Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, me seli në Sarajevë, ka prezantuar të hënën rezultatet e anketës “SecuriMeter 2024”, mbi përceptimin publik për sigurinë, qeverisjen dhe besimin në Ballkanin Perëndimor.
Bazuar në rezultatet e kësaj ankete të zhvilluar me gjashtë mijë të anketuar, vetëm 39 për qind e njerëzve besojnë se Ballkani Perëndimor është vend i sigurt për të jetuar.
“Vetëm 39% e qytetarëve mendojnë se Ballkani Perëndimor është një vend i sigurt për të jetuar, duke theksuar shqetësimet e vazhdueshme për sigurinë. 48% kanë frikë se mund të ndodhë një luftë mes ekonomive të Ballkanit Perëndimor, duke reflektuar tensionet e vazhdueshme. 59% e qytetarëve ndihen të sigurt personalisht, por pasiguria më e gjerë rajonale mbetet. 36% e shohin depopullimin si një problem të madh, ndërsa 23% po planifikojnë ose janë në proces emigrimi. 83% besojnë se korrupsioni është i përhapur, duke theksuar nevojën për reforma në qeverisje”, thuhet në njoftimin e lëshuar.
Rezultatet gjithashtu nxjerrin në pah shqetësime të rëndësishme të sigurisë me dimension gjinor, me 66% të grave që e identifikojnë dhunën në familje si kërcënim serioz dhe 54% që e shohin ngacmimin seksual si shqetësim të vërtetë.
Sipas statistikave të disponueshme në rajon, thuhet se mesatarisht një grua vritet çdo javë.
“Këto nuk janë thjesht statistika; ato janë thirrje për veprim. Siguria e grave është një themel i çdo shoqërie të sigurt dhe të drejtë”, ka thënë Majlinda Bregu, sekretare e përgjithshme e RCC-së.