Berim Ramosaj, ligjërues në Fakultetin Ekonomik, thotë se në Kosovë partitë politike bëjnë koalicione joparimore.
Ai theksoi se partitë nuk punojnë për programe, por se diskutimet bëhen në baza personale. Sipas Ramosajt, në Kosovë lufta për pushtet nuk bëhet për ide, por për pozita.
“Lufta për qeverisje nuk bëhet për programe te ne, bëhet për njerëz. Nëse do të ishte ndërtuar qasja që qeverisjen e bëjmë me qëllim ta zbatojmë programin që e ka secila parti, më askush nuk do të kërkonte emra. Këtu asnjë ditë nuk e humb kush për t’u ulë për koalicione, për programe. Koalicionet bëhen krejt në baza personale, kush me qenë i pari. Një parti serioze kishte me thënë ‘ti ke fitu, mbaje kryeministrin, por nëse do t’i marrësh numrat e mi do ta realizosh programin tim’. Këtu bëhen koalicione joparimore, krejt në baza personale”, tha Ramosaj në “Konfront”.
Sopi: Loja e Kurtit është që ta shtyjë procesin deri te zgjedhjet lokale
Analisti politik, Agim Sopi, ka deklaruar se loja e kryeministrit Albin Kurti është që ta shtyjë procesin deri te zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Sopi ka thënë se me këtë rast Kurti do të tentojë të justifikohet para elektoratit duke thënë se e gjithë opozita është bërë bashkë, përfshirë edhe komunitetin joshumicë serb.
“Loja e z.Kurti është që ta shtyjë procesin deri në zgjedhjet lokale dhe të justifikohet para elektoratit që e gjithë opozita është bërë bashkë, së bashku me Listën Serbe, me Serbinë, me Rusinë, Kinën kundër tij, kurse opozita thonë që z.Kurti po na vjen si diktator që dëshiron të na imponojë një realitet kundërkushtetues pasi dëshiron të jetë autoritet patriark i përjetshëm, gjë që është e pamundur në një shtet demokratik”, ka thënë ai.
Sipas Sopit, lufta që po bëhet nga pushteti dhe opozita është absurde.
Sopi: Ftesa e presidentes që ligjet të mos bëhen pengesë, e rrezikshme
Opinionisti në “Konfront” të KTV-së, Agim Sopi, ka thënë se ftesa e Presidentes Vjosa Osmani që ligjet të mos bëhen pengesë për konstituimin e Kuvendit, është mesazh shumë i rrezikshëm.
Sipas tij, Osmani u thotë deputetëve që mund ta shkelin ligjin sepse tani janë të zgjedhur të popullit, gjë që Sopi thotë se është e gabueshme.
Sopi ka shtuar se Kushtetua duhet të interpretohet ashtu siç është, jo sipas dëshirave.
“Nëse i referohemi deklaratës së Presidentes, që thotë të gjendet një mënyrë e kapërcimit që d.m.th ligjet të mos u bëhen pengesë, kjo do të thotë që është një mesazh shumë i rrezikshëm, sepse t’u thuhet deputetëve që i kanë fituar votat, janë certifikuar dhe kanë ardhur të betohen në Kuvend, që mund ta shkelin ligjin sepse janë tani deputetë, qysh në ditën e parë të Kuvendit, është një mesazh tepër i rrezikshëm që përçohet te audienca. Me fjalë të tjera, në këtë rast interpretohen sipas dëshirave të juaja, e jo sipas germave të Kushtetutës. Kushtetuta është akti superior ligjor i një vendi”, ka thënë ai.
Ramosaj: Si mund të sillet dikush si deputet kur nuk e ka bërë ende betimin
Berim Ramosaj, ligjërues në Fakultetin Ekonomik, ka thënë se sjellja e përfaqësuesve të zgjedhur të popullit për legjislaturën e nëntë të Kuvendit nuk ishte rastësore në seancën konstituive.
Sipas tij, gati të gjithë përfaqësuesit kishin shkuar në seancë konstituive duke e ditur se ajo nuk do të zhvillohej.
“Gati që të gjithë ishin të motivuar për atë sjellje të tillë, për të shkuar e për të mos bërë asgjë. Si mundet dikush të sillet si deputet kur nuk është betuar për deputet. Ata derisa betohen ose marrin rolin, janë individë që duhet të kenë sjellje racionale”, ka thënë ai në “Konfront”.
Ramosaj ka shtuar se roli i deputetit fillon zyrtarisht me betimin e tij në Kuvend, e se pa e bërë betimin ai nuk konsiderohet deputet.
“Mendësia e ndërtuar se ata janë deputetë është mendësi e sjelljes së tyre potencialisht e mundshme. Ndërsa ana formale fillon në momentin e betimit sepse mund të fitosh votat për deputet, deri në momentin e votimit mund të kesh një aksident, mund të shkosh në burg, asnjë nuk të njeh për deputet. Ajo fillon institucionalisht në momentin kur japin betimin”.