Me autorizim të Prokurorisë së Shtetit, Policia e Kosovës do t’i intervistojë të enjten personelin dhe të gjithë të moshuarit e strehimores “Orenda”, ku ditë më parë u sulmua një e moshuar.
Këtë ia konfirmoi KOHËS të mërkurën mbrëma zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
Ai tha se nga intervistimi pritet të nxirren informata më të detajuara në lidhjen me rastin.
“Nesër me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit, Policia e Kosovës do të intervistojë të gjithë personat që janë personel në këtë strehimore dhe të gjithë të moshuarit që janë të vendosur aty”, deklaroi Nikçi.
Policia e Kosovës i ka arrestuar tri infermiere për sulmin ndaj të moshuarës M.N, që u krye ditë më parë.