Analisti Shkodran Ramadani ka thënë se Qeveria e Kosovës në gati katër vjet mandat nuk ka shënuar sukses në asnjë fushë. Dhe meqë është vit zgjedhor, sipas Ramadanit, Qeveria tani synon ta kompensojë këtë dështim me politikë agresive në veri.
Qeveria e Kosovës ka nxitur polemika me synimin për ta hapur urën mbi lumin Iber për qarkullim të veturave. Ndërkombëtarët kanë thënë se janë kundër dhe se një çështje e tillë duhet të trajtohet në dialog. Por ekzekutivi i udhëhequr nga Albin Kurti nuk është tërhequr mbrapa. Të enjten, u kryen testime për qëndrueshmërinë e urës, duke vendosur mbi të kamionë të ngarkuar rëndë.
Në një intervistë në “60 Minuta” të KTV-së të premten, Ramadani ka thënë se Qeveria është duke u përpjekur t’i elektrizojë njerëzit para zgjedhjeve me këto veprime.
“Tash jemi në vit zgjedhor dhe një qeveri që nuk ka shënuar sukses në asnjë fushë, as ekonomi, as shëndetësi, as drejtësi, është e etur t’i kompensojë këto hendikepe përmes një politike agresive në veri e që përmes saj t’i elektrizojë njerëzit, të polarizojë skenën politike dhe të hyjë më e konsoliduar në zgjedhje”, ka thënë ai.
Analisti Ramadani u shpreh se Qeveria e Kosovës që kur e ka marrë mandatin ka ndjekur “politikë me dy korsi” sa i përket dialogut.
“Qeveria e Kosovës prejse ka filluar mandatin ka ndjekur politikë me dy korsi. Korsia e parë është e nivelit strategjik ku përcaktohen parametrat e procesit që është manifestuar me Marrëveshjen e Brukselit ku Kosova është pajtuar ta themelojë Asociacionin... dhe korsia e dytë e nivelit taktikë, ku Qeveria pasi ka marrë obligimet në nivelin strategjik, është munduar që përmes ndërhyrjeve të vogla taktike ta përmbysë atë disavantazh që e ka marrë në Marrëveshjen e Brukselit”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, do të vijë dita kur këto dy korsi do të përplasen mes vete dhe vetëm njëra mund të triumfojë pasi “janë kundërshtare të njëra-tjetrës”.
Veprimet e fundit të Qeverisë në veri, Ramadani i ka konsideruar si “fitore të vogla taktike”.
“Por në realitetin strategjik është në disavantazh. Sa më shumë të insistojë që t’i ndjekë këto politika, aq më e izoluar do të jetë ndërkombëtarisht”, ka thënë Ramadani.