Përgjigje fare të shkurtër, por të prerë, kishte dhënë Albin Kurti dy ditë para zgjedhjeve të 14 shkurtit, kur ishte pyetur nga gazetarët nëse do ta rivendoste masën e reciprocitetit ndaj Serbisë.
“Është çështje ditësh ose javësh. Kurrsesi muajsh. Nuk e di tash cila do të jetë sekuenca, por është ndër gjërat e para që do të bëjmë”, kishte thënë Kurti.
Kurti doli fitues absolut i zgjedhjeve dhe reciprociteti nuk është vendosur as tash kur janë bërë më shumë se katër muaj prej kur u formua Qeveria e tij.
E, të hënën ka dhënë zotim për ta jetësuar premtimin, porse kur do ta bëjë këtë nuk ka treguar.
“Reciprociteti tregtar është veç një element i reciprocitetit të plotë politik, ekonomik dhe tregtar dhe do ta bëjmë atëherë kur do të jemi të përgatitur”, ka thënë kryeministri Kurti.
Spektri politik i ishte kthyer kundër Kurtit në mandatin e parë të tij, pasi kundër reciprocitetit ishin ndërkombëtarët, e veçmas administrata e ish-presidentit Donald Trump, meqë Serbia nuk i rikthehej dialogut, për aq kohë sa masa mbetej në fuqi.
Në shoqërinë civile përmendin tri parakushte që duhen përmbushur, para se masa të vendoset.
“E, para, të shpjegohet cilat janë qëllimet, cili është qëllimi afatgjatë, çfarë dëshirojmë të arrijmë me këtë; e dyta, të sigurohet konsensusi i brendshëm; e treta të sigurohet dakordanca me komunitetin ndërkombëtar. Nëse e marrim një masë reciprociteti pa përmbushur të tri këto kritere, do të përfundojmë në të njëjtin vend ku kemi përfunduar edhe kur kemi marrë masë reciprociteti herën e kaluar, që i bie askund”, ka deklaruar Demush Shahsa nga Instituti EPIK.
Deklarimi i së hënës i kreut të Qeverise ka ngjallur reagime të menjëhershme në Beograd. Zyrtarë qeveritarë të fqinjit verior kanë thënë se një masë e këtillë e minon dialogun.
“Në vend të paralajmërimeve të tilla për lëvizje të njëanshme që e minojnë drejtpërdrejt dialogun, do të ishte mirë që Kurti t’i përkushtohej zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani, veçanërisht formimit të Bashkësisë së Komunave Serbe”, është shprehur Petar Petkoviq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Në mandatin e ri, Kurti është përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi dhe deri tash ka realizuar dy takime në Bruksel me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Në Kuvend, kreu i Qeverisë rikujtoi se Besnik Bilslimi, i cili është zëvendëskryeministër për dialogun, ka përgatitur një dokument që evidenton 11 marrëveshje që Serbia është duke i shkelur.
“Pra, ne edhe faktorëve ndërkombëtarë ua kemi treguar këtë gjë dhe po u japim kohë, në mënyrë që nga reciprociteti nga i cili s’kemi hequr dorë, ta zbatojmë”, shtoi Kurti.
Me t’u zgjedhur Qeveria e re, ndërkombëtarët kërkuan që prioritet të jetë dialogu me Serbinë. E, Beogradi zyrtar refuzoi të ulej në tryezë, edhe gjatë kohës sa në fuqi ishte tarifa 100 për qind, e edhe kur ishin aplikuar masat e reciprocitetit.