Kanë shpërthyer reagimet e para edhe pas lajmit se Jakup Krasniqi, ish-zëdhënës e anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, është ftuar po ashtu nga Gjykata Speciale.
Ndryshe nga Ramush Haradinaj që tregoi se është ftuar në cilësinë e të dyshuarit, Krasniqi, që vetë e ka bërë publike se ka marrë ftesë për intervistim, nuk ka treguar se në çfarë cilësie do të udhëtojë në Hagë.
Krasniqi ka thënë se do të intervistohet me 24 korrik.
15:59 - Shala për Krasniqin: Do të jemi fitimtar edhe në betejat e radhës
Pas lajmit që edhe ish zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasiqi, ka marrë ftesën për intervistim nga Gjykata Speciale, edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka publikuar një fotografi me Krasiqin, duke shkruar se do të jenë fitimtar edhe në betejat e radhës, cilat do qofshin ato.
“Ne nuk njohim humbje. Jemi gati. Fitimtar edhe në betejat e radhës, cilat do qofshin ato”, ka shkruar ai.
15:37 - Veseli: Ftesat nga Specialja goditje për UÇK-në
Ka reaguar edhe kryekuvendari Kadri Veseli, pas ftesës që i bëri Gjykata Speciale ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Jakup Krasniqi.
Veseli shkruan se ufta e popullit shqiptar për të jetuar i lirë dhe i pavarur me dinjitet e krenari lkombëtare në trojet e veta shekullore të Kosovës, është një ndër kapitujt më të ndritur të historisë sonë bashkëkohore dhe “askush nuk do mund ta njollosi dot”.
“Me keqardhje pranova sot lajmin e thirrjes nga gjykata speciale të ish-Zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z. Jakup Krasniqi menjëherë pasi janë thirrur tashmë ish- shefi i Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, ish- komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj dhe ish- anëtari i Shtabit të UÇK-së, Sokol Bashota. Kjo është një goditje për bashkëluftëtarët e mi, për UÇK-në dhe luftën tonë, por unë jam i sigurt që do e kapërcejmë me kurajo dhe nder këtë sfidë së bashku dhe do dalim prej saj më të fortë se më parë. Unë jam i bindur se ata do të kthehen përsëri të pafajshëm e kryelartë sepse e drejta ka qenë dhe mbetet në anën tonë dhe ne kemi qenë në anën e duhur të historisë”, ka shkruar Veseli.
15:27 - Mustafa: S’kemi pse shqetësohemi për kohërat e arta të UÇK-së
Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit dhe i pari i ftuar nga Gjykata Speciale, Rrustem Mustafa, ka thënë se ka përkrahur themelimin e Gjykatës Ndërkombëtare, pasi duhet mbyllur kapitulli i viteve të kaluara, ndërsa sipas tij, fjalët dhe propaganda sugjestive, si dhe percepcionet e krijuara për UÇK-në, do të rrëzohen dhe eprorët e UÇK-së do të dalin faqebardhë.
Ai ka shkruar se pret që Gjykata Speciale të zgjerojë fushëveprimin e saj dhe të ndiqen krimet ekonomike, të ndiqen ata që në mënyrë të orkestruar kanë keqpërdorur asetet kombëtare, si pronat, ndërmarrjet publike deri te defunksionalizimi i institucioneve vitale në vendin tonë.
Mustafa në një postim në Facebook ka shkruar se UÇK ka përfunduar detyrën në 1999, ndërsa kohët e tashme duhet të trajtohen me interes dhe prioritet.
“Vetëm falë organizimit vendor politik dhe ushtarak UÇK-së, sot gëzojmë lirinë, tjerat vijnë pas si mbështetje e kohës. Askush s'do të duhej të përdorte shkronjat UÇK, apo kohën e lavdisë”, thotë ai.
Ai thotë se, thurja e lëvdatave apo hetimet mbi atë se çfarë ka ndodhur para 20 vitesh,nuk mundet të ndikojë në kualitetin e jetës së qytetarëve, hetimet mbi kohën e lavdisë do të përfundojnë shpejt dhe mirë.
