Arbëri

Ramaj: Ministri Latifi ka pasur informacione për keqpërdorime para meje

Saranda Ramaj

Saranda Ramaj, gazetare e KOHËS, e cila ka zhvilluar një hulumtim nën dyshimin për keqpërdorime gjatë trajtimit të pacientëve jashtë vendit, ka thënë se ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka qenë në dijeni për këto raste.

Ramaj ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së të mërkurën, se për të është shqetësuese që ministri e ka lënë edhe Fondin e Sigurimit Shëndetësor pa bord tash e një vit.

“Unë besoj që ministri Latifi ka pasur informacione të tilla para meje. Bordi ekzekutiv që bën miratimin e fletëpagesve ka dhënë dorëheqje dy javë më parë, derisa ministri ishte në Amerikë dhe i është përcjellë letra e dorëheqjes me arsyetimin se janë mbledhur shumë borxhe, se borxhet janë të paarsyetuara. Sot në Ministri të Shëndetësisë më thanë që ministri Latifi i ka bindur që të kthehen. Dhe nga këto komunikime e kam parë që ministri është i njoftuar për këto gjëra dhe për mua është shqetësuese, fillimisht për shkak se Qeveria e ka lënë Fondin e Sigurimit Shëndetësor, si një prej institucioneve strategjikisht më të rëndësishme në shëndetësinë publike, sepse kur fillojnë të mblidhen premiumet besoj në aspektin financiar do të jetë pas Doganës dhe ATK-së si institucioni më i rëndësishëm në vend, që 1 vit pa bord. Pra Fondi i Sigurimit Shëndetësor është komplet pa mbikëqyrje”, ka thënë Ramaj.

Ajo është shprehur po ashtu e shqetësuar për borxhin e akumuluar në këtë fond, duke thënë se nuk janë menaxhuar mirë urgjencat.

“Ka raste kur referohen si urgjenca ndoshta pa qenë. Trajtimi i rasteve urgjente bëhet në një mënyrë tjetër”, është shprehur Ramaj.