Prishtinë, 8 shtator – Drejtësia në rastet më të rënda të krimit dhe të korrupsionit do të ndahet nga gjyqtarë ose me pak përvojë në ushtrimin e profesionit, ose që kanë afërsi me njerëz të fortë të sistemit. Këshilli Gjyqësor (KGJK) i ka përzgjedhur ata në një proces tërësisht të mjegullt, ecurinë e të cilit vazhdon ta mbajë të mbyllur.
Trupat gjyqësorë që do t’i shqyrtojnë lëndët të cilat bien në kompetencë të Prokurorisë Speciale kanë nisur punën muajin e shkuar. Është Departamenti Special i ngritur në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe departamenti me të njëjtin emër i themeluar në kuadër të Gjykatës së Apelit. Për të shërbyer në të parin, KGJK-ja ka përzgjedhur gjyqtarët: Albina Shabani-Rama, Arben Hoti, Musa Konxheli, Shahadije Gërguri, Valbona Musliu-Selimaj dhe Valon Kurtaj. Ndërkaq, në Apel ndarja e drejtësisë iu është besuar Burim Ademit, Kreshnik Radoniqit dhe Vaton Durgutit.
Mesatarja e përvojës së tyre si gjyqtarë është rreth 7 vjet dhe që të gjithë kanë nisur punën pas luftës. Ndërkaq, në mesin e 35 kandidatëve për gjyqtarë specialë kishte që kishin ushtruar profesionin me dekada dhe që kishin ndarë drejtësinë në numër të madh rastesh të krimeve të rënda.
Këshilli Gjyqësor, përveçqë nuk ka lejuar që ky proces i përzgjedhjes të monitorohet nga organizata të shoqërisë civile, Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ai nuk i ka siguruar qasje në dokumentet relevante për procesin, dhe ka refuzuar t’ia përcjellë edhe “Kohës Ditore” informatat që i janë kërkuar përkitazi me përzgjedhjen e gjyqtarëve të të dyja departamenteve të reja, të ngritura në kuadër të sistemit gjyqësor. Kësisoj, Këshilli nuk ka treguar metodologjinë, mbi bazën e së cilës është bërë përzgjedhja dhe as nuk ka treguar përparësitë që ia kishte njohur secilit prej gjyqtarëve të përzgjedhur, krahasuar me kundërkandidatët, si për kah kualifikimi, po ashtu edhe për kah kredibiliteti, profesionalizmi, integriteti moral e performanca paraprake.
Pas kësaj mbylljeje, javën e shkuar GLPS-ja ka paraqitur padi ndaj KGJK-së në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për vërtetimin e shkeljes së Ligjit për qasje në dokumente publike nga KGJK-ja, në lidhje me emërimin e këtyre gjyqtarëve. Kjo organizatë ka kërkuar që gjykata ta detyrojë KGJK-në të ofrojë qasje në dokumente publike, e drejtë kjo e garantuar me Kushtetutë, ligje të ndryshme dhe me një numër aktesh nënligjore.
“GLPS dhe Drejtësia Sot shprehin shqetësimin e tyre me qasjen e paprecedent të KGJK-së në lidhje me rastin në fjalë, dhe me rrugën që ky institucion ka zgjedhur të ndjekë për të mbyllur në tërësi atë ndaj publikut, mediave dhe palëve të tjera të interesuara. Kjo praktikë mbetet konfirmim i mos-gatishmërisë së KGJK-së dhe lidershipit aktual të saj që të arsyetojnë vendimmarrjen e tyre dhe t’u japin përgjigje publikut për proceset që determinojnë të ardhmen e Kosovës dhe luftën e saj ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në një komunikatë të GLPS-së. “KGJK-ja nuk mund të mbajë të mbyllur dhe larg publikut arsyetimin pse ka vendosur që gjyqtarët e dhënë të emërohen në pozitat në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe të Gjykatës së Apelit. KGJK-ja duhet të jetë e përgatitur për të arsyetuar cilat janë ato kritere të matshme dhe objektive që kanë bindur anëtarët e këtij trupi për të votuar ata gjyqtarë në pozitat në fjalë”.
