Arbëri

Raportimi medial dhe paralelet mes luftës në Bosnjë e Ukrainë

Ngjashmëri të shumta mes luftës në Ukrainë dhe luftës së para 30 vjetëve në Bosnjë-Hercegovinë, kanë identifikuar gazetarë të mediave ndërkombëtare, të cilët raportuan prej këtyre vendeve. Element thelbësor dhe forcë ndezëse e konfliktit është konsideruar propaganda mediale që vazhdon të përbëjë kërcënim për botën demokratike

Detonatori që e kërkonte ish-Jugosllavia për ta ndezur fuqinë e barutit gjatë viteve ‘90 ishin mediat. Në fakt, tri dekada pas përfundimit të luftës përshkrimi që u jepet disa mediave që kontrolloheshin nga pushteti është se viktimat u vranë dy herë- një herë në media e më pas në realitet.

Në vitet e para të shpërthimit të luftës në Bosnjë-Hercegovinë, propaganda mediale ishte e madhe veçmas deri në vitin 1997, kur paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO-ja ndaluan transmetuesit e televizionit serb të Bosnjës. Kjo e privoi nga arma e tij më e fuqishme Radovan Karaxhiqin, udhëheqës serb i Bosnjës në kohën e luftës, që më vonë do të akuzohej si kriminel lufte.

Më 5 prill, Bosnjë-Hercegovina shënoi 30-vjetorin e nisjes së rrethimit më të gjatë dhe të egër të një kryeqyteti evropian. Për rreth 1.500 ditë, forcat e ushtrisë serbe në Sarajevë vranë rreth 11 mijë njerëz. Një ndërhyrje e NATO-s në konfliktin e Bosnjës çoi në Marrëveshjen e Dejtonit, e cila e ndau vendin përgjatë vijave etnike.

Ngjarjet e kohës atëkohë mbuloheshin nga gazetarë vendorë dhe të huaj, të cilët i dëshmuan botës tmerret e luftës. Në një ngjarje të organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Bosnjë-Hercegovinë me gazetarët e rajonit, pjesë e së cilës ishte edhe “KOHA”, u diskutua për integritetin e informacionit dhe mediave në luftë.

Ish-korrespondentja e “Associated Press”, Aida Çerkez, ka rrëfyer për propagandën dhe dimensionet e luftës.

“Përvoja ime është e ndryshme prej të tjerëve këtu. Derisa të tjerët shkojnë në luftë, në rastin tim, lufta erdhi tek unë. Ajo e ndikoi jetën time, rrethin tim shoqëror, vendin tim dhe njerëzit e mi. Lufta ka segmente të ndryshme dhe konflikti i armatosur është vetëm njëri prej tyre, më i dukshmi. Por segmentet e tjera janë luftëra ekonomike, të cilat i pamë në rastin Rusi-Ukrainë, ka luftë kulturore por më e rëndësishmja ndoshta - lufta e mediave. Është e vështirë të jesh objektiv kur vetë e përjeton luftën dhe sapo ke humbur dikë. Por duhet ta shohim qëllimin final. Dhe nëse ai qëllim është që bota të bëhet më e mirë jo vetëm vendi juaj, atëherë mjeti më i rëndësishëm për të arritur atje është e vërteta. Ka gazetari patriotike dhe është shumë e lehtë të rrëshqasim drejt kësaj gazetarie kur vendi juaj është i prekur, pra në rastet kur jeni viktimë dhe reporter. Por nëse vërtet jeni patriot duhet t’ia thoni kombit tuaj të vërtetën, jo të gënjejmë”.

Ndërkaq reporterja e “CNN”-it, Christiane Amanpour, përmes një lidhjeje nga Kievi, ka thënë se ngjarjet e para 30 vjetëve ngjajnë me ato të sotmet në Ukrainë.

