Saranda Ramaj, gazetar e Grupit KOHA, ka thënë se Prokuroria duhet të merret me hulumtimin e KOHËS për dyshimet për keqpërdorime milionëshe në emër të pacientëve të sëmurë rëndë.
Një seri e hulumtimit se si miliona euro dyshohet të jenë abuzuar në emër të pacientëve të sëmurë rëndë do të publikohet për disa ditë rresht në KOHA.
Të hënën u dhanë vetëm detajet paralajmëruese të hulumtimit që do të pasojë me dallimet mes profaturave dhe faturave finale të spitaleve jashtë shtetit e me deklarata me zë dhe figurë të pacientëve.
Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Ramaj ka thënë se Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, që të martën reagoi por nuk dha demant të faktuar, do të bindet se hulumtimi s’do të nxjerrë emra të pacientëve apo moshë të fëmijëve, siç edhe ishte arsyetimi se përse Fondi i Sigurimeve Shëndetësore i mbante të mbyllura dokumentet e nuk ua mundësonte mediave qasjen në to. Ramaj ka kërkuar qasje në dokumentet e tilla prej vitit 2017.
Ramaj ka ofruar detaje se si shkon procedura që në raste të shumta dyshohet se është keqpërdorur. Fillimisht QKUK-ja është sistemi që lëshon referime për sëmundjet që s’mund të trajtohen në sistemin publik. Kusht është që tre mjekë, së paku një specialist, të shkruajë referimin se një patologji e tillë s’mund të kryhet në sistemin publik. Sipas saj, ka pasur raste kur në referime është përdorur mungesa e barnave të caktuar, apo se “është festë” dhe se publiku pushon, por punon sektori privat. Gazetarja ka thënë se këtu është hallka e parë që ka mundur të kontrollohej më lehtë.
Sipas saj, ka pasur raste kur sëmundjet që mund të trajtoheshin në Kosovë janë referuar për jashtë vendit. Arsyetimet e klinikave kanë qenë për mungesë materiali shpenzues, mungesa infermierësh apo edhe aparaturash.
“Kjo mund të menaxhohej. Ka pasur rast në një klinikë, kur një aparaturë ishte për disa muaj e prishur dhe çdo ditë kishte referime. Kur e pash tenderi për ta rregulluar, shuma ishte rreth 60 mijë euro. Pra shumë e rregullimit, disa herë më e ulët se shpenzimet që u ndanë për trajtim jashtë vendit”, ka thënë Ramaj. “S’dua të vij në konkludime, por shpresoj që Policia dhe Prokuroria do të merren me çështjen e trajtimeve jashtë vendit. Aty nuk ka transparencë”.
Ramaj ka komentuar edhe çështjen e marrëveshjes që Kosova e ka me Turqinë për trajtim të 100 pacientëve falas. Sipas saj, nuk ndodh që në këtë listë të përfshihen shumë raste të pacientëve trajtimet e të cilëve janë të shtrenjta.
Hulumtimi, sipas Ramajt, duhet të nxisë shqetësimin se çka ndodh me mjetet e shtetit sidomos se çka ndodh me faturat kur vijnë nga spitalet.
“Vijnë në mënyrë jo të ligjshme shumica e tyre. Zotimet kur lëshohen thonë që pas përfundimit të trajtimit, familja apo pacienti e sjell faturën. Një pjesë e madhe e pacientëve apo familjarëve s’e kanë parë kurrë faturën. Spitali ia ka sjell faturën fondit dhe këtu është shkëputur komunikimi i pacientit me spitalin. Pacienti nuk e di sa i kushton trajtimi. Janë vetëm disa familje që me insistim të madh kanë arritur t’i marrin dhe na kanë sjellë edhe neve”, ka thënë ajo duke shtuar se në fatura finale ka shumë analiza të gjakut e laboratorike që s’kanë figuruar në profatura apo edhe se kur ka pasur zotime për transplant, por që rastet kanë përfunduar pa të, ndërsa shuma e shpenzuar është e njëjtë sikur zotimi për transplant.
Ajo ka thënë se ka ankesa të pacientëve se edhe pse shteti është zotuar për mbulim të shpenzimeve, në shumë raste u është dashur të paguajnë shërbime ekstra.
“Problemi është se cili është mekanizmi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore nga momenti që e lëshon fletëzotimin dhe pranohet në spital privat pacienti. Askush s’komunikon. Kam parë e-maila të pacientëve e familjarëve që me dhjetëra e-maila i janë drejtuar fondit. Vetë kanë shprehur dyshime dhe i kanë treguar fondit që po i detyrojnë të blejnë gjëra që s’do të duhej t’i blinin. Ta zëmë një sëmundje në profaturë e merr përsipër spitali se do ta kryejë me 125 mijë, pastaj s’bëhet transplanti, por shifra është e njëjtë. Është çështja te pagesa. Si mund të dallohen profaturat me faturat finale në kaq shumë raste? Kush janë personat zyrtarë që telefonojnë pacientin që e pyesin a e ke kryer këtë sepse ta ka faturuar? Cili është zinxhiri mes fondit e pacientit? Duhet ta sqarojë sepse s’është agjendë kundër Fondit”, ka deklaruar Ramaj.
Për keqpërdorimet e milionave të shtetit në emër të pacientëve të sëmurë rëndë mund të lexoni këtu: Keqpërdorimi i milionave të shtetit në emër të pacientëve të sëmurë rëndë.
Hulumtimi do të pasojë disa ditë rresht.