Mbyllja e KGJK-së
KGJK-ja e ka demonstruar të njëjtën mbyllje edhe në raport me “Kohën Ditore”. Më 21 gusht gazeta ka pyetur në këtë institucion për arsyet e mbylljes së procesit të përzgjedhjes së gjyqtarëve specialë. Po kështu ka kërkuar listën e kandidatëve që i ishin rrekur garës për gjyqtarë në Departamentin Special pranë Themelores në Prishtinë dhe atë të Gjykatës së Apelit. Nuk ka dhënë informacione për këto, sikur as për metodologjinë e vlerësimit që është përdorur në këtë proces dhe as nuk janë ofruar argumente në lidhje me atë pse secili prej të përzgjedhurve ishte më i kualifikuar, më kredibil, më profesional, e me integritet moral më të lartë, krahasuar me gjyqtarët që kishin aplikuar e që nuk janë zgjedhur.
Nëpërmjet e-mailit, KGJK-ja vetëm ka ofruar një link, në të cilin ka thënë se mund të gjenden përgjigjet.
Linku përmbante Raportin për përzgjedhjen e gjyqtarëve të të dyja departamenteve speciale. Raporti 3-faqësh, në fakt i jepte përgjigje vetëm njërës prej shtatë pyetjeve – asaj për anëtarët që ishin në komisionin përzgjedhës. Bazuar në këtë informatë, në krye të Komisionit ishte Skender Çoçaj, i cili e drejton edhe KGJK-në. Ndërkaq, anëtarë ishin Nenad Laziq dhe Armend Berisha, kurse anëtar rezervë ishte Anita Krasniqi-Prenaj.
Gazeta i ka ridërguar pyetjet, përgjigjet e të cilave mungonin, por KGJK-ja është treguar e “shurdhër” ndaj tyre.
E, në raport KGJK-ja ka folur në superlativ për ecurinë e procesit, të drejtuar nga kryesuesi i saj.
“Procesi i rekrutimit të kandidatëve për gjyqtarë në Departamentin Special, nga KGJK është vlerësuar si proces i zhvilluar në mënyrë profesionale dhe transparente dhe si i tillë që nga fillimi është zhvilluar nën monitorimin e partnerëve ndërkombëtarë, përkatësisht zyrës së BE-së në Kosovë dhe Ambasadës së SHBA-së në Kosovë”, thuhet si përfundim në këtë raport. “Vlen të theksohet se nga të njëjtit është vlerësuar lart si proces i rregullt dhe transparent”.
Por, Ambasada e Shteteve të Bashkuara (SHBA) nuk e ka konfirmuar këtë vlerësim, për të cilin ka folur KGJK-ja në raport. Gazeta ka adresuar pyetje në Ambasadë dhe ka marrë konfirmimin për pranimin e tyre. Megjithëkëtë, për procesin ajo ka refuzuar të japë një vlerësim, qoftë pozitiv apo negativ.
Ndërkaq, në Zyrën e BE-së në Kosovë vetëm kanë thënë se procedura është kryer në përputhje me rregulloren përkatëse, dokument të cilin kanë thënë ta kishin mirëpritur.
Në fakt, BE-ja vazhdimisht ka adresuar kritika për gjyqësorin. Edhe në Raportin për Kosovën, që Komisioni Evropian e ka publikuar në 2019-n, është theksuar se “gjyqësori është ende i cenueshëm ndaj ndikimit të parregullt politik”. Aty është theksuar edhe se Kosova është në një fazë të hershme në luftën kundër korrupsionit, e edhe në luftën kundër krimit të organizuar.
Lidhja me të fortët
Procedura e përzgjedhjes së këtyre gjyqtarëve është e paraparë në Rregulloren për organizimin dhe funksionalizimin e Departamentit Special në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit, dokument që KGJK-ja e kishte miratuar më 23 prill të këtij viti.
