Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave të mëdha ndërkombëtare. Associated Press, The Guardian, BBC e Al-Jazeera në raportimet e tyre janë përqendruar të pikat e aktakuzës, por edhe te lufta që rezultoi me çlirim e pavarësi
“Askush nuk është mbi ligjin: Hapet gjykimi kundër ish-presidentit të Kosovës”, është titulli kryesor i raportit të agjencisë ndërkombëtare të lajmeve Associated Press për procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Për gjykimin, që nisi të hënën, kanë shkruar edhe media të tjera ndërkombëtare.
The Guardian, Associated Press, BBC dhe Al-Jazeera, por edhe media të tjera që kanë raportuar që nga dita e djeshme, theksin e kanë vënë mbi akuzat që rëndojnë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe te deklarata e tij hyrëse, ku u deklarua i pafajshëm.
Gazeta The Guardian nisi raportimin për këtë proces me detaje nga viti 2020 kur Thaçi u njoftua për aktakuzën, teksa ai raportohej se ishte rrugës për në Uashington për një takim në Shtëpinë e Bardhë ku do të takohej me presidentin e Serbisë. Atëkohë Thaçi anuloi vizitën e tij dhe në vend të tij një muaj më vonë shkoi kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti.
Rrjeti britanik BBC raportoi më në detaje për aktakuzën, për lokacionet ku pretendohet nga Specialja se janë kryer krime si dhe për dorëheqjen e Hashim Thaçit nga pozita e presidentit në vitin 2020.
BBC-ja i kushtoi vëmendje edhe luftës në Kosovë, duke shfaqur një historik të shkurtër, që çoi në çlirim dhe në shpalljen e pavarësisë më 2008.
Përveç për rastin Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, BBC-ja raportoi shkurt edhe për dënimin me burgim të komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa nga Dhomat e Specializuara të Kosovës si dhe për gjykimin, e më pas lirimin e Ramush Haradinajt nga Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi.
Ndërkohë Al-Jazeera në raportimin për rastin u përqendrua në detajet e aktakuzës mbi Thaçin dhe të tjerët dhe parashikoi një proces të gjatë, gjë që është konfirmuar edhe nga Dhomat e Specializuara në Hagë.