Arbëri

Regjistrimi i popullsisë shtyhet në disa komuna, kryetarët raportojnë probleme me proces

Përpos në komunat e veriut, edhe në Drenas, Rahovec e Prizren, nisja e procesit të regjistrimit të popullsisë është shtyrë për të hënën. Kjo u bë e ditur në takimin që kryetarët e komunave patën me kryeministrin dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë. Në të, kryetarët nga radhët e opozitës numëruan një numë problemesh në nisje të procesit, por ato u mohuan nga kolegë të tyre që i përkasin partisë në pushtet.

Ditën kur ka filluar regjistrimi i popullsisë, përfaqësues të komunave thanë se procesi po përballet me disa probleme. Në disa sosh nisja e regjistrimit është shtyrë për të hënën, si në Drenas, Rahovec, Prizren e Zubin-Potok.

Gjatë diskutimit me kryeministrin Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë, debati mori edhe ngjyrime politike.

Shumë nga kryetarët e komunave që drejtohen nga partitë opozitare folën për mungesë të regjistruesve, mosfunksionalizim të tabletëve e për dorëheqje të personave të angazhuar shkaku i pagave të ulëta.

“Përgatitjet për regjistrim të popullsisë nuk janë mirëplanifikuar dhe kjo ka ndodhë se vetë qeveria nuk i ka dhanë rëndësi , përkrahje ASK-së e komunave”, ka thënë Ramiz Lladrovci, kryetar i Drenasit.

“Ministria e agjencia është dashur të parashohin buxhet për ata që janë në marrëdhënie pune, mësimdhënës ose shërbyes civilë”, u shpreh kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi.

“Unë nuk di qysh mundet një proces kaq i rëndësishëm që unë mendoj se është strategji kombëtare, është interes kombëtar, me u organizu, me u përgatit kaq dobët, kaq keq”, ka thënë nënkryetari i Ferizajt, Lulzim Aliu.

Por, të kundërtën e thanë kryetarët e komunave, që drejtohen nga kandidatë të Vetëvendosjes në pushtet.

“Në masën më të madhe janë bërë përgatitjet që ky proces të zhvillohet ashtu siç duhet dhe të prodhojë rezultate, të jenë sa më afër realitetit që e kemi ne këtu”, ka thënë kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

“Sot kanë dalë të gjitha ekipet në teren dhe kryesisht janë duke u marrë me ndarjen e zonave dhe obligimet që i presin në regjistrimin e popullsisë”, ka shtuar Qemajl Aliu, kryetar i Shtimes.

“Nëse presim që kemi për t’i diskutuar sfidat sot, unë besoj që është gabim se sfida ka me pasë edhe gjatë procesit. Nuk ka proces ose punë që mundet me u kry pa pasë sfida”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni.

Kryetarët nuk morën sqarime për problemet që adresuan. Por, përfaqësues të ASK-së thanë se nuk do të mungojë ndihma për komunat.

“Nëse keni mungesë të regjistruesve kemi kapacitete në aspektin edhe logjistik, edhe human  për me dërgu dhe për me mbështet ndonjë komunë me ekipe shtesë”, u shpreh ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ASK-së, Avni Kastrati.

Paraprakisht, kryeministri Albin Kurti iu kërkoi angazhim përfaqësuesve të komunave, duke theksuar rëndësinë e procesit, në mes tjerash edhe për orientimin e politikave qendrore e lokale.

E nga drejtori i Institutit për Krime të Luftës, Atdhe Hetemi, iu bë thirrje që të ndihmojnë duke ndarë dokumentacionin që posedojnë për vlerësimin e dëmeve të luftës.

Regjistrimi i popullsisë së Kosovës do të zhvillohet për gjashtë javë në të gjitha komunat.