prodhimi i ujit në Impiantin e Shipolit dhe Balincit dhe me këtë edhe furnizimi me ujë të pijes”, thuhet në njoftimin e KRU “Mitrovica”.

Ende nuk dihet se kur do të rikthehet furnizimi me ujë të pijes.

Një njoftim të ngjashëm të dielën e ka lëshuar edhe KRU “Prishtina”. Sipas kësaj kompanie, është bërë i pamundur trajtimi i ujit në Shkabaj.

Sipas KRU “Prishtina”, si pasojë e mos kryerjes së punëve nga NH Ibër Lepenc në kanal, zotim për të cilin kishin marrë edhe me tarifë më të lartë nga ARRU, ka ardhur deri te kjo turbullirë dhe se pa furnizim uji janë Fushë-Kosova dhe Drenasi.