“Vazhdimisht sfidohemi nga krimet ekonomike, korrupsioni, nepotizmi dhe mafiat përtej kufinjëve kombëtar. Hapja e rrugës për ndërtim të shtetit të së drejtës, duhet t’i eleminojë grupet vendore apo edhe ato ndërkombëtare të natyrës kriminale. Të tilla “shoqëri” kriminale duhet të hetohen dhe të ndalohen”, thotë ai.
Mustafa thotë se duhet të ndërtojmë shtetin e suksesit duke mos justifikuar mospunen dhe dështimet tona me kohët e vjetra si ajo e okupimit, organizimit të luftës apo edhe lëvizjeve politike klandestine.
“Unë jam nga ata qe kam përkrahur Gjykatën Ndërkombëtare, ne duhet të mbyllim kapitullin e viteve të kaluara. Jam i sigurt se gjatë kohës së luftës në Kosovë, nuk ka krime të kryera që mund të përkufizohen si krime lufte, fjalët dhe propaganda sugjestive si dhe percepcionet e krijuara për UÇK-në e di se do të rrëzohen dhe ne edhe individualisht, eprorët e UÇK-së do të dalin faqebardhë”, thotë ai.
Ai tutje ka shtuar se pret që Gjykata Speciale të zgjeroj fushëveprimin e saj dhe të ndiqen krimet ekonomike, të ndiqen ata që në mënyrë të orkestruar kanë keqpërdorur asetet kombëtare, si pronat, ndërmarrjet publike deri te defunksionalizimi i institucioneve vitale në Kosovë.
“Mendoj se ka pasur një koordinim të qarqeve “akademike” e shoqërore për të defunksionalizuar gjithë ato institucione te krijuara me mund si gjykatat, universitetet dhe gjithçka qe i jepte fryme zhvillimit dhe rrugës se vendit për ecje se mbari!Këto prioritete, nuk duhet kushtëzuar mes vete. lmplementimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, Gjykata Speciale, Liberalizimi i vizave, qasja për ekonomi zhvillimore”, thotë ai.
Sipas tij, ecja drejtë shtetit të suksesshëm, do të bëhet, ata që i takojnë kohëve të lavdisë nuk kanë pse të shqetësohen për kohët e arta.
“Ne duhet të bëjmë punët që na takojnë”, përfundon ai.
14: 50 - Thaçi: Çmoj gatishmërinë e Krasniqit dhe të tjerëve për bashkëpunim me drejtësinë
Kreu i shtetit Hashim Thaçi, ka reaguar pas ftesës që ka marrë nga Specialja, Jakup Krasniqi, ish-zëdhënës dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm i UÇK-së e që dikur kanë qenë edhe bashkëpartiakë në PDK.
Thaçi ka thënë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë dhe do të mbetet përjetësisht e pastër dhe e drejtë.
“Asnjë gjykatë, as vendore, as ndërkombëtare, nuk mund ta njollos atë. Me Jakup Krasniqin, me anëtarët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm, komandantët e zonave dhe ushtarët që janë ftuar nga Gjykata Speciale, ne e kemi mbrojtur popullin dhe e kemi luftuar armikun deri në çlirimin e vendit tonë”, ka shkruar Thaçi.
“Si president i vendit, si bashkëluftëtar, e çmoj shumë gatishmërinë e të gjithëve që të bashkëpunojnë me drejtësinë. Duke bashkëpunuar me drejtësinë ndihmojmë që të ngadhënjejë e vërteta për luftën tonë çlirimtare. Jam i bindur që, njëjtë sikurse në të kaluarën, sërish do të dalim fitimtarë. Pastërtia e luftës sonë do të dëshmohet përballë çdo gjykate”, ka thënë më tej Thaçi.
14:07 - Rama reagon për ftesat nga Specialja, s’përmend emra
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar për ftesat që po u bëhen ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, nuk e ka përmendur as edhe një emër të vetëm.
