Arbëri

Ramadani: Komunikimi me Radoiçiqin, tradhti e parimeve me të cilat Vetëvendosja arriti në pushtet

Analisti Shkodran Ramadani, ka vlerësuar se komunikimi i shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, është tradhti e parimeve me të cilat LVV-ja ka arritur në pushtet.

Të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, teksa ka përmendur aferat dhe skandalet që, sipas tij, kanë ndodhur gjatë këtij ekzekutivi, Ramadani ka thënë se Qeverisë i ka dalë situata nga kontrolli.

“Ka mbërritur në një pikë ku Qeverisë i ka dalë situata nga kontrolli dhe tashmë ne na mbetet t’i numërojmë aferat, t’i bëjmë me gisht drejt këtyre skandaleve, por mbi të gjitha të kujdesemi që të mbahen përgjegjës për këto. Komunikimi dhe koordinimi me Milan Radoiçiqin që është kryeterroristi i Listës Serbe në Kosovë, nuk është vetëm një gabim politik, por edhe tradhti e parimeve dhe koncepteve me të cilat Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur në pushtet”, ka thënë ai. 

Ramadani ka shtuar se bojkoti që partia në pushtet po i bën seancave të thirrura nga partitë opozitare, tregon që “ata nuk mund të demantojnë akuzat apo faktet që publikohen”.

“Ky bojkot nuk është befasi pasi jemi mësuar tashmë me sjelljen e kësaj Qeverie, e cila nga fillimi prej kur ka fituar zgjedhjet ka llogaritur që në atë moment ka përfunduar çfarëdo lloj obligimi i saj ndaj qytetarëve, Kuvendit, Kushtetutës dhe institucioneve të tjera. Sot nuk duhet të befasohemi që nuk gjenden në Kuvend pasi që është betejë që ata e kanë humbur tashmë me opozitën, konkretisht në raport me dy temat e fundit me çështjen e ushqimit në FSK dhe me përgjimet e fundit të shefes së GP-së së LVV-së, Mimoza Kusari-Lila. Duke qenë e pafuqishme përballë fakteve dhe duke qenë e handikepuar në raport me të vërtetën, ajo ka vendosur të ikë nga mejdani, nga përballja, nga dhënia e llogarisë”, është shprehur tutje ai.