Korporata Energjetike e Kosovës është dëmtuar financiarisht nga shitja e metaleve së paku në tri kontrata. Një raport i Auditorit të Brendshëm të KEK-ut, nga viti 2017, i klasifikuar si konfidencial, tregon për mashtrimin në peshore nga operatori ekonomik fitues, për zhvlerësim të bakrit dhe për mosregjistrim të ngarkesave me metale. Në një rast madje tregon se një kamion pa ngarkesë ishte peshuar më shumë sesa kur ishte ngarkuar me metale. Para këtij raporti gazeta “Koha Ditore” pati raportuar për keqpërdorimet në kontratën për shitjen e skrapit
Një raport i klasifikuar si konficencial i auditorit të brendshëm të Korporatës Energjetike të Kosovës, i siguruar nga KOHA, i ka vërtetuar shkeljet e kontratës për shitjen e skrapit, për të cilat gazeta “Koha Ditore” pati raportuar para afro gjashtë vjetësh.
Ky raport i datës 31 tetor 2017 që u bë pas hulumtimit të “Kohës Ditore” në korrik të të njëjtit vit, i botuar në tri vazhdime, flet për mashtrimin në peshore, zhvlerësim të bakrit dhe mosregjistrim të ngarkesave me metale. Siç thuhet në raport, dëmi që ia kishte shkaktuar operatori ekonomik “Eco-metal” Sh.P.K. & “Rec Kos” Sh.P.K. gjatë bartjes vetëm në pesë data të ndryshme del të jetë për 62.240kg hekur.
Raporti, po ashtu, konstaton se kompania fituese e kësaj kontrate pati filluar bartjen e skrapit pa plotësuar letrën e autorizimit, siç parashihej me kontratë. Tutje në këtë dokument thuhet se projektmenaxheri i kësaj kontrate ka lejuar matjen e metaleve jashtë peshoreve të KEK-ut (në peshoren e ‘Rec Kos’ në Fushë-Kosovë), pa u konsultuar me Zyrën ekzekutive të prokurimit të KEK-ut dhe menaxhmentin e KEK-ut. Kjo ka ndodhur nga data 07.04.2017 deri më 19.05.2017, kurse zbatimi i kontratës ka nisur më 31.03.2017. Gjatë asaj periudhe ishin bërë 28 matje, ku i pranishëm ka qenë vetëm koordinatori i komisionit nga radhët e KEK-ut, kurse në kontratë specifikohej se prezent duhej të ishte projektmenaxheri.
“Bazuar në dokumentacionin e analizuar kemi vërejtur që OE nga data 19.05.2017 deri më datën 29.05.2017 nuk ka bërë bartje, por vetëm prerje. Më datën 29.05.2017 OE ka rifilluar të bëjë edhe bartjen e mbeturinave të metalta. Matjet e këtyre bartjeve i ka bërë në peshoren tjetër të OE, përkatësisht në peshoren KIMI SH.P.K të ‘ECO Metal’ në Palaj deri më datën 24.07.2017. Gjatë kësaj periudhe janë bërë gjithsej 52 matje, të gjitha në prezencë vetëm të koordinatorit. Për këtë ndryshim të peshores, projketmenaxheri ishte konsultuar vetëm me OE dhe gojarisht kishte bërë një lejim të tillë...”, thuhet në raport.
{gallery}
Zhvlerësimi i bakrit
Bazuar në këtë dokument, më 25.7.2017 drejtori ekzekutiv i shërbimeve të Korporatës përmes një e-maili kishte udhëzuar projektmenaxherin që ngarkesat të peshohen vetëm në hapësirat dhe peshoret e KEK-ut, e që kjo ka ndodhur vetëm pas interesimit të “Kohës Ditore” atëkohë rreth kësaj kontrate. E një muaj pas botimit të hulumtimit të “Kohës Ditore”, më 29.8.2017, Operatori Ekonomik (OE) pati rifilluar bartjen e mbeturinave të metalta dhe matjen e tyre e ka bërë në peshoret e KEK-ut, përkatësisht në hapësirat e Termocentralit A.
“Me qëllim të arrihet një saktësi në konstatime ZAB (Zya e Auditorit të Brendshëm v.j.) ka marrë për mostër dy lokacione që kanë qenë pika grumbulluese dhe ka shqyrtuar të gjithë procesain nga evidentimi i pjesëve të dala nga përdorimi, grumbullimi, bartja, deri tek peshimi (matja) e ngarkesës. Lokacioni i parë ka qenë Departamenti i pajisjeve ndihmëse (krahasimi I) dhe lokacioni i dytë ka qenë Sektori i elektrikës në Bardh (krahasimi II). Komisioni profecional në nivel të Departamentit (Komisioni i DPN) kishte përgatitur një raport me shkrim për të gjitha pjesët/pajisjet dhe maërialet e dorëzuara për skrap të cilat ishin bartur nga OE në këto data: 12.04.2017, 13.06.2017, 14.06.2017 dhe 15.06.2017”, thuhet në raport. “Bazuar në dokumentacionin e këtyre materialeve/pajisjeve dhe pjesëve të cilat janë ndarë nga këto pajisje, pesha totale e tyre arrin në 72,095 kg, ndërsa pesha e deklaruar sipas matjeve në peshoret e OE në prani të koordinatorit është 9,855kg. Diferenca në mes peshës së përllogaritur nga komisioni dhe ajo e deklaruar pas matjeve është 62,240kg”.