Rregullorja kërkon që departamentet të pasqyrojnë shumëllojshmërinë etnike, por të përzgjedhurit janë vetëm shqiptarë. Megjithëkëtë, në kuotën sa kërkon ky dokument, vende të lira janë lënë për gjyqtarë që u takojnë komuniteteve joshumicë.
Bazuar në rregullore, për të ushtruar profesionin në ndonjërin prej të dyja departamenteve speciale, kandidatët duhej të përmbushnin edhe kritere plotësuese, përtej atyre që kërkohen me ligj. Kësisoj, kërkohej që kandidati të ketë reputacion të lartë të dëshmuar profesional; të ketë integritet të dëshmuar profesional; të mos ketë të shqiptuar masë disiplinore, përveç masës qortim; të ketë kapacitet të dëshmuar për arsyetime ligjore; dhe të ketë performancë pozitive.
Por, sa i përmbushin këto kërkesa specifike gjyqtarët e përzgjedhur?
Vaton Durguti është përzgjedhur si gjyqtar për të shërbyer në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit. Kur e mori këtë funksion, ai ishte në mandatin e dytë si kryetar i Gjykatës Themelore në Gjakovë. Mbështetur në burime të gazetës, gjatë kohës sa ka shërbyer kryetar i kësaj gjykate, ai nuk ka marrë pjesë në panele gjyqësore. Sipas burimeve, pjesë e paneleve ka qenë vetëm në 2 raste.
Madje, Durguti donte ta braktiste punën prej gjyqtari, pak përpara se të përzgjidhej në Departamentin Special. Emri i tij ka figuruar tek lista preliminare e kandidatëve, të cilët i plotësonin kushtet për t’iu nënshtruar provimit të Noterisë, e postuar më datën 24 maj nga Ministria e Drejtësisë. Mirëpo, emri i tij nuk figuronte më tek njoftimi për kohën e mbajtjes së provimit me shkrim të noterisë dhe për afatin e pagesës së provimit, e postuar pesë ditë më vonë.
Në lidhje me këto çështje, gazeta ka dërguar pyetje në adresën zyrtare të Durgutit, por prej më shumë se një jave kanë munguar përgjigjet.
Valon Kurtaj është zgjedhur gjyqtar në Departamentin Special pranë Themelores në Prishtinë. Pak muaj pasi e kishte nisur punën si gjyqtar, në janar të vitit 2013 ishte emëruar për të shërbyer në Departamentin e Përgjithshëm në Themeloren e Prizrenit. Atëkohë, aty e ka ndarë drejtësinë edhe kryesuesi aktual i KGJK-së, Skender Çoçaj, i cili ishte edhe në krye të komisionit për përzgjedhjen e gjyqtarëve në të dyja departamentet speciale. Sipas burimeve, gjatë kohës sa kanë qenë kolegë dhe gjyqtarë në Prizren, raportet mes tyre ishin miqësore.
Për këto lidhje kanë refuzuar të flasin në KGJK e edhe vetë gjyqtari Kurtaj, të cilit gazeta i ka përcjellë pyetje në e-mail. Ai është pyetur edhe për rastet më kryesore gjyqësore në të cilat ka ndarë drejtësi, por përgjigjja ka munguar.
Kurtaj është djalë i një avokati dhe në vitin 2017 ishte emëruar drejtor ekzekutiv i Akademisë së Drejtësisë.
Valbona Musliu-Selimaj është përzgjedhur për t’i gjykuar rastet më të rënda, dhe është bashkëshortja e ish-drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Agron Selimaj, njeriut që vetëm pak kohë pas dorëheqjes kishte nisur punën e avokatit. Ajo nuk iu ka përgjigjur pyetjes në lidhje me ndikimin në përzgjedhje që mund ta ketë pasur fakti që është bashkëshortja e ish-drejtorit të AKI-së.
