Në prillin e këtij viti, Gjykata Supreme e pati prishur aktgjykimin dënues të nxjerrë nga Apeli vitin e kaluar dhe rastin e ka kthyer në rigjykim te kjo gjykatë. Prej atëherë, nuk ka lëvizur asgjë në këtë proces. Nëse nuk ka vendim përfundimtar deri në muajin nëntor, ky rast parashkruhet. Kjo, për shkak se vepra penale pretendohet që për herë të fundit është kryer në nëntorin e vitit 2011. Dy të akuzuarit e tjerë janë: Ilhami Gashi e Sedat Gashi
Rreth tre muaj e ndajnë ish-deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, dhe të akuzuarit e tjerë në rastin “Pronto” nga vendimi përfundimtar.
Në prillin e këtij viti, Gjykata Supreme e pati prishur aktgjykimin dënues të nxjerrë nga Apeli vitin e kaluar dhe rastin e ka kthyer në rigjykim te kjo gjykatë.
Prej atëherë nuk ka lëvizur asgjë në këtë proces. Nëse nuk ka vendim përfundimtar deri në muajin nëntor, ky rast parashkruhet.
Kjo, për shkak se vepra penale pretendohet që për herë të fundit është kryer në nëntorin e vitit 2011.
Shkelja e statusit të barabartë në Kodin e Vjetër Penal ka qenë vepër e dënueshme me 5 vjet. Siç përcaktohej në Kod, parashkrimi ose vdekja e ndjekjes penale bëhet kur kalon dyfishi i kohës së dënimit.
Një gjë e tillë pritet të ndodhë në nëntorin e këtij viti.
Nëse deri në këtë kohë vendimi nuk do të jetë i plotfuqishëm, të tre të akuzuarit, Grabovci, Ilhami Gashi e Sedat Gashi, do të shpëtojnë falë vjetërsimit të lëndës.
Në rast se Apeli brenda këtyre tre muajve merr aktgjykim dënues, lënda sërish ka të drejtë të ankimohet, gjë që e bën të pamundur të shpëtojë nga parashkrimi.
Koha ka raportuar vazhdimisht për problemet në hetuesi e gjyqësi në trajtimin e këtij rasti.
Në aktakuzë, ani pse bëhej fjalë për punësime që bëheshin në Qeveri, nuk ishte përmendur asnjë zyrtar i Qeverisë që atë kohë udhëhiqej nga shefi i Grabovcit, Hashim Thaçi.
Madje, Prokuroria Speciale as nuk i kishte intervistuar për ngritjen e aktakuzës e as i kishte ftuar si dëshmitarë në gjykim, edhe pse vendimet për punësimet e pretenduara duhej të nënshkruheshin nga Qeveria.
Adem Grabovci ishte liruar nga akuza në shkallën e parë, por Apeli i pati shqiptuar dënim unik prej 1 vjet e 2 muaj burgim, dënim i cili nuk do të ekzekutohet në rast se ai nuk kryen vepër tjetër penale, në kohëzgjatje prej 2 vjetëve. Grabovcit i është hequr edhe e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vjetëve pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.
Ilhami Gashit i është shqiptuar dënim unik prej 1 viti e 4 muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në rast se i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale në kohëzgjatje prej 2 vjetësh. Atij gjithashtu i është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vjetësh pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.
Sedat Gashi është dënuar me 8 muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në rast se i akuzuari nuk kryen vepër penale në kohëzgjatje prej 1 viti. Atij i është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik në kohëzgjatje në kohëzgjatje prej 2 vjetësh pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.
Grabovci dhe të tjerë të akuzuar ngarkohen me veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.