Artikull i përditësuar me përgjigjen e "Reporterëve pa Kufij" (10 maj, 19:00) - Organizata “Reporterët pa Kufij” ka ndryshuar një nga pikat e raportit për Kosovën në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, të publikuar më 3 maj. Bëhet fjalë për seksionin e kontekstit ekonomik.
Fillimisht aty ishte thënë se “përgjithësisht mediat janë të varura nga reklamat qoftë nga Qeveria apo partitë politike”. E pas ndryshimit, Qeveria nuk përfshihet fare. Aty thuhet se “mediat janë të varura kryesisht nga të hyrat prej reklamave prej sektorit privat, dhe nganjëherë përkrahen nga autoritetet komunale apo partitë politike”.
Pjesa e plotë në raportin fillestar:
Konteksti ekonomik
Në përgjithësi, mediat janë të varura nga reklamat që vijnë nga qeveria apo partitë politike, të cilat ndahen në mënyrë jotransparente dhe partiake. Pos kësaj, nëpërmjet pronarëve të tyre, redaksitë e mediave private janë të ekspozuara ndaj ndikimeve nga grupet e fuqishme politike dhe të biznesit. Mediat në gjuhën serbe përballen me sfidën shtesë të tregut të vogël në të cilat disa media janë të varura nga financimi nga fqinja Serbia, ndërsa media e pavarur nuk do të mund të mbijetonte pa financim ndërkombëtar (të huaj).
Pas ndryshimit:
Konteksti ekonomik
Mediat financohen kryesisht nga të ardhurat nga reklamat nga sektori privat, dhe nganjëherë mbështeten edhe nga autoritetet komunale apo partitë politike. Pos kësaj, nëpërmjet pronarëve të tyre, redaksitë e mediave private ekspozohen ndaj ndikimit të grupeve të fuqishme politike apo të biznesit. Mediat në gjuhën serbe përballen me sfidë shtesë të tregut të tregut të vogël në të cilin disa media varen nga financimi nga Serbia fqinje, ndërsa media e pavarur nuk do të mund të mbijetonte pa financim ndërkombëtar (të huaj).

Raporti i plotë i organizatës “Reporterët pa Kufij” për Kosovën
Për kontekstin ekonomik të raportit, KOHA pati pyetur edhe redaktorin e raportit, Pavol Szalain. Në “Interaktiv” të KTV-së, Szalai pati thënë se e di që Qeveria e ka ndalur reklamimin sistematik në media, ndërsa pati shtuar se arsyeja kryesore për rënien e Kosovës ishte çështja e sigurisë së gazetarëve dhe përpjekja e Qeverisë për ta minuar pavarësinë e mediave publike dhe private.
Pjesë nga intervista:
KOHA: Duke folur për pavarësinë financiare ju folët pak për çështje ekonomike. Në këtë pjesë të Raportit tuaj thuhet si në vijim: “Në përgjithësi, mediat janë të varura financiarisht nga reklamat, qoftë nga Qeveria apo partitë politike, e që të dyja shpërndajnë në mënyrë jotransparente dhe shpërndahen në mënyra partiake”. Në fakt Qeveria e Kosovës i ka ndaluar reklamat. Ku bazohet raporti juaj në këtë konstatim dhe çfarë reference keni ju për këtë?
SZALAI: Ne nuk themi që reklamat apo të ardhurat nga autoritetet publike janë të vetmet. Natyrisht një pjesë e madhe, mbase shumica janë nga reklamat e privatëve dhe të ardhurat e tjera nga platformat digjitale për postimin e përmbajtjes nga mediat. Mirëpo, ka ende disa të ardhura nga kontratat me autoritete publike dhe e di se Qeveria e ka ndalur reklamimin sistematik në media. Mendoj se për kushtet e Kosovës ky është një hap i mirë. Por siç thashë, arsyet kryesore që shpjegojnë rënien e Kosovës në rangim është çështja e sigurisë së gazetarëve dhe përpjekja e Qeverisë për të minuar pavarësinë e mediave publike dhe private në Kosovë siç e përshkrova. Kjo është në një shkallë të lartë, jo në mënyrë ekskluzive, por në një masë të madhe është pjesë e përgjegjësisë së Qeverisë së Kosovës.
KOHA: A është kjo pjesë e vjetërsuar, pra që do t’ju duhet ta përditësoni në raportin e radhës, sepse më të vërtetë e lexova dhe thotë se Qeveria e partitë politike ishin ato që u jepnin para disa prej mediave, që shpërndahen në mënyrë jotransparente dhe në baza partiake. Po e kërkoja referencën, kush saktësisht? Cilat institucione po i shpërndajnë këto para në baza partiake siç thoni ju e pa transparencë?
SZALAI: Epo ende ka kontrata mes mediave dhe komunave. E fjala “Government” në anglisht nënkupton edhe pushtetin lokal dhe të gjitha institucionet publike. Pra ky është kuptimi.
KOHA: A mund specifikoni apo nuk keni diçka konkrete në mendje tani?
SZALAI: Epo, jo, ka informata lidhur me këtë çështje, nuk janë të plota dhe janë të qarta, nuk do të hyja në detaje, dhe siç e thashë është mirë që të ardhurat kryesore të mediave vijnë prej reklamuesve privatë dhe nga postimi nëpër platforma.
Intervista e plotë:
Në një përgjigje të premten, redaktori i raportit Pavol Szalai, ka thënë për KOHËN se profili i Kosovës është “korrigjuar menjëherë pas përditësimit vjetor”.
Ai megjithatë ka thënë se “korrigjimi nuk ndikon në rezultatin apo renditjen e Kosovës në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit”.
“Megjithëse profilet e shteteve përditësohen çdo vit me rastin e publikimit të Indeksit, ato pasqyrojnë tendencat afatgjata dhe ngjarjet më të rëndësishme dhe nuk kanë për qëllim të detajojnë ngjarjet e vitit të kaluar. Rezultati i secilit vend në Indeks përcaktohet nga të dhënat e mbledhura nëpërmjet metodës cilësore (pyetësorë të plotësuar nga një panel gazetarësh dhe ekspertësh të medias në vend) dhe metodës sasiore (numri i shkeljeve të lirisë së shtypit). Në bazë të pikëve të secilit shtet përcaktohet renditja e tij në Indeks”, ka thënë ai në përgjigjen me shkrim.