Ndryshe nga dy të parët, dhe ndonëse është emëruar gjyqtare tek në vitin 2012 dhe tre vjet më vonë është caktuar gjyqtare në Departamentin për Krime të Rënda, Musliu-Selimaj ka trajtuar disa raste të mëdha gjyqësore. Mes tyre është rasti ndaj ish-zyrtarëve të lartë të Agjencisë së Akreditimit, F. ZH. dhe B. M., që akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Gjyqtarja i ka shpallur të pafajshëm, në mungesë të provave.
Ai kishte ndarë drejtësinë edhe në raste, në të cilat kishte shqiptuar dënime të mëdha dhe pas rigjykimeve që kishin ndodhur me vendim të shkallëve më të larta, dënimet ishin ulur. Kësisoj, kjo kishte ndodhur edhe në gjykimin për vrasjen e ish-eprorit të krimeve ekonomike, Shemsi Gashi, e edhe në rastin “Badovci”, në të cilin një grup personash janë dënuar për vepra që lidhen me terrorizëm.
Mes rasteve që janë në proces, është edhe ai i kryetarit të Federatës së Futbollit (FFK), Agim Ademi, e edhe Rasti i Vizave, ku është i përfshirë djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova, ish-deputeti Ukë Rugova.
Mungesa e përvojës
Arben Hoti është një tjetër gjyqtar special, që shërben në Themeloren e Prishtinës. Ka nisur punën në vitin 2012 në Ferizaj, e nga viti 2016 ka qenë gjyqtar në Departamentin e Krimeve të Rënda në Themeloren e Prishtinës.
Mbështetur në deklarimin e pasurisë, gjyqtari Hoti vozit veturë në vlerë 24 mijë eurove, ndërsa totali i pasurisë që e ka deklaruar në Antikorrupsion ka shumën 553 mijë euro.
Në vitin 2014, Agjencia Kundër Korrupsionit kishte hapur një rast kundër tij, për konflikt interesi. Duke qenë gjyqtar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, vazhdonte të ishte person i autorizuar në një biznes privat, përkatësisht zyre të avokatisë. Rasti ishte mbyllur, pasi ai ishte bindur ta shmangte situatën e konfliktit të interesit në të cilën ndodhej.
“Zyrtari i lartë, z. Hoti fillimisht është njoftuar me shkresë zyrtare nga Agjencia Kundër Korrupsionit, pas së cilës ai është paraqitur në takim me zyrtarët e Agjencisë Kundër Korrupsionit, me ç’rast është njoftuar me situatën në të cilën ndodhet, si dhe me ndryshimet që duhet të bëjë, për të shmangur dhe për të parandaluar kështu situatën e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit të tij publik”, thuhet në vendimin e Agjencisë, të cilin e ka parë gazeta. “Ndërkohë, z. Hoti në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka sjellë një shkresë zyrtare (DPK/DPKI-03-4543/14) bashkë me ‘Informata mbi biznesin’ nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) në të cilën shihet se ai ka hequr dorë nga të qenit person i autorizuar i biznesit privat ‘Avokatura Arbern Hoti’, duke emëruar në këtë pozitë një person të besuar. Z. Hoti ka sjellë gjithashtu edhe Vendimin e Odës së Avokatëve të Kosovës, me të cilin është aprovuar kërkesa e tij që të shlyhet nga regjistri i avokatëve...”.
Edhe ky gjyqtar ka ndjekur rrugën e kolegëve të tij për të mos iu përgjigjur gazetës në pyetjet që i janë adresuar.
Nga rastet kryesore në të cilat ka ndarë drejtësinë Hoti, është ai ndaj ish-zyrtarit të Komunës së Prishtinës, S. K., i cili akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ky ish-zyrtar qe liruar nga akuza, për shkak të parashkrimit të lëndës.
Ka marrë pjesë edhe në rastin ndaj të akuzuarit për krime lufte, Skender Bislimi, në të cilin gjyqtari Hoti e ka gjetur fajtor të pandehurin dhe i ka shqiptuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 10 vjetësh.
