Brenda vitit të ardhshëm pritet që presidenca të kalojë në hapësirat e objektit ku gjenden Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Kulturës.
Një shumë e konsiderueshme e buxhetit të shtetit do të shkojë për renovimin e këtij objekti, raporton KTV.
Megjithatë, ende nuk dihet sa do të jetë kjo shumë.
Nga Ministria e Administratës Publike thonë se kur të lirohet ndërtesa, ky dikaster do t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm për meremetimin, i cili konsiderohet se do të zgjasë rreth 12 muaj.
Zëdhënësi i kësaj ministrie, Zeqir Bekolli, ka thënë se ndërtesa është e vjetër dhe paraprakisht nuk mund të thuhet se cila do të jetë kostoja, për faktin se mund të dalin edhe punë të paparashikuara.
Por, njohës të këtyre çështjeve thonë se më e rrugës do të ishte që të ndërtohet një objekt i ri për presidencën, sesa miliona të investohen për renovimin e objekteve ekzistuese.
E punëtorët e Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Kulturës kanë vazhduar për të dytën ditë me protesta, duke thënë se nuk e kanë ndërmend që të lëvizin nga objekti.
Bislim Bislimi, përfaqësues i Sindikatës të Ministrisë së Kulturës, tha se ata duhet të vendosen në një objekt publik për të shmangur qiranë vjetore prej 1.26 milionë eurosh për objektet private.
Këta punëtorë kanë nënshkruar edhe një peticion, i cili do t’u dërgohet të gjitha institucioneve kompetente.