Arbëri

Ramosaj: Kandidatët për kryeministër po fokusohen te votat, jo te vizioni për Kosovën

Profesori Berim Ramosaj ka vlerësuar se shumica e kandidatëve për kryeministër në Kosovë nuk po prezantojnë vizion të qartë për të ardhmen e vendit, por po përqendrohen kryesisht në grumbullimin e votave.

Sipas Ramosajt, kjo qasje vërehet te të gjithë kandidatët, duke theksuar se secili prej tyre po synon të forcojë pozitën personale në fushatë.

Duke analizuar kandidatët kryesorë, Ramosaj theksoi se kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, vazhdon me një stil karizmatik dhe tenton të projektojë veten si lider i fortë.

“Kjo qasje e tij tregon një lloj kontinuiteti, por jo ndonjë risi të veçantë. Kurti përpiqet me çdo kusht të nxjerrë në pah anët e tij të forta kundrejt rivalëve”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Për kandidatin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Ramosaj vlerësoi se synon të krijojë imazhin e një lideri të fortë, por shpesh me një qasje egoiste, që sipas tij, është në të drejtën e tij.

“Abdixhiku përdor një stil të lidershipit transformues, duke u përshtatur me vartësit, por mjetet e tij mbeten të vjetra”, u shpreh ai.

Ndërsa për kandidatin e PDK-së, Bedri Hamza, Ramosaj ka thënë se ka qasje menaxheriale, duke u mbështetur në punën ekipore, dhe nuk synon të projektojë një imazh të liderit të fortë.

“Kjo metodë mund të japë rezultate, por zakonisht funksionon më mirë në shoqëritë me nivel të lartë edukimi”, shtoi profesori.

Sa i përket kandidatit të koalicionit AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, Ramosaj e vlerësoi si një lider me qasje të fortë, i cili fokusohet kryesisht në siguri.

“Ndryshe nga kandidatët e tjerë, Haradinaj ka një objektiv të qartë dhe synon të dallojë veten si një lider që mund të bëjë diçka që të tjerët nuk e bëjnë,” përfundoi Ramosaj.