“Çfarë po ndodh këtu sot, 30 vjet pas atyre që ndodhën në Sarajevë është shumë e ngjashme. Këtë e di më së miri gjenerata ime e gazetarëve që mbuluam Bosnjë e Hercegovinën se ajo që po ndodh këtu është e ngjashme me tmerret që pamë në Bosnjë. Ishte fillimisht Bosnja prej ku kuptova se çka do të thotë të jesh objektive. Dhe mësova se objektivitet nuk do të thotë të jesh neutral dhe se nuk duhet të trajtohet njëjtë si viktima ashtu edhe agresori. Mësova se duhet të jemi të vërtetë dhe jo neutralë. Ky është slogani të cilin e përdor gjithmonë”.

E britaniku Edwrd Vullian, gazetar i “The Guardian” e “Observer” që kishte zbuluar kampet e përqendrimeve në Bosnjë, ka folur për dilemat që kishte bota rreth raportimeve të kohës.

eksponentë të asaj kohe në Britani, Amerikë e Gjermani që thoshin se kampet ishin false, nuk ekzistonin. Por më vonë u dëshmua e kundërta kur bota kuptoi se ato ishin aty dhe siç dihet u trajtuan edhe nga Tribunali i Hagës. Nëse ishte shumë e vështirë për ne si reporterë, si ishte për të mbijetuarit dhe gratë e dhunuara t’u tregojnë disa idiotëve dhe akademikëve që kishin mbështetje të establishmentit britanik se çfarë kanë përjetuar dhe se nuk po thonë rrena”, ka potencuar Vulliani.

Roger Cohen i “The New York Times” ka thënë se manipulimi i historisë prej liderëve që ndezin luftërat është elementi nëpërmjet të cilit arsyetohen ato.

është e rrezikshme, shumë e rrezikshme. Sot vetëm duhet të shikoni se çfarë po ndodh në Moskë për ta kuptuar obsesionin e Putinit i cili në mes të Covidit shkroi pesë mijë fjalë për të argumentuar se ukrainasit në fakt janë rusë. Ai pushtoi Ukrainën, ashtu sikurse Millosheviqi ishte i obsesionuar me idenë e serbëve etnikë, për ta krijuar Serbinë e madhe, për ta shkatërruar Bosnjën. Të gjithë i dimë pasojat e kësaj”, ka thënë ai.

Vendin, që përbëhet prej tri etnive kryesore: boshnjakë, serbë e kroatë, edhe 30 vjet pas vazhdon ta përcjellë jostabiliteti politik. Politika vazhdon t’u fryjë përçarjeve dhe ka tendenca për shfrytëzimin e mediave në përhapjen e progadandës.

Pas luftës në Ukrainë, NATO-ja ka ngritur alarmin për rrezikun e përhapjes së konfliktit në vendet e tjera, ku vendi me potencialin më të madh të përshkallëzimit konsiderohet Bosnjë-Hercegovina.

Bosnjë-Hercegovina bën pjesë në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s dhe ka shprehur aspiratat që të bëhet anëtare. Por ky proces nuk ka avancuar për shkak të problemeve të brendshme politike. Ndërkaq, BE-ja ka në Bosnjë-Hercegovinë një mision ushtarak (EUFOR), që pas agresionit rus mbi Ukrainën dërgoi 500 pjesëtarë shtesë krahas 3500 sa i kishte.

Udhëheqësi serb Milorad Dodik, prej kohësh ka bërë thirrje për shkëputjen e Republika Srpska, që është rajon i banuar me shumicë serbe në Bosnjë. Sipas tij, serbët e Bosnjës mund të tërhiqen edhe nga ushtria e përbashkët.

Pas luftës së viteve të 90-a Bosnja ishte ndarë në dy entitete, Federata Myslimane-Kroate dhe Republika Srpska. Dy entitetet udhëhiqen nga Qeveria qendrore. Dodiku është anëtari serb i Presidencës trepalëshe, e cila përbëhet edhe nga një president mysliman dhe një kroat.