Rama, mbetet i vetmi lider shtetëror që s’pati reagim për dorëheqjen e homologut të tij kosovar nga kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj.
“Këto ftesa në radhë nga Haga për protagonistët e UÇK, janë një sfidë e re e çdonjërit prej të thirrurve, në vazhdën 20-vjeçare të betejës së pasluftës, për të provuar deri në fund pafajësinë e tyre. Por janë edhe një sfidë e papërfunduar kombëtare në anën e duhur të historisë”, ka shkruar Rama në Twitter.
Dje kreu i Qeverisë kosovare dha dorëheqje nga pozita për shkak të ftesës që iu bë nga Gjykata Speciale, në cilësinë e të dyshuarit.
Ftesë nga Gjykata Speciale dje morën edhe ish-shefi i Shtabit të UÇK-së Bislim Zyrapi, e u përmendën edhe shumë ish-eprorë tjerë por të cilët s’kanë konfirmuar ende asgjë. Ndërkaq sot, ftesë mori ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe ish-zëdhënës, Jakup Krasniqi.
12:59 - Limaj për Krasniqin: Nuk kemi alternativë tjetër pos përballjes me fakte kundër armiqve të Kosovës
Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas ftesës së Gjykatës Speciale për sekretarin e përgjithshëm të partisë së tij, Jakup Krasniqi.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Krasniqi edhe këtë herë do të dijë të mbrojë luftën e drejtë të UÇK-së.
Limaj tutje ka thënë se asnjë gjykatë nuk do të arrijë ta njollosë luftën e drejtë të Kosovës.
“Ashtu siç ka ditur disa herë ta mbrojë pastërtinë dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe këtë radhë z. Jakup Krasniqi do të dijë ta mbrojë luftën e drejtë të UÇK-së. Asnjë gjykatë nuk do të arrijë ta njollosë luftën tonë të drejtë”, ka thënë ai.
Sipas Limajt nuk ka alternativë tjetër pos përballjes me fakte kundër shpifjeve të armiqve të Kosovës, pasi që thekson se kjo gjykatë u themelua nga Kuvendi i Kosovës.
“Fatkeqësisht kjo gjykatë është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, prandaj nuk kemi alternativë, pos përballjes me fakte kundër shpifjeve të armiqve të Kosovës!Kam bindjen e fortë se Kosova do ta kalojë me sukses edhe këtë sfidë dhe se drejtësia do të ngadhënjejë përballë shpifjeve”, ka shkruar ai.
12:56 - Hoxhaj: Jemi me Krasniqin e Zyrapin
Zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas lajmit se edhe Jakup Krasniqi, ish-zëdhënës e anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, është ftuar nga Gjykata Speciale.
Sot, Hoxhaj ka shkruar se janë me Jakup Krasniqin e me Bislim Zyrapin, por nuk ka përmendur Ramush Haradinajn, shefin e tij në ekzekutiv, i cili u ftua në të njëjtën kohë me këta dy të parët.
“Ka vetëm një krim që ka ndodhur në Kosovë. Ka vetëm një agresor.
Ka vetëm një palë viktimë. Ka vetëm një popull që ka luftuar për liri e pavarësi. Ka vetëm një UÇK që ka bërë luftë të drejtë. Dje, sot dhe nesër jemi me Jakup Krasniqin e Bislim Zyrapin të cilët do ta dëshmojnë, si përherë, pastërtinë e luftës. Nuk ka barazim të krimeve të agresorit me viktimën”, ka shkruar Hoxhaj.
12:52 - Reçica: Asnjë Gjykatë Ndërkombëtare s’mund ta njollosë UÇK-në
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka reaguar pas lajmit të dhënë nga vet Jakup Krasniqi, se është ftuar nga Gjykata Speciale.
“Një jetë e tërë në shërbim të atdheut, luftës për liri dhe ndërtim të shtetit, zëri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i kushtrimit të lavdisë drejt çlirimit të atdheut nga okupatori serb. Qytetari ynë, Atdheu ynë, Kosova e lirë, sovrane dhe e pavarur, e ka të vështirë të shoh bijtë e saj duke u përballur me një Gjykatë e cila gjykon çlirimtarët dhe jo agresorët”, ka shkruar Reçica.
Reçica thotë se lufta e UÇK-së e ka “vulën e përjetshme të bijve dhe bijave tona që u flijuan dhe të atyre që qëndruan në krye të kësaj lufte, sypatrembur e ballëlartë, në shërbim të atdheut”.
“Prandaj, asnjë Gjykatë Ndërkombëtare e asnjë instrument nuk mund të njollosë UÇK-në dhe figurat e saj emblematike. Atdheu ynë synon dhe frymon lirshëm falë çlirimtarëve të UÇK-së!”, ka shkruar ai.
Ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale edhe Jakup Krasniqi, ish-zëdhënësi i UÇK-së, e tash kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate.
Kransiqi, thotë se “Ndihem i obliguar moralisht t’ju njoftoj se kam marr ftesë nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë të paraqitem më 24 korrik 2019”.
Krasniqi, nuk ka treguar se në çfarë cilësie ka marrë ftesën nga Specialja.
Deklaratën e tij të plot mund ta lexoni më poshtë:
Pavarësisht bindjeve të mia që Gjykata Speciale e ngritur mbi bazën e raportit të Dick Martit, miratuar nga Këshilli i Evropës, i cili fund e krye është sajuar në Beograd me shpifje e gënjeshtra dhe me motiv e qëllim të komprometimit dhe inkriminimit të luftës së drejtë e të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkundër qëndrimit tim të hapur kritik e kundërshtues për krijimin me presion të kësaj gjykate, unë do të prezantohem në hetuesinë e saj në datën e caktuar në cilëndo cilësi. Me besim në drejtësinë, i bindur se e vërteta është që gjatë luftës në Kosovë, Serbia ka kryer gjenocid, kurse konstruktet e saj monstruoze për UÇK-në do të bien poshtë, unë do të jem atje për të dhënë kontributin tim për ndriçimin e së vërtetës historike.
Megjithatë është fatkeqësi dhe ironi e llojit të vet, që në vend se Serbia të përballet me drejtësinë për krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidit, ne duhet të mbrohemi nga akuzat e saj të trilluara, në vend që të gjykohen argumentet dhe provat e pamohueshme dhe të njohura botërisht, drejtësia merret me trille dhe shpifje të ulëta të politikës serbe dhe të shërbimeve të saj sekrete.
Përkundër bindjeve të mia sa i përket kësaj gjykate politike, të krijuar me presion politik nga njerëzit që bartin funksione të larta shtetërore në Kosovë dhe themelimin e saj me votën e atyre deputetëve që ishin numra në Kuvendin e Kosovës, unë do të prezantohem në hetuesinë e Gjykatës Speciale.
Nuk do të jetë hera e parë që dal para hetuesve për të dhënë përgjigje për çështje të sajuara nga pushteti i Serbisë. Ia kam dalë në proceset e hetuesisë jugosllave të viteve tetëdhjetë, siç ia kam dalë me përgjegjësi edhe kur jam ftuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi, për rastet e kurdisura në bazë të dosjeve të dorëzuara nga Serbia kundër Fatmir Limajt, Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tyre.
Në të dy rastet kam dhënë deklarata në cilësinë e zëdhënësit të UÇK-së, përfaqësuesit të saj politik dhe anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së gjatë luftës së viteve 1998-1999. Deklaratat e mia në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi janë publike, siç është publik edhe verdikti i kësaj gjykate kur i hodhi si të pabaza të gjitha akuzat kundër Fatmir Limajt dhe Ramush Haradinajt, duke shpallur pafajësinë e tyre.
As kësaj radhe nuk mund të jetë ndryshe.
Jakup Krasniqi, anëtar i SHP të UÇK-së dhe zëdhënës i tij