Albina Shabani-Rama ka shërbyer nga 2015-a si gjyqtare në Divizionin për çështje penale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, deri para një muaji kur është përzgjedhur gjyqtare speciale.
Rasti më kryesor në të cilin ka marrë pjesë, është ai për keqpërdorim të Fondit 3 për qind, kundër B. B., N. O., dhe A. G.. Rreth pesë muaj pasi ishte mbajtur seanca fillestare, ndaj N. O. dhe A. G. është mbajtur shqyrtimi i dytë, gjatë të cilit të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre kanë kërkuar hedhjen e aktakuzës. Pas ankesave që ishin deponuar edhe në shkallë të dytë, aktakuza është konfirmuar.
Burim Ademi është përzgjedhur për të shërbyer në Departamentin Special në Gjykatën e Apelit, dhe punën prej gjyqtari e ka nisur në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kur është emëruar në vitin 2012.
Nga rastet kryesore në të cilat ka marrë pjesë, është ai i M. M. dhe të tjerët, që akuzoheshin për pjesëmarrje apo organizim i grupit kriminal të organizuar; Posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e substancave narkotike; si dhe Rastit A. H. që akuzohej për kontrabandim me emigrantë.
Kreshnik Radoniqi është një tjetër gjyqtar special. Pas diplomimit ai ka punuar si zyrtar ligjor në Ministrinë e Drejtësisë e më pas si avokat. Ai ka ardhur në Departamentin Special, nga pozita e kryetarit të Gjykatës Komunale në Pejë.
Për një kohë ka punuar gjyqtar i Departamentit të Krimeve të Rënda në Themeloren e Prishtinës. Rastet me rëndësi në të cilat ka ndarë drejtësinë janë: M. Z., i akuzuar për krime të luftës; si dhe N. P., i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.
Musa Konxheli do të merret me rastet që vijnë përpara Departamentit Special në Themeloren e Prishtinës dhe punën prej gjyqtari e kishte nisur në vitin 2004. Nga shtatori i vitit 2014 ai kishte kaluar në Departamentin për krime të rënda në Themeloren e Ferizajt.
Ai ka ndarë drejtësinë në rastin e zyrtarëve të Komunës së Kaçanikut, të akuzuar për veprën penale në bashkëkryerje “falsifikim i dokumenteve zyrtare”, e edhe në rastin e M. M. dhe të tjerët, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Krahas tyre, edhe në disa raste për dhënie ose marrje ryshfeti, pastaj për keqpërdorim të detyrës zyrtare, e edhe për ushtrim të ndikimit.
Shahadije Gërguri ka qenë gjyqtare në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë deri në emërimin e saj në Departamentin Special të po kësaj gjykate.
Punën prej gjyqtareje ajo e ushtron prej 9 vjetësh.
Gërguri ka marrë pjesë në disa nga rastet më të njohura për publikun, sikur është rasti “Stenta”, në të cilin të akuzuar janë F. A dhe G. SH., si dhe në rastin “Stenta 2”, në të cilin numri i të akuzuarve është shumë i madh. Mes rasteve të tjera, është edhe ai ndaj ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës I. H., S. C., B. S., V. A., B. I., A. M., A. A., M. SH., G. C. dhe D. R., pastaj rasti “TOKA”, që implikon edhe njerëz të politikës në krim të organizuar, shpëlarje të parave, keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, legalizim të përmbajtjes së rreme, mashtrim dhe shmangia nga tatimi.
Padia kundër KGJK-së
Kësisoj, fare pak nga të përzgjedhurit kanë përvojë në rastet e gjykimit të profileve të larta. KGJK-ja nuk ka lejuar që procesi i përzgjedhjes së tyre të monitorohej, nën arsyetimin e mbrojtjes së të dhënave personale.
GLPS-ja më 8 maj kishte deponuar në KGJK një kërkesë për monitorimin e procesit të përzgjedhjes së gjyqtarëve për të dyja departamentet speciale.
“Duke marrë parasysh ndjeshmërinë e këtij procesi dhe rolin e këtyre gjyqtarëve në sistem, Grupi për Studime Juridike dhe Politike shpreh interesimin e monitorimit të këtij procesi”, thuhej në kërkesë. “Njëkohësisht, GLPS shpreh gatishmërinë që do të respektojë të gjitha rregullat procedurale dhe ato të konfidencialitetit që e shoqërojnë këtë proces”.
Rreth tri javë më vonë, KGJK-ja e kishte refuzuar këtë kërkesë, nëpërmjet një vendimi që e kishte marrë.
“KGJK, në takimin e mbajtur më datë 27 maj 2019, pasi që shqyrtoi kërkesën përkatëse, konsideroi se nuk ka bazë ligjore”, thuhet në arsyetimin e vendimit për refuzim. “Andaj, Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mungesë të memorandumit të bashkëpunimit në mes të KGJK-së dhe GLPS-së, ku do të specifikoheshin të drejtat dhe detyrimet e secilës palë, posaçërisht mbrojtja e të dhënave personale të kandidatëve, vlerësoi se kërkesa duhet të refuzohet”.
Pas kësaj, dhe kur përzgjedhja kishte përfunduar, GLPS-ja kishte parashtruar kërkesë për qasje në dokumente publike. Këto ishin dokumentet, në të cilat ishte kërkuar qasje: Vendimi i KGJK-së për mbyllje të procesit për monitorim nga organizatat e shoqërisë civile, dhe arsyetimi i saj për një mbyllje të tillë; Lista e të gjithë gjyqtarëve të cilët kanë kandiduar për pozitat e hapura për Departamentin Special pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit; Lista e anëtarëve të Komisionit Vlerësues; Metodologjia e vlerësimit, në kuptim të detyrimeve ligjore dhe akteve të vetë KGJK-së, ku përfshihen mënyra si është bërë vlerësimi i performancës paraprake të kandidatit, mënyra si është ushtruar matja e kredibilitetit të kandidatit, mënyra si është vlerësuar matja e integritetit të kandidatit, mënyra e përcaktimit të aftësisë profesionale dhe pastërtisë së figurës së kandidatëve, dhe formula mbi të cilën janë llogaritur pjesëmarrja e secilit kriter në pikësimin final të çdo kandidati; Baza ligjore ku është bazuar një formulë e tillë e matjes; Pikësimi për çdo element të formulës së vlerësimit të secilit kandidat, me pikët e ndara nëpër secilën fazë; dhe Çdo informacion tjetër që, në vlerësimin e KGJK-së, dhe në kuptim të detyrimeve ligjore, ka qenë relevant për të marrë vendimin që KGJK-ja e ka ndërmarrë.
Nuk kishte pranuar një përgjigje, ani se e drejta e qasjes në dokumente publike është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe precedentin gjyqësor të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“GLPS dhe Drejtësia Sot rithekson që KGJK-ja nuk mund të shfrytëzojë arbitraritetin si mjet për të shuar zërat që kërkojnë përgjigje mbi këtë proces të rëndësishëm, siç nuk mund të fshehë që preferencat personale janë ato të cilat kanë përcaktuar që ky proces të jetë i mbyllur, dhe jo ligjet në fuqi”, kanë thënë në GLSP, organizatë që tani këto informacione është duke i kërkuar nëpërmjet gjykatës. “Kjo e fundit, fatkeqësisht, mbetet e vetmja arsye pse KGJK-ja nuk pranon që të ndajë me ne dhe publikun informacionet e kërkuara”.
(Storia është mbështetur nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, i cili përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë ka krijuar platformën “Drejtësia Sot”, me qëllim të monitorimit të punës së KGJK-së, KPK-së, të gjitha gjykatave dhe prokurorive në Kosovë. Puna e zhvilluar në kuadër të kësaj platforme mbetet përgjegjësi ekskluzive e GLPS-së dhe nuk pasqyron pikëpamjet e Ambasadës Britanike në Prishtinë)