Zëri i serbëve të Kosovës është shuar dhe të gjitha mekanizmat janë vënë në shërbim të një grupi politik, Listës Serbe, që nuk po bën asgjë pozitive për popullin serb, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në mandatin e kaluar qeveritar, Nenad Rashiq, kryetar i Partisë Demokratike Progresiste.
Ai thekson që Beogradi zyrtar po i përdorë serbët e Kosovës si instrument për pozicionim para dialogut, por edhe për arsye të tjera. Pavarësisht se të dyja palët janë në kurse të ashpra, Rashiq pret që së shpejti do të nisë faza përfundimtare e dialogut Kosovë-Serbi.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Rashiq, si mund ta përshkruani gjendjen në komunitetin serb në Kosovë, por edhe përfaqësimin e tyre politik në institucionet e Kosovës nga Lista Serbe, e cila merr pjesë në të dy nivelet e pushtetit, qendror dhe lokal?
Nenad Rashiq: Ajo që kanë bërë në vitin që po lëmë, nuk mund të matet në kuptimin pozitiv. Fatkeqësisht në kuptimin negativ, sepse janë shfrytëzuar si një mekanizëm, i cili në fund të fundit ka dashur, gjegjësisht, ka imponuar një politikë fatale për korrigjimin potencial, për ndarjen ose ndërrimin e kufijve, quajeni si të doni. Me vetë këtë ide, e ka dëmtuar dhe rrezikuar aq shumë serbët, sidomos në jug (të lumit Ibër), saqë tashmë po flasim për eksodin potencial që mund të ndodhë në qoftë se ajo ide fatale do të dalë në dritë apo të jetë në tavolinën e bisedimeve.
A po zbehet ideja për ndryshimin e kufijve?
Prandaj, fatkeqësisht unë nuk shoh madje as një shembull pozitiv nga Lista Serbe, por shoh plotë shembuj negativ dhe ky është problemi ynë më i madh. Ky është problemi më i madh në veri të Kosovës, ku zëri jonë është shuar dhe ku të gjitha mekanizmat janë vënë në shërbim vetëm për një grupacioni politik, i cili fundja nuk punon asgjë pozitive për popullin serb.
Radio Evropa e Lirë: Në dy raste gjatë këtij viti kemi parë që përfaqësuesit politikë të komunitetit serb kanë bojkotuar institucionet e Kosovës. Në muajin mars Lista Serbe ka thënë se e ka braktisur Qeverinë e Kosovës. Ndërkaq, së fundmi 4 kryetarë të komunave veriore kanë dhënë dorëheqje. A kanë sjellë pasoja këto veprime?
Nenad Rashiq: Nuk e di se a mund të ketë kjo pasoja ligjore, por sa i përket pasojave politike, në këtë rast, me këta mekanizma, me një sistem të robëruar, i cili funksionon sipas një direktive që nuk është lokale, por më shumë është rajonale, mendoj që pasojat në këtë moment mund të jenë mjaft të kufizuara. Pse e them këtë? Fillimisht, pata thënë edhe më herët për atë se çfarë është më mirë, nëse e krahasojmë gjendjen e tanishme në Serbi - ku faktikisht të drejtat janë minimale - me atë këtu te ne (në Kosovë), ka qenë që këtu kemi pasur mundësinë që ta themi atë që mendojmë. Kjo ka qenë e lejuar dhe vazhdon edhe sot. Këtu ka ekzistuar mundësia për tu shprehur, për të folur. Ndërkaq, në rastin e tanishëm, fatkeqësisht, të gjithë mekanizmat, e sidomos mekanizmat sikur stacionet televizive dhe mekanizmat tjerë, shfrytëzohen pikërisht për të mbjellë bindjen që, për shembull, ndarja është gjëja më e mirë që mund të jetë për serbët e Kosovës.
Që nga vendosja e taksës për mallrat serbe po bëhet një improvizim i kinse katastrofës humanitare, e cila në fund do të duhej të mundësonte që një pjesë e veriut të Kosovës të ndahet, të bashkohet ose korrigjohet. Çka do të thotë kjo? Mekanizmat që janë përdorur që të mos i lejojnë serbët e Kosovës që të flasin, janë të mëdhenj dhe mjaft të fuqishëm. Ajo që është më tragjike, të gjithë ato medie, jo vetëm në Serbi, por po flas edhe për mediat lokale në gjuhën serbe në Kosovë, janë gati se krejtësisht të varura nga ndihma financiare që marrin nga fondet e Republikës së Serbisë. Kjo do të thotë që gati se të gjithë janë të detyruar që të jenë në shërbim të ideve të këqija, sikurse caktimi i kufijve, korrigjimi apo sido qoftë që i quani. Në çfarëdo rasti, kjo manifestohet në mënyrë katastrofale keq te serbët lokalë, të cilët, thjeshtë, më nuk kanë fuqi që të luftojnë përballë gjithë atyre mjeteve dhe gjithë atyre mekanizmave radikalë, të cilët për çdo ditë ndikojnë mbi ne, qoftë në mënyrë verbale, qoftë përmes ekraneve televizive, e madje përmes masave represive institucionale që përdoren ndaj qytetarëve.
Intervistën e plotë lexojeni në Radio Evropa e Lirë