Gazetarja e KOHËS, Saranda Ramaj, ka thënë se Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale kanë lënë dyshime për huqje dhe pasaktësi në aktakuzat e ngritura ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së.
Duke komentuar dënimin e Salih Mustafës të premten me 26 vjet burgim, Ramaj ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së se është e paqartë se përse gjatë kumtimit të aktgjykimit ndaj tij u tha se aktgjykimi do të sjellë paqe mes grupeve në Kosovë.
Sipas saj, prokurorët dhe gjyqtarët e Dhomës së Specializuar në aktakuzë nuk i janë përshtatur çdo herë kontekstit aktual në Kosovë.
“Ky aktgjykim dënues, tha që do të sjellë paqe mes grupeve në Kosovë. Nuk e kam të qartë këtë pjesë. Shpeshherë edhe prokurorët dhe gjyqtarët e Dhomave të Specializuara që jo çdo herë i janë përshtatur kontekstit aktual në Kosovë. Nëse lexohet aktakuza për Thaçin dhe të tjerët, konsiderohet që fillimi dhe krijimi i UÇK-së ka qenë një tabor ndaj një partie politike kundërshtare, në këtë rast LDK-së. Nëse diskutohet kjo çështje, në Kosovë nuk diskutohet në këtë formë, për atë po them që ka disa çështje që janë parashtruar, e që njerëzit që jetojnë në Kosovë mund të kenë mospajtime. Njerëzit që kanë jetuar në atë kohë nuk është se kanë dakordancë me mënyrën se si e shpjegojnë kontekstit”, ka thënë Ramaj.
Ajo po ashtu ka përmendur faktin se asnjë serb nuk ndodhet në qendër të paraburgimit në Hagë, pavarësisht se është deklaruar se kanë mandat t’i hetojnë edhe serbët.
Salih Mustafa është shpallur fajtor për krime lufte në kompleksin në Zllash në vitin 1999.
Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë e ka dënuar me 26 vjet burgim si dënim të njësuar.
“Ju shpall fajtor për torturë si krim lufte, ndalim arbitrar si krim lufte, vrasje si krim lufte. Duke qenë se jeni shpallur fajtorë për më shumë se një vepër, trupi gjykues ka përcaktuar dënim më 10 vjet burgim për krimin së ndalimit arbitrar, dënim me 22 vjet burgim për torturë, 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme. Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia të premten.