Arbëri

Rekord në Aeroportin e Rinasit, 306 fluturime për 48 orë

Plot 306 fluturime me mbi 20 mijë pasagjerë janë procesuar në 48 orë në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, ka bërë të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një postim të mërkurën mbrëma.

Ndërsa ndau në rrjetet sociale edhe një video nga atmosfera në aeroportin e Rinasit, Rama tha se mbresat e shprehura nga UEFA janë të shkëlqyera, pas shqetësimit se mund të kishte probleme nga mbingarkesa e jashtëzakonshme.

“Fluturime rekord në aeroportin ‘Nënë Tereza’”, shkroi ai ndër të tjera, pa treguar se cili ishte rekordi paraprak.

Shumica e këtyre fluturimeve janë bërë për shkak të finales së Ligës së Konferencave, që nis në orën 21:00 në Tiranë. Ndeshen dy ekipet e mëdha Roma dhe Feynoord.

Ky është organizimi më i madh që UEFA ia ka besuar Shqipërisë.

Finalja luhet në stadiumin e ri “Air Albania” në Tiranë me kapacitet 20.000 ulëse.