Siç thuhet në raport, krahasimi II ishte bërë në punëtorinë e Elektros në Bardh.
“Bazuar në dokumentacionin e pranuar nga PM dhe raportet e komisionit profesinal për mbikëqyrjen e implementimit të kontratës, ZAB ka konstatuar që OE me një bartje, datë 12.06.2017 ka marrë të gjitha materialet e dorëzuara nga ky sektor (kasetat metalike dhe 46 elektromotorët). Sipas fletëmatjes të kësaj date pesha totale e tyre ka qenë 2200kg”.
Pas këtyre analizave të bëra, Auditori pati konstatuar që 43 nga 46 elektromotorët e marrë nga OE kanë pasur rreth 1,673kg bakër dhe 17 nga 46 elektromotorët kanë pasur 5,950kg në total.
“Diferenca në këto raste është evidente pasi që ajo që deklaron komisioni profesional dhe ajo që është deklaruar pas matjes dallon. Vlera e dëmit fimnanciar për pjesën e hekurit që nuk është deklaruar është e papërcaktueshme, por gjithsesi keqpërdorimi është i vërtetueshëm”, theksohet në raport.
Pesha e kamionit me ngarkesë më e vogël sesa pa ngarkesë
Operatori ekonomik më 2 qershor 2017 pati bërë ankesë lidhur me përmbajtjen e sasisë së bakrit, ku pretendonte që bakri i vjetër është me përmbajtje metalike.
“Bakri është marrë nga OE më 02.06.2017 dhe pas peshimit nr.19 ka rezultuar të jetë 19,160kg. Pas më shumë se një muaji, përkatësisht më 04.07.2017 në prezencë të Projektmenaxherit, koordinatorit dhe menaxherit të OE-së është bërë matja e re pas seleksionimit të bakrit dhe metaleve tjera. Pas matjeve të reja ka rezultuar që pesha e bakrit të jetë 8,620kg (matja nr.100), ndërsa metaleve tjera 10,560 kg (matja nr. 1010)”.
Sipas raportit, bazuar në këtë seleksionim, ka rezultuar që pesha totale e bakrit ishte zhvlerësuar me 55,1 për qind (duke pretenduar që kjo përqindje është metale) dhe është llogaritur që vetëm 44,9 për qind është bakër i pastër.
Raporti evidenton se ka pasur dalje të kamionëve me ngarkesë të metaleve pa u evidentuar askund, pastaj shumë fletëdalje në data të ndryshme kishin numër të njëjtë, operatori ekonomik ka punuar në të njëjtën kohë në disa vende, duke e pamundësuar prezencën e personave përgjegjës dhe se bateritë me përmbajtje plumbi janë marrë për hekur, edhe pse çmimi i këtyre metaleve ndryshon shumë.
“Është siguruar një fletëmatje e datës 06.06.2017, nr. 25700 e cila peshën e parë (kamioni pa ngarkesë) e ka më të madhe sesa ajo e dytë (kamion me ngarkesë) për 4,840kg”, thuhet në raportin e Auditorit të Brendshëm të KEK-ut.
Për shkak të shkeljeve të evidentuara, Auditori ka kërkuar të ndërmerren masa disiplinore ndaj projektmenaxherit, koordinatorit dhe ndaj një komisioni.
Në kohën kur ka raportuar “Koha Ditore” për këtë kontratë sa ishte në realizim, burime brenda KEK-ut patën thënë se operatori ekonomik fitues i ka deklaruar 350 mijë kilogramë metale të tërhequra nga KEK-u, kurse sasia reale deri në atë kohë ishte 1 milion e 800 mijë kilogramë.
Çmimi total i kësaj kontrate ishte më shumë se 230 mijë euro, por nuk dihet saktë se sa ishte humbja që iu shkaktua KEK-ut. Pos kësaj kontrate, KEK-u është mashtruar edhe në dy të tjera në 2019 e 2020, por nuk ka treguar sa është dëmi dhe as nuk ka lejuar qasje në raportin e Auditorit të Brendshëm që flet për këto kontrata. Edhe këtë e ka klasifikuar si konfidencial.