Shumë rrugë nëpër komunat e Kosovës kanë mungesë të trotuarit. Mungon edhe ndriçimi publik. Në zonat urbane pak rrugë kanë shtigje të dedikuar për biçiklistë. Në mungesë janë edhe parkingjet publike. Këto janë disa ndër gjetjet e Raportit të Performancës së Ministrisë së Pushtetit Lokal për vitin 2019.
Raporti që ka matur performancën e 36 komunave në vend ka gjetur se ato s’kanë performuar mirë në infrastrukturën rrugore. Raporti ka kërkuar nga komunat që të krijojnë strategji për të mbështetur sektorët më të dobët të qeverisjes.
Sipas raportit, në zonat urbane përqindja e mbulesës së rrugëve me shtigje të biçikletave është vetëm 5.89. Ndërsa nga 57358.431 kilometra rrugë në zonat urbane dhe rurale vetëm 9.15 për qind e tyre janë të pajisura me trotuare, kurse 15.03 për qind me ndriçim publik.
Në këtë raport nuk janë përfshirë vetëm komuna e Mamushës dhe Dragashit.
“Infrastruktura rrugore duhet të kompletohet si në aspektin e asfaltimit të rrugëve ashtu edhe me infrastrukturë përcjellëse përfshirë trotuare dhe ndriçim publik. Drejtoritë komunale për infrastrukturë duhet të planifikojnë më mirë aktivitetet për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve lokale përmes kontraktimit të operatorëve përkatës. Gjithashtu, komunat duhet të punojnë në avancimin e infrastrukturës rrugore përmes krijimit të shtigjeve të biçikletave sidomos në zonat urbane si dhe zgjerimin e trotuareve për vendbanimet rurale”, thuhet ndër tjerash në raportin për vitin 2019.
Raporti flet edhe për parkingjet publike ku në këtë fushë është bërë matje e numrit të parkingjeve në komunë dhe numrin e vendparkimeve kundrejt veturave të regjistruara në komunë.
“Numri i parkingjeve në nivel të Kosovës për komunat të cilat kanë raportuar është 1 mijë e 437 me gjithsej 48 mijë e 788 vendparkime në raport me 460 mijë e 725 vetura sa janë të regjistruara në komunat që kanë raportuar. Krahasuar me numrin e automjeteve të regjistruara, komunat me vendparkime mbulojnë vetëm 15.22 përqind. Shkalla e vendparkimeve të destinuara për makinat taksi të regjistruara në komuna është 55.62 përqind. Sa i përket numrit të vendparkimeve për persona me aftësi të kufizuara, vetëm 50.40 përqind e parkingjeve i kanë të shënjuara vendet e tillë”, thuhet në këtë raport i cili nënvizon se komuna e Shtërpcës, Zubin Potokut, Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut dhe Klina nuk kanë ofruar informata për numrin e veturave të regjistruara në komunë.
Tjetër aspekt që është prekur në këtë raport është sistemi i kanalizimit. Sipas raportit, komunat nuk kanë ofruar të dhëna të saktë sa i përket numrit të vendbanimeve të cilat janë të përfshira në sistemin e trajtimit të ujërave të zeza. Ministria thekson se trajtimi i ujërave të zeza nëpër komuna është tejet i ulët.
Ajo ka kërkuar nga komunat që paralelisht me zgjerimin e rrjetit të kanalizimit të sigurohet edhe trajtimi i ujërave të zeza. Kërkohet nga komuna të vazhdojnë me investimet në sistemin e kanalizimit dhe të shqyrtojnë mundësitë për të gjetur burime financiare për krijimin e impianteve me qëllim që të evitohen problemet mjedisore që shkaktohen nga rrjedhja e ujërave të zeza në ambient.
“Edhe pse fusha e kanalizimit mbetet në nivel jo të kënaqshëm, komunat për çdo vit janë duke implementuar projekte të zgjerimit të rrjetit të kanalizimit, por ka edhe projekte të nisura për ndërtim të impianteve. Pavarësisht kostos, investimet në këtë fushë duhet të jenë prioritet i vazhdueshëm, marrë parasysh rëndësinë e evitimit të faktorëve ndotës të ujit dhe ambientit në përgjithësi”, thuhet në këtë raport.
Ndërkaq komunat kanë probleme edhe sa i përket planifikimit hapësinor meqë nuk kanë plane rregulluese të hollësishme.
“Të dhënat flasin për një shkallë mjaft të ulët të këtyre planeve të cilat janë tejet të rëndësishme për rregullimin e komunës. Sipërfaqja e territorit të komunës e mbuluar me plane rregulluese të hollësishme është në shkallë prej 14.05 përqind. Sa i përket lejeve ndërtimore, nga 5 mijë e 391 kërkesa të parashtruara për leje ndërtimi, nga komunat u shqyrtuan me kohë 4 mijë e 150 kërkesa apo 85.55 përqind . Sipas të dhënave, ndërtesat e reja për të cilat u lëshuan leje ndërtimore, u inspektuan në shkallë prej 73.86 për qind”, thuhet në raportin e performancës së komunave për vitin 2019.
Raporti i matjes së performancës ka përfshirë komunat siç është Zubin Potoku, Mitrovica Veriore, Zveçani, Graçanica, Mitrovica e Jugut, Kllokoti, Shtime, Gjakove, Klinë, Novobërdë, Shtërpcë, Pejë, Malishevë, Kamenicë, Lipjan, Gjilan, Istog, Viti, Hani i Elezit,Obiliq, Prishtinë, Partesh, Leposaviq, Junik, Podujevë, Ranillug, Vushtrri, Kaçanik, Suharekë, Prizren, Skenderaj, Deçan, Gllogoc, Rahovec, Fushë Kosovë dhe Ferizaj.