Arbëri

Refuzimi i Abdixhikut, Cakolli: Ky pozicion nuk është qëndrim, është bllokim

Eugen Cakolli

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës po e bllokon formimin e qeverisë së re me qasjen se refuzon takimin konsultativ me partinë që ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit. Me këtë qasje, sipas Cakollit, LDK-ja po e privon edhe veten nga mundësia për të pasur rol udhëheqës opozitar.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të martën ka refuzuar ftesën e kryeministrit në detyrë dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për një takim konsultativ para seancës konstituive që do të mbahet më 15 prill.

“Dinjiteti politik është i rëndësishëm, po aq sa edhe përgjegjësia për të mos u kthyer në pengesë! Është legjitime të refuzosh bashkëpunimin politik me dikë që të ka fyer apo delegjitimuar ndër vite. Është po aq legjitime të ruash një qëndrim të distancuar ndaj polarizimit dhe fjalorit përçarës. Por kur ky refuzim bëhet universal – ndaj të parit, por edhe ndaj pjesës tjetër të spektrit opozitar – atëherë çështja nuk është më morale, por politike. Kjo qasje e LDK-së mund të tingëllojë si strategji afatmesme për të ruajtur fjalën e dhënë, por në realitet shndërrohet në një formë autoizolimi, që e privon partinë jo vetëm nga pushteti, por edhe nga mundësia për të pasur rol udhëheqës opozitar”, ka shkruar Cakolli në Facebook.

Cakolli e ka quajtur ta pakuptimtë që një parti të mos pranojë të flasë me partinë e parë, por në të njëjtën kohë të mos i hapë rrugë as ndonjë formule tjetër opozitare, duke e bërë të pamundur çdo shumicë.

“Ky pozicion nuk është më qëndrim, është bllokim”, ka